Departamenti i Drejtësisë në SHBA akuzon tre iranianë për hakerim të dhënash nga fushata e Trump, dyshohet se shpërndanë informacione konfidenciale në media

Sep 27, 2024 | 19:13
SHPËRNDAJE

Departamenti i Drejtësisë amerikane, ka ngritur akuza penale kundër tre hakërreve iranianë të dyshuar për hakerimin e të dhënave nga fushata presidenciale e Donald Trump dhe shpërndarjen e informacionit të vjedhur tek organizatat mediatike.

trump

Sipas AP, tre hakerët e akuzuar ishin të punësuar nga Garda Revolucionare paraushtarake e Iranit dhe operacioni i tyre shënjestroi gjithashtu një pjesë të gjerë objektivash, duke përfshirë zyrtarë qeveritarë, anëtarë të medias dhe organizata joqeveritare, tha Departamenti i Drejtësisë.

Fushata e Trump zbuloi më 10 gusht se ishte hakuar dhe tha se aktorët iranianë kishin vjedhur dhe shpërndarë dokumente të brendshme sensitive. Shumë organizata të mëdha lajmesh thanë se kishin rrjedhur informacione konfidenciale nga brenda fushatës së Trump, duke përfshirë Politico, The New York Times dhe The Washington Post, dhe nuk pranuan t’i publikonin ato.

Zyrtarët e inteligjencës amerikane më pas e lidhën Iranin me një hakerim të fushatës së Trump dhe me një tentativë për shkelje të fushatës Joe Biden-Kamala Harris. Ata thanë se operacioni “hack-and-dump” kishte për qëllim të krijonte mosmarrëveshje, të shfrytëzonte përçarjet brenda shoqërisë amerikane dhe potencialisht të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve që Irani i percepton si “veçanërisht të rëndësishme për sa i përket ndikimit që mund të kenë në interesat e tij të sigurisë kombëtare”.

Javën e kaluar, zyrtarët zbuluan gjithashtu se iranianët në fund të qershorit dhe në fillim të korrikut dërguan emaile që përmbanin fragmente të informacionit të hakuar njerëzve të lidhur me fushatën e Bidenit.

Asnjë nga marrësit nuk u përgjigj. Fushata e Harris tha se emailet i ngjanin postës së padëshiruar ose një përpjekje phishing dhe dënoi kontaktin me iranianët si aktivitet keqdashës i padëshiruar dhe i papranueshëm.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura