Një studiues që punonte për kompaninë e inteligjencës artificiale, OpenAI, i cili më vonë u bë një kritik i tyre, u gjet i vdekur në një apartament në San Francisko, thanë autoritetet.
Sujir Balaji, 26 vjeç, u gjet i vdekur më 26 nëntor pasi policia tha se kishte marrë një telefonatë duke u kërkuar oficerëve të kontrollonin gjendjen e tij.
Zyra e ekspertit mjekësor në San Francisko vendosi që vdekja e tij ishte vetëvrasje dhe se policia nuk gjeti prova për aktivitet kriminal.
Balaji, siç raportohet nga BBC , ishte shprehur publikisht kundër praktikave të OpenAI, e cila po përballet me një sërë padish mbi praktikat e mbledhjes së të dhënave që përdor për modelet e saj të inteligjencës artificiale.
New York Times kishte botuar një intervistë me Balaji tetorin e kaluar, në të cilën ai pretendonte se OpenAI kishte shkelur ligjin amerikan për të drejtën e autorit.
Artikulli thoshte se pasi punoi në kompani për katër vjet si studiues, Balaji kishte arritur në përfundimin se “përdorimi i të dhënave me të drejtë autori nga OpenAI për të ndërtuar ChatGPT, shkelte ligjin”.
Balaji u largua nga kompania në gusht, duke i thënë The New York Times se që atëherë ai kishte punuar në projekte personale. OpenAI shpjegon se modelet e tij janë trajnuar duke përdorur të dhëna të disponueshme publikisht.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al