“Dënim pa ligj, si në diktaturë!”- Sekretariati i Etikës përjashtoi 24 deputetë të PD-së, Gjekmarkaj: E keni në traditën e eterve shuarjen e opozitarizmit! Turp për kolegët kukulla të PS-së

Oct 2, 2024 | 19:39
SHPËRNDAJE

Deputeti i Partisë Demokratike, Agon Gjekmarkaj, ka reaguar pas vendimit të Sekretariatit të Etikës për përjashtimin me 10 deri në 60 ditë nga Kuvendi të 24 deputetëve të PD-së, pas kaosit që u krijua në seancën e fundit. Sipas vedimit, Gjekmarkaj është përjashtuar me 40 ditë.

agron-gjekmarkaj-675x450-1 (1)

Teksa ka ironizuar masat e marra ndaj tij dhe kolegëve të tij, Gjekmarkaj thotë se vendimi i sotëm i Zonjës “Pushka” e partisë me urdhër të Edi Rames i dhënë që dje e që ziente korridoreve të Kuvendit, është de fakto shuarje e Parlamentit!

Demokrati shkruan se ky i sotmi ishte një vendim që sipas tij tregon frikë, dëshpërim dhe urrejtje ndaj opozitës, ndërsa nuk ka kursyer dhe kritikat për kolegët socialistë.

“Turp për kolegët kukulla të PS-së që kaq padenjësisht përdoren. Pushteti në çdo rast është i përkohshëm, jeta më e gjatë, turpi i përjetshëm! Ju lutem mos na buzëqeshni më si “shpirt njeriu” kur të na takoni kolegë të përdorur”, shkuan Gjekmarkaj.

Ai i ka cilësuar masat ndaj deputetëve të opozitës si hakmarrje dhe jo ndëshkim sipas ligjit!

“Dënim pa ligj si në diktaturë! E keni në traditën e eterve shuarjen e opozitarizmit!”, thotë ai.

Reagimi i plotë

Vendimi i sotëm i Zonjës “Pushka” e partisë me urdhër të Edi Rames i dhënë që dje e që ziente korridoreve të Kuvendit është de fakto shuarje e Parlamentit!

Një vendim që tregon frikë, dëshpërim dhe urrejtje ndaj opozitës! Bindja “paternaliste” se “unë” kam të “drejtë” dhe bëj ç’të dua, dhunoj, ndëshkoj dhe me pas rrah gjoksin, është shenjë e qartë e degradimit të këtij Kuvendi dhe mbi të gjitha e kësaj qeverisjeje që pasi ta shtron me korrupsion të mbulon me burgosje politike!

Turp për kolegët kukulla të PS-së që kaq padënjesisht përdoren. Pushteti në çdo rast është i përkohshëm, jeta më e gjatë, turpi i përjetshëm! Ju lutem mos na buzëqeshni më si “shpirt njeriu” kur të na takoni kolegë të përdorur.

Edhe rregullorja e dhunës e miratuar pak kohë me parë si represion ndaj opozitës nuk ka objekt sepse nuk jemi në ato kushte për dënime të tilla 40-60! Hakmarrje dhe jo ndëshkim sipas ligjit! Dënim pa ligj si në diktaturë!

E keni në traditën e eterve shuarjen e opozitarizmit! Shqiptarët nuk do ju lejojnë! Nga e hëna fillon përballja çdo ditë e kudo!

Kujtojmë se pas një mbledhje të gjatë, Sekretariati i Etikës ka marrë vendimin që të përjashtojë me 60 ditë nga punimet e Kuvendit tre deputetët e PD, Flamur Noka, Gazment Bardhi dhe Bledion Nallbati.

Ndërkohë deputeti tjetër, Edi Paloka u ndëshkua me 10 ditë përjashtim nga punimet e Kuvendit, ndërsa të tjerët me 40 ditë.

Deputetet që u perjashtuan me 40 dite jane:

Luan Baçi,Dashnor Sula, Agron Gjekmarkaj, Dhurata Çupi, Xhelal Mziu, Ina Zhupa, Saimir Korreshi, Lefter Geshnjte, Zheni Gjergji, Helidon Bushati, Lindita Metaliaj, Flamur Hoxha, Isuf Çela, Kastriot Piroli, Ludovik Hasani, Ramadan Lika, Asllani Dogjani, Qani Xhafa, Kasem Mahmutaj dhe Edmond Spaho.

Kujtojmë që Kuvendi ka deklaruar se deputetët e opozitës do të paguajnë dëmet e shkaktuara në sallë, nga paga e tyre e cila do t’i mbahet automatikisht nëse nuk e japin vullnetarisht.

Në faturë do të përfshihen edhe dëmet në pajisje elektronike, mikrofonë, foltore dhe ekrane.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura