Deputeti i PS kritikon qeverinë: Rruga Poliçan-Skrapar ka humbur nga gropat! Hiqni investimet në luks

Oct 14, 2022 | 8:14
SHPËRNDAJE

Deputeti i PS-së, Nasip Naço, kritikoi qeverinë për mungesën e investimeve në zonën e Skraparit, kryesisht në rrugët që e lidhin atë me zonat e tjera.

rruga naco balluku

Gjatë interpelancës me ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, dje në Kuvend, Naço tha se në zonën që ai përfaqëson, mungojnë investimet dhe rruga Poliçan-Skrapar është e mbushur me gropa. Deputeti socialist i ka kërkuar qeverisë që të heqë dorë nga shpenzimet e luksit dhe investojë në Skrapar.

“Shpreh shqetësimin tim dhe këtu sjell zërin e qytetarëve për mungesën e investimeve, por rruga në Poliçan është riveshur, por nga Poliçani në Skrapar vështirë se mund ta gjeni rrugën, zonja ministre, atje ka gropa. Për mua dhe të gjithë deputetët do të doja që të kishte rrugë në çdo fshat. Do të doja që qeveria dhe maxhoranca ta shihte me prioritet Skraparin. Duhet të hapim rrugë, të dalim nga izolimi që ka vite këtë qytezë ushtarake. Ju them publikisht që nga Poliçani deri në Skrapar vështirë ta gjesh rrugën pa gropa. Rrugës së re i ka dalë një kodër para dhe e vjetra ka humbur midis gropave. Kjo maxhorancë i ka të gjitha mundësitë të lidh Skraparin me Përmetin dhe Korçën, mjafton ta vendosë si prioritet. Unë nuk jam deputet i pavarur, i kërkoj Kryeministrit dhe ministres së Infrastrukturës mbështetje. Do doja që t’i hiqnit pak ato investime në luks, që ka çdo maxhorancë dhe qeveri për të investuar në Skrapar. Unë jam deputet dhe dua të jem pjesë e zgjidhjes dhe jo problemi. Si deputet ne kemi detyrime për qeverisjen, por ne nuk jemi qeveria. Qeveria është tjetër”, tha deputeti Naço.

Nga ana e saj, ministrja Balluku u përgjigj se gjatë këtij viti nuk është parashikuar asnjë investim shtesë në infrastrukturë në këtë zonë, pasi do mbështeten paketat sociale. “Aksi rrugor Berat-Skrapar është përfshirë në një kontratë mirëmbajtjeje për një periudhë 2-vjeçare me një vlerë 91.9 milionë lekë.

Nga ana e kompanisë kontraktore do fillojë t’i kushtohet kujdes mirëmbajtjes dhe rënies së rrugëve, fenomen që ka ndodhur gjithmonë në këtë aks. Deri në vitin 2022 ka planifikuar që në këtë aks të përfundojë punimet e ndërhyrjes me 5 mijë metër asfaltime, instalimin e mbrojtëseve anësore metalike”, tha Balluku, duke shtuar se prioritet për këtë vit dhe vitin e ardhshëm janë siguria energjetike, mbrojtja kibernetike dhe mbështetje për të gjitha paketat sociale.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura