Dritan Dervsihi mendon se Partizani ka vepruar mirë duke larguar Xhovani Kolelën dhe Elton Marinin. Në një intervistë të dhënë për “Panorama TV”, ish-drejtuesi i Partizanit, i cili është përgjegjësi i skautëve te klubi i Veronës në Serinë A, ka treguar arsyet pse sipas tij, Gazment Demi po vepron drejt me vendimin që ka marrë duke rifreskuar stafin teknik.
“Eksperienca te Verona? Tashmë jam nga më të vjetrit në klubin e Veronës, vetëm presidenti është më i vjetër se unë. Këtë javë kemi javë shumë të rëndësishme se me shumë mund arritëm të barazojmë Specian me pikë dhe të tentojmë qëndrimin në Serinë A. Shpresojmë t‘ia dalim.
Unë realisht jam me ekipin e parë, kemi një zyrë shumë të specializuar ka mbi 6 skaut që janë në xhiro në Europë dhe 3 në zyrë dhe punojmë nëpërmjet sistemit iScout dhe inteligjencës artificiale, në kërkim të lojtarëve për vitin tjetër. Por varet nga kategoria ku do jemi.
Unë jetoj çdo ditë me ekipin e parë. Për mua eksperienca në stolin e tij ishte e thjeshtë se njoh ekipin e klubin mirë. Ato dy muaj ishin edhe nga ana morale, në integrimin e djemve të rinj në klub, në atë periudhë morëm disa lojtarë të rinj. Ishte eksperiencë e re, që nuk më pëlqen. Nuk më pëlqen të bëj trajnerin, më pëlqen të bëj skautin, jo anën e trajningut.
Të dielën në 20:45 do të jetë në Rexhio Emilia ndeshja ndaj Specias, luajmë një finale të vërtetë ku pas një barazimi të mundshëm në 90 minuta, ka direkt penallti. Edhe gjyqtari është ndër më të mirët në botë, Orsato. Jemi të përgatitur dhe luhet gjithçka. Nga ana mendore jemi më mirë se ata, se vetëm pak javë më parë ata ishin 8 pikë para. Kemi ekipin e rikuperuar dhe të shohim, futbolli është i paparashikueshëm.
Ndryshimet te Partizani? Mendoj se largimi i drejtorit dhe trajnerit, përbëjnë një rinovim që ata mendojnë dhe besoj e kanë studiuar. Kush më mirë se ata e dinë çfarë trajneri e drejtori kanë pasur. Kanë pasur muaj kohë të bëjnë zgjedhje. Besoj se ata e kanë parë më mirë që të ndërrojnë drejtues e trajner.
Nuk do të thotë gjë që të fitosh kampionatin e vazhdosh automatikisht me stafin. Për mendimin tim, ata kanë parë që ka gjëra që duheshin bërë më mirë.
Largim me konsensus? Nuk besoj asnjëherë te konsensusi. Asnjë nuk e lë vendin e punës me konsensus. Të mos bëhemi njerëz mediokër kot. Ky është vendimi presidentit, është e drejtë e tij. Për mua ka bërë shumë mirë se Partizani i nuk dha gjë të re dhe nuk u afruan lojtarë cilësorë si ata që u larguan.
Të gjithë kanë një rol te suksesi, por mendoj se ky është titulli më i diskutueshëm që ka marrë Partizani në historinë e tij. Presidenti e tha që nuk ishte i kënaqur. Një klub si Partizani që humb nëntë ndeshje… Analiza është bërë më e thellë, nuk është e thënë që merr titullin, nuk duhet të konfirmohen të gjithë. Për mua ishte një kampionat që duhet të vendosej me finale.
Ta them me sinqeritet që presidenti nuk po gabon fare, se besoj se nuk ka humbur asgjë. Nuk pashë asgjë të re te Partizani. Ky më është dukur ndër kampionatet më të dobëta të Superligës, i dobët në shumë aspekte, në mënyrën e lojës, në dhunën që përdor në futboll, nuk më pëlqeu fare ky kampionat.
Zekiç te Partizani? Unë jam shumë kurioz ta shoh. Këtë trajnerin e njoh personalisht dhe jam kurioz ta shoh në Shqipëri. Më kanë folur mirë për të. Unë kam qenë me Partizanin kur luajtëm me Sherifin, e kishim kundërshtar dhe në atë ndeshje me sa kujtoj bënë lojë të mirë ofensive. Shkolla kroate është shkolla ideale për futbollin shqiptar, jo vetëm trajneri, por edhe metodologjia në sektorin e të rinjve. Janë eksportuesit më të mirë të futbollit, shesin me shuma marramendëse. Nuk vjen nga paratë që shpenzojnë, se në Superiore ka klube që shpenzojnë më shumë se klubet kroate, por nga planifikimi i punës që bëjnë më të rinjtë.
Dështim i italianëve në Superiore? Vetëm mua nuk më takon të flas keq për shkollën e trajnerëve italianë, është shkolla më e rëndësishme botërore. Nga Koverçiano kanë dalë më të mirët. Por ata që vijnë atje nuk janë brezi a, janë trajnerë normal, punëtorë. Por për mendimin tim janë trajnerët ballkanas të duhurit. Kroatë, serbë, pse jo.
Partizanit i duhet një trajner i mirë. Shpeshherë acarohem me një formë racizmi ndaj të huajve, veriut, jugut… Duhet të jetë i aftë, unë besoj te njerëzit e aftë, nëse është i aftë nuk ka rëndësi. Jam kurioz të shoh në punë këtë trajnerin kroat.
Nuk besoj se kjo situatë do të ndikojë te ekipi se trajneri do të zgjidhet këto dy-tre ditë dhe gjithçka lidhet me fazën përgatitore. Mos harrojmë që ky do të sjellë lojtarët e tij dhe shpresojmë të jenë të denjë për Superioren.
Unë kam ndjekur gjithë Superioren. Por lojtari që Partizani bëri gabim që largoi ishte Bitri. Do të jetë gabim të largojë Rrapajn dhe Carën.
Skuka? As mos e diskutojmë fare, një ofertë e tillë e Skukës, mund ta shoqëroja vetë me makinë në Francë. Ajo është goditja më e mirë e Superiores, duhet ta bëjnë të gjithë. Edhe të ishet Mesi, me atë shifër duhej të jepej.
Skukës i mungojnë minutat? Për këtë thashë për rritjen e Superiores, duhet të futet më shumë kultura e punës, stërvitja. Të mos mendojmë se na presin të gjithë në Europë, duhet të punojmë më shumë. Për të tjerët pasaporta nuk na ndihmon në zgjedhje të barabartë, duhet të jemi shumë më të fortë se të tjerët. Duhet të vijë nga sektori i të rinjve me metodologji dhe meritokraci, nuk ecet përpara me miku, shokë e filani. Presidentët duhet ta kuptojnë se harxhojë paratë, futbolli në Shqipëri nuk është fitimprurës se qeveria nuk bën ligje për të. Presidentët ndaj i quaj heronj dhe pak të marrë që shpenzojnë paratë.
Akuzat e titullit? Partizani e meritoi dhe Tirana u vodh. Jo që u vodh, ra në një arbitër mediokër që për mendimin tim do ta ketë gjithmonë në jetën e tij këtë situatë. Se nuk është e thjeshtë, nuk mbaron me kaq, jeton në Tiranë, i piketuar me gisht, një person i dyshimtë. Dhuna nuk justifikohet, është kafshërore ajo që pamë, edhe pse ky arbitër veproi me metodë që nuk më pëlqen, një arbitër hodhi në tokë të gjithë mundin e federatës”, tha ndër të tjera Dervishi.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al