Pas 7 muajsh në pension, Elvira Leci u kthye në shkollën “Jeronim de Rada” për të takuar nxënësit dhe mësueset e tjera, por është përballur me drejtoreshën e shkollës e cila e ka kapur nga fyti për ta nxjerrë jashtë.
Kështu shkruan në letrën e saj drejtuar Drejtorisë Arsimore Elbasan, ku rendit mes të tjerash edhe raportin e vështirë që drejtoresha e zshkollës ka krijuar me stafin pedagogjik si edhe me nxënësit.
“Te dera e zyrës, me një nervozizëm të paparë, më fyen duke thënë: “Dil jashtë! “. I kujtoj që shkolla është ë komunitetit. Vazhdon me fyerje, “e pafytyrë” dhe ndërkohë me një dorë më kap për fyti, dhe me tjetrën që mbante një qese në dorë, nuk e di se me çfarë, ma ngre drejt fytyrës, por që e shmang duke ngritur dorën”,- shkruan ajo.
“E lënduar fizikisht, por më shumë moralisht, shpreh besimin, se me vendimin që do të merrni, do të vini në vend dinjitetin tim dhe të familjes time”,- vijon letra, por që nuk mori asnjë përgjigje nga drejtoria Arsimore.
Ankesat me shkrim të mësuesve të shkollës, “Jeronim de Rada” në Elbasan nuk kanë marrë përgjigje as nga Drejtoria Arsimore, as nga ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla dhe as nga kryeministri Edi Rama, të cilëve u është shkruar letër.
Ministres së Arsimit, Lindita Nikolla dhe kryeministrit Edi Rama i shkroi edhe një mësuese tjetër e shkollës Jeronim De Rada në Elbasan. Fiqirete Ismaili në letrën e saj, zbulon se drejtoresha e shkolles u emerua ne shkelje te kritereve, dhe se më parë kishte punuar në burgun e Peqinit.
“Në prill të 2014, në shkollën ku unë punoj, jashtë kritereve, u emërua drejtorëshë Znj. Matilda Kala, pa përvojën e duhur në arsim, e ardhur nga sektorë të tjerë si: Burgu i Peqinit dhe Policia Bashkiake.”
“Shkoni ku të doni, ankohuni sa të doni, ju e shikoni që unë jam po këtu, kontrollet do t’ju vijnë juve dhe unë do të dal e lavdëruar” citohet të ketë thënë drejtoresha e shkollës.
Servi Kadzadej është mësuesja që kërkon të ndërhyhet nga autoritetet për drejtoreshën e shkollës. Dinjiteti i mësuesve është përdhosur edhe gjatë mësimit, përmendet në ankesë, ku mësuesja është shtyrë dhe sharë në sy të nxënësve.
“Jam ankuar edhe më parë për kërcënimin me vendin tim të punës prej saj, shprehimisht: “do të të heq nga puna, shko ku të duash, nuk pyes njeri’, “ju kam në dorë edhe 100 kritere të plotësoni ju” “ka zot lart që më dëgjon t’ju kem në dorë”. Ushtron vazhdimisht dhunë psikologjike dhe verbale mbi mua, madje kur I kam shkuar për sqarim në drejtori, më ka nxjerrë me forcë jashtë, duke më kapur prej krahu e duke më shtyrë. Këto sjellje të pahijshme e jo profesionale ajo I ka bërë edhe në prani të nxënësve, duke më prishur orën e mësimit, e cila është e shenjtë, me synimin që të përdhosë dinjitetin dhe autoritetin tim para nxënësve, duke shkelur kodin e Etikës.”
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al