Deveron Oil Albania, në një deklaratë akuzon Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve se nuk po rimbursojnë TVSH-në për bizneset.
Në një njoftim kompania Deveron shkruan se Drejtorët Rajonalë të Tatimeve, po veprojnë kundër ligjit dhe kundër biznesit.
“Në përfundim të këtyre kontrolleve është arritur në konkluzionin se teprica kreditore e TVSH-së e kërkuar për rimbursim nga tatimpaguesit, për periudhën e kontrolluar, është e kreditueshme por jo e rimbursueshme”, shkruan ndër të tjera Deveron Oil Albania.
DEKLARATA E PLOTË E DEVERON OIL
Drejtorët Rajonalë të Tatimeve kundra Ligjit, kundra biznesit.
Në Shkurt të këtij viti Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve pasi vëren parregullsi serioze në punën e Drejtorëve Rajonalë të Tatimeve, sidomos sa i përket interpretimit të ligjeve dhe procedurave duke i shkaktuar kështu dëme bizneseve, në datën 12 Shkurt 2018 lëshon një Urdhëresë (Nr. Prot. 3048) “Për Rregullshmërine dhe Zbatimin e Kërkesave Ligjore në Kontrollet Tatimore për Rimbursimin e TVSH-së”
Ajo konstaton se:
..Në disa raste Inspektorët e Kontrollit arrijnë në konkluzione të pasakta dhe të pambështetura në legjislacionin tatimor, të cilat është e pamundur të pasqyrohen më pas në situatën financiare të tatimpaguesit në sistemin C@TS. Në përfundim të këtyre kontrolleve është arritur në konkluzionin se teprica kreditore e TVSH-së e kërkuar për rimbursim nga tatimpaguesit, për periudhën e kontrolluar, është e kreditueshme por jo e rimbursueshme.
Dhe i urdhëron Drejtorët Rajonalë dhe të tjerë se:
“Interpretimi i mësipërm është i gabuar dhe i pabazuar në referenca ligjore. Ligji Nr. 92/2014 “Për TVSH-në” dhe Udhëzimi i Ministrit të Financave në zbatim të tij, shprehin qartë se shuma e TVSH-së për blerjen apo importet që i shërbejnë zhvillimit të aktivitetit të tatueshëm është e kreditueshme dhe për pasojë edhe e rimbursueshme.”
Drejtori i Tatimeve të Tiranës është njëri prej vartësve të saj, i cili i lejon vetes të mos zbatojë Ligjin për TVSH-në, Udhëzimin e Ministrit të Financave në zbatim të këtij ligji që thotë se kur TVSH është e kreditueshme, dhe për pasojë edhe e rimbursueshme, me ç’duket e ka fare të lehtë të mos zbatojë as Urdhëresën e Drejtoreshës së Përgjithshme të Tatimeve në Republikën e Shqipërisë. Ky veprim i qëllimshëm i këtij Drejtori dëmton biznesin, klimën e biznesit në vend dhe i shërben interesave okulte që nuk kanë lidhje me zhvillimin e vendit.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al