Demokratët kërkojnë një minutë heshtje për vrasjen e 14-vjeçarit, Spiropali kundërshton: Të gjejmë kohën kur të gjithë deputetët të jenë në sallë

Nov 19, 2024 | 12:33
SHPËRNDAJE

Deputetët e Partisë Demokratike, kanë kërkuar nga Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, të mbajnë një minutë heshtje për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani nga një bashkëmoshatar i tij, por kërkesa është refuzuar nga kryeparlamentarja.

kuvendi

Kërkesa u bë nga deputeti Asllan Dogjani, por Kryetarja e Kuvendit refuzoi me argumentin se nuk ishin në sallë të gjithë deputetët e PS-së.

“Këtu nuk janë deputetët dhe do ishte mungesë respekti për viktimën dhe familjen e tij. Të mos e përdorim për politikë të ditës. Duhet të gjejmë një kohë kur të jenë të gjithë deputetët. I bëjmë thirrje deputetëve të jenë në sallë”, tha ajo.

Pavarësisht kësaj deputetët e PD janë ngritur më këmbë dhe kanë mbajtur një minutë heshtje.

Pjesë nga diskutimi

Dogjani: I propozoj Kuvendit të mbajmë një minutë heshtje në respekt të prindërve të familjarëve, nxënësve, mësuesve dhe fëmijëve të Shqipërisë.

Spiropali: Kjo është një ngjarje tragjike, duket të bisedojmë dhe të vendoset në një kohë të përshtatshme.. Këtu nuk janë deputetët dhe do ishte mungesë respekti për viktimën dhe familjen e tij. Të mos e përdorim për politikë të ditës. Duhet të gjejmë një kohë kur të jenë të gjithë deputetët. I bëjmë thirrje deputetëve të jenë në sallë.

Noka: Ka 24 orë që gjithë opinioni publik është i shokuar dhe ju të gjithë, duke filluar të gjithë ministrat që nga ai hajduti bashkisë, ajo që kishte burrin bandit, heshtni, a thua se nuk ka ndodhur gjë në këtë vend.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura