Dëmtim si Ronaldo, Ter Shtegen i thotë “adios” sezonit në Spanjë

Sep 24, 2024 | 12:45
SHPËRNDAJE

Kapiteni i Barcelonës, Mark Andre Ter Shtegen, ka mbyllur sezonin. Ky është lajmi i bërë me dije nga gazetat spanjolle pas dëmtimit të rëndë që ai pësoi të dielën në mbrëmje në ndeshjen kundër Vijarrealit në “La Ceramica”.MixCollage-24-Sep-2024-12-29-PM-77Portieri gjerman ka këputur tendinin e gjurit të djathtë dhe në rastin më të mirë do të qëndrojë për 8 muaj larg fushave, ndonëse specialistët spanjollë kanë bërë me dije se mund të qëndrojë jashtë fushave edhe për një vit, në varësi të zhvillimit të fazës së rikuperimit. Ter Shtegen u dëmtua në minutën e 45-të të takimit, gjatë një dalje, duke lënë fushën me barelë dhe i transportuar për në spitalin e Kastejonit, për tu transferuar më pas në spitalin e Barcelonës. Që në fillim u kuptua se për të bëhej fjalë për diçka serioze që është konfirmuar një ditë më pas (dje).

OPERACIONI – Klubi i Barcelonës nuk ka humbur kohë me portierin dhe menjëherë kapiteni i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale të hënën paradite. Pas ndërhyrjes, klubi i Barçës ka dalë me një komunikatë për të shpjeguar se “portieri i ekipit të parë Ter Shtegen iu nënshtrua një operacioni të kënaqshëm për dëmtimin e tendinit në gjurin e tij të djathtë nga mjeku Joan Karles Monlau, nën mbikëqyrjen e mjekëve të klubit”, thuhet në deklaratën e klubit.

RASTI I RONALDOS – Këputja i tendinit patelar është një nga dëmtimet më serioze të gjurit për një sportist, pasi koha e rikuperimit është rreth tetë muaj, megjithëse varet kryesisht nga rikuperimi i gjurit pas operacionit. Mjeku David Barastegui, nga Instituti “Cugat” dhe që ishte një nga ata që operuan Ter Shtegenin në të njëjtin vend në vitin 2020, deklaroi në “RVV” se “në këto raste operacionet përpiqen të bëhen sa më shpejt që të jetë e mundur për sa kohë që inflamacioni e lejon atë”. “Ai më parë kishte një problem në të njëjtën tendin, një tendinopati, e cila kërkonte dy operacione.

Por këputja është më serioze se ajo që kishte më parë, e gjithë tendina duhet të qepet”, shtoi Barastegui. Më 12 prill 2000, Ronaldo Luis Nazario de Lima pësoi një krisje. Ish-lojtari i Realit të Madridit dhe Barcelonës këputi tendinin patelar, sikurse dhe Ter Shtegen në gjurin e tij të djathtë në ndeshjen e parë të finales së Kupës së Italisë kundër Lacios. Pak minuta në lojë dhe gjuri e la në baltë “Fenomenin”. Ai sapo kishte thyer, sipas fjalëve të doktor Gujen, tendinin patelar ose “strukturën më të butë më serioze që ekziston”. Ky është tendini që i mundëson gjurit vrapimin, gjuajtjen dhe driblimin. Askush nuk e mori përsipër të fliste për karrierën e tij. As personi përgjegjës për operimin e tij në Paris, Dr. Zherard Saliant i cili deklaroi: “Do të jetë një proces i gjatë dhe i vështirë”. Për të nisën torturat e pafundme fizike dhe psikologjike dhe u kthye në fushë vetëm më 4 nëntor 2001 kundër Leçes. Domethënë një vit e gjysmë nga dëmtimi!

KLAUDIO BRAVO VETOFROHET – Ndërsa Barcelona bën llogaritë me mungesën e gjatë të Ter Shtegenit, një ish-portier i katalanasve, Klaudio Bravo i është vetofruar klubit. “Nëse Barcelona më thërret, unë jam gati të shkoj” u përgjigj Klaudio Bravo pasi u pyet në mediat arabe nëse do të ishte i gatshëm të kthehej në klubin e Barçës pas dëmtimit të rëndë në gju të Ter Shtegen. Portieri kilian, 41 vjeç, njoftoi tërheqjen e tij më 26 gusht pas sezonit të tij të katërt dhe të fundit te Betis. Ndërkaq, një tjetër emër është shfaqur në horizont. Sipas mediave spanjolle, në orbitën e Barcelonës është shfaqur emri i ish-portierit të Realit të Madridit, Kejlor Navas. Por gjithçka është në dorën e agjentit Zhorzh Mendesh.

LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura