Denoncimi i Berishës: Pronari i birrës “Peja” bleu media në Shqipëri për të shkatërruar prodhimin vendas

Feb 15, 2023 | 8:04
SHPËRNDAJE

VALENTINA MADANI/ Opozita do të zhvillojë një tjetër protestë kombëtare më 3 mars. Protesta pritet të zhvillohet në të njëjtën ditë që Gjykata e Apelit do të shqyrtojë çështjen për të drejtën e vulës dhe logos së Partisë Demokratike. Vendimi u mor dje nga kryesia e PD-së.

saliberisha

Lideri demokrat, Sali Berisha, tregoi hapat e radhës që do marrë opozita një ditë pas protestës para Kuvendit. Ai theksoi se beteja do të shtrihet në të gjitha fushat dhe shprehu bindjen se “ne do ta fitojmë”. Ai u shpreh se rezistenca në Parlament do të shumëfishohet. “Nuk veprohet në Parlament siç bën Rama me Lindën e tij, në mënyrën më të turpshme dhe të padenjë. Rezistencën në Parlament duhet ta shumëfishojmë, nuk mund ta dorëzojmë Parlamentin. Të vazhdojmë betejën në të gjitha planet dhe ne do ta fitojmë. S’ka humbur ndonjëherë revolucioni paqësor, do durim por fiton. Ky revolucion është jetik për të çmontuar këtë regjim dhe ne do ta çmontojmë këtë regjim”, deklaroi Sali Berisha. Kreu demokrat porositi anëtarët e Kryesisë, se rruga e suksesit të revolucionit që ka nisur opozita do të jetë vetëm me komunikime direkte me qytetarët. “Askush nuk e përcakton fatin më shumë se vota. E konsideroj jetik këtë dialog, shtëpi më shtëpi, derë më derë, me çdo qytetar, pavarësisht bindjeve të tij politike”, theksoi Berisha.

DENONCIMI

Ish-Kryeministri Sali Berisha denoncoi dje gjatë mbledhjes së Kryesisë blerjen e televizionit ABC nga Blerim Devolli, i cili është pronar edhe i birrës “Peja”. Sipas Berishës, Devolli imponoi ndryshimin e akcizës së birrës në Shqipëri, duke sjellë shkatërrimin e prodhimit vendas. “Ka një pushtim të mediave. A e dini që për ABC-në, u shkatërrua e gjithë industria e birrës në Shqipëri? Për të futur ABCnë në dorë, pronari i birrës ‘Peja’, Devolli, imponoi ndryshimin e akcizës së birrës, de facto asgjësimin e birrës në Shqipëri. Unë i them atij mënyrën se si po e përdor atë televizion, po bën shërbimin më të keq Kosovës, Shqipërisë, por edhe biznesit. Opozita shqiptare do mbajë qëndrimet e saj. U ndryshuan akcizat e birrës për të favorizuar Devollin. U bë pazari me ABC-në, dhe po të vini re, e ka shndërruar atë në një Kol Balla biss. Se ai i mban të dyja. Këtu është drejtor, aty është debator. A ka më neveri se kjo? Kjo është vetëm njëra anë, ka edhe të tjera. Unë denoncova këtë sot. Ne jemi miq të medias, por nëse vazhdon në këtë mënyrë ndaj opozitës, opozita do të të përgjigjet. Se ke ardhur me një mision për të shndërruar televizionin në një altoparlant Rama-Veliaj. Ky ka kaluar në ekstrem, në çmenduri. Vjen dhe heq një seri gazetarësh. Të gjithë. Ka mbetur Kol Balla me Kol Ballën”, deklaroi kreu i PDsë.

VENDIMI

Kreu i demokratëve garantoi se revolucioni do të vazhdojë në mënyrë paqësore dhe se PD është në hapat e parë të mosbindjes civile. Sipas tij, kjo forcë politike nuk shkon te forca. Berisha akuzoi Edi Ramën si ‘porositës i vrasjes së opozitës’, ndërsa u shpreh se ai mund të largohet nga pushteti vetëm me revolucion. “Cilido që mendon se ky porositës i krimit më të shëmtuar ndaj demokracisë dhe pluralizmit, asgjësimit të pluralizmit de facto, largohet me votën e lirë, gabon. Është iluziv, gënjen veten. Ky porositës i vrasjes së opozitës largohet vetëm me revolucion. Ju e shihni, gazeta më e madhe në SHBA, ‘Uashington Post’ thotë që Edi Rama është i zhytur deri në fyt në afera sekrete me McGonigal.

Gazetari i BILD nga Nju Jorku deklaroi haptas se dokumentet faktojnë se McGonigal u mor me Sali Berishën. Ndaj dhe duhet të vazhdojmë me persistencë absolute këtë revolucion. Në mënyrë kreative. Unë e di që çdo ditë do dëgjoni njerëz që ju thonë se pa dhunë, nuk përmbyset, nuk arrihet. Qëndresa është forcë. Dhuna nuk të sjell në objektivat që kërkon. Ne jemi në hapat më fillestarë të mosbindjes civile, të shfrytëzimit të potencialit të jashtëzakonshëm që ka mosbindja civile. Nuk shkojmë te forca. Sepse të shkosh te forca, do të thotë të marrësh pushtetin me forcë. Por përdorim çdo formë të mosbindjes civile”, tha Berisha. Ai paralajmëroi se PD nuk do t’i bojkotojë zgjedhjet, pasi sipas tij vendimi i Gjykatës i bën legjitim.

“Ne duhet të qëndrojmë ndaj çdo akti, ndaj çdo veprimi, ndaj çdo përpjekje të shkelmimit të ligjit të zgjedhjeve. Ne nuk i bojkotojmë zgjedhjet. Përpjekja për të përjashtuar PDnë nga zgjedhjet është etapa e tretë e skenarit të të njëjtëve autorë. Por absolutisht do marrin përgjigjen e merituar. Sepse çdo vendim, përveç vendimit që është marrë, është i paligjshëm. Nuk ka asgjë më të paligjshme se shpallja palë e atij që nuk është palë. Ne kemi vendimin e Gjykatës, ata që duan të na përjashtojnë ne, do përballen me ne”, u shpreh Berisha.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura