Dënimi i Ervin Salianjit, kreu i Grupit të PD replikon me Kryeministrin: Bëre ministër të Brendshëm vëllain e një trafikanti

Sep 26, 2024 | 16:47
SHPËRNDAJE

Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka replikuar pas deklaratës së Edi Ramës, lidhur me dënimin me një vit burg të deputetit demokrat, Ervin Salianji, të cilin kryeministri e cilësoi të ligjshëm.

rama salianji BARDHI

Bardhi ka akuzuar kryeministrin e se ka bërë ministër të Brendshëm vëllain e një trafikanti, duke iu referuar ish-ministrit Fatmir Xhafaj, i cili është vëllai i Agron Xhafajt.

Më tej ai e ka cilësuar Kryeministrin si të paftyrë dhe frikacak, ndërsa shton: “të gënjen mendja se do trimërohesh duke keqpërdorur gjykatat për të “frikësuar” e dënuar pa ligj e prova opozitën”.

REAGIMI I BARDHIt

I paftyrë dhe frikacak! Të gënjen mendja se do trimërohesh duke keqpërdorur gjykatat për të “frikësuar” e dënuar pa ligj e prova opozitën.

Ti je Kryeministri i vetëm në botë që bërë Ministër të Brendshëm vëllain e një trafikanti të dënuar droge nga një vend i BE!

Ti je i vetmi Kryministër në botë që akuzohesh nga zëvendësi yt se ka një koordinator të posaçëm për marrëdhëniet me krimin e organizuar, i cili nesër pritet të emëroj Drejtorin e ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Ti je i vetmi Kryeministër në botë që ke vëllain të dyshuar si trafikant droge. Ti je i vetmi Kryeministër në botë që të trimëron dhe të mban në pushtet krimi i organizuar.

Ti je i vetmi Kryeministër në botë që bëre deputet e kryebashkiak trafikant droge, vrasës e përdhunues. Do mbetesh unik në historinë botërore për fundin e tmerrshëm dhe të afër që të pret!

Rama e cilësoi vendimin e Apelit për dënimin e Salianjit si një dënim të ligjshëm dhe u shpreh se drejtësia vonoi po nuk harroi. Ai theksoi se drejtësia e re ka lindur e po rritet më në fund jashtë duarve të politikës.

“E vërteta vonoi shumë po më në fund nuk harroi të vinte, e pavarësisht se vendimi i sotëm i gjykatës dhe dënimi i ligjshëm i një politikani të spikatur për veprimtarinë e palodhur dizinformuese deri në formën kriminale të Kallzimit të Rremë, përmes një dosjeje me fabrikime provash e dëshmish të rreme, nuk do të ndryshojë asgjë në aktivitetin e kancerit të Shpifjes që helmon përditë e më shumë gjakun e shoqërisë shqiptare falë edhe kanaleve të panumërta digjitale të dizinformimit, kjo është një ditë e mirë për të Vërtetën”, shkruan kreu i qeverisë në platformën X.

LEXO EDHE: Dënimi i Ervin Salianjit me 1 vit burg, reagon Rama: E vërteta vonoi shumë, po më në fund nuk harroi! S’do tërhiqemi nga gjyqet ndaj shpifësve të veshur me kostume e flamuj partiakë

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura