Plot 43 vite më parë, duke u gdhirë data 18 dhjetor e vitit 1981, kryeministri shqiptar Mehmet Shehu, i cili e mbante atë funksion që nga viti 1953, u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit (sipas versionit zyrtar, nga plumb “a” pistolete), në vilën ku banonte së bashku me familjen e tij, në hyrje të “Bllokut” të udhëheqjes së lartë të PPSH-së, fare pak metra nga godina e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe gjithashtu vilës së Enver Hoxhës. Edhe pse kanë kaluar më shumë se katër dekada nga ajo ditë, e konsideruar si një nga ngjarjet më të rënda dhe të bujshme gjithashtu të atij regjimi, ende dhe sot, nuk ka një version të qartë e të saktë, rreth asaj që ka ndodhur me ish-kryeministrin shqiptar, Mehmet Shehu, në mesnatën duke u gdhirë 18 dhjetori 1981! Por, edhe pse pas viteve ’90-të, janë bërë publike me dhjetëra dëshmi dhe dokumenta arkivore, lidhur me atë ngjarje, “vrasja apo vetëvrasja e Mehmet Shehut”, vazhdon të jetë objekt debatesh dhe diskutimesh të shumta, madje duke e mbështjellë edhe më shumë me mister, të vërtetën rreth saj!
Nisur edhe nga ky fakt, në kuadrin e publikimit të dhjetëra dëshmive dhe dosjeve me dokumente arkivore nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, apo dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, që kemi botuar në këto dekada pas shembjes së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, Memorie.al, ka siguruar dosjen voluminoze “të armikut Mehmet Shehu”, e cila është nxjerrë nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme (tashmë pjesë e fondit të Autoritetit për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit), ku me ndonjë përjashtim të vogël, pjesa më e madhe e tyre, nuk e ka parë dritën e botimit dhe publikohen për herë të parë e të plota.
Në dosjen në fjalë, gjenden faksimilet përkatëse, akt-ekspertiza e grupit operativo-hetimor, që u ngrit menjëherë që paraditen e 18 dhjetorit 1981, me në krye Koço Josifin, (kryetar i Hetuesisë së Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës), mjekët-ligjorë Dr. Fatos Hartito dhe Docent Bashkim Çuberi, mjekët e kryeministrit, Milto Kostaqi dhe Llesh Rroku, si dhe ekspertin kriminalist të Laburatorit Qendror Kriminalistik të Ministrisë së Brendshme, Estref Myftari, të asistuar nga funksionarët e lartë të asaj ministrie, Xhule Çiraku, Elham Gjika dhe Lahedin Bardhi.
Gjithashtu në dosjen voluminoze në fjalë që po bëjmë publike, ndodhen edhe dëshmitë e familjarëve të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, personelit të shërbimit dhe grupit të tij të shoqërimit, si dhe të gjitha personave të tjerë, që u thirrën dhe deponuan rreth asaj ngjarje. Për më shumë rreth kësaj etj., na njohin dokumentet në fjalë, të cilat po i publikojmë së bashku me faksimilet dhe fotot përkatëse.
Por, edhe pse kemi të bëjmë vetëm me dokumente arkivore, duhet theksuar se; duke e ditur tashmë se si ka funksionuar ai sistem i para viteve ’90-të, kurrsesi nuk mund të pretendojmë për vërtetësinë absolute rreth atyre çka shkruhet aty, pasi jo vetëm nga personat që kanë dhënë dëshmitë e tyre, por edhe nga hetuesit e kësaj çështje, është bërë e ditur se; ato janë marrë në trysni, presion, intimidim dhe dhunë fizike e psikologjike, madje duke shkuar më tej, ku disa prej hetuesve, i kanë shkruar vetë ato dhe dëshmitarët apo të pandehurit, vetëm sa kanë hedhur firmën aty.
DOKUMENTI ARKIVOR, ME PROCES-VERBALIN E MARRJES NË PYETJE TË SEKRETARIT PERSONAL TË MEHMET SHEHUT, PEÇO KALLUCI, NGA ANA E HETUESIT TË MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, BASHKIM CAKA
P R O Ç E S – V E R B A L
(I pyetjes së dëshmitarit)
Sot më datën 3.2.1983, në qytetin Tiranë.
Ne, hetuesit e MPB, Sokol Koleka e Bashkim Caka, marrim në pyetje si dëshmitar në hetuesi:
- Emri, emri i babës, mbiemri: Peço Tole Kalluçi.
- Datëlindja, (dita muaji, viti), 1925,….Gjirokastër
- Arsimi: Të mesme.
- Vendbanimi: Lagjja Nr 2, Rruga “Marsel Kashen”, Pallati 21, Shk. 1, Ap. 10.
- Detyra: Në pension.
- Anëtarësia në Parti: Anëtar partie.
- A është i dënuar: Nuk është dënuar.
- Numri i letërnjoftimit….
- Marrëdhëniet me të pandehurin: Nuk ka lidhje familjare.
Hetuesi më paralajmëroi për përgjegjësinë penale, në bazë të nenit 202 të K.P., për dëshmi të rreme.
FIRMA E DËSHMITARIT
Peço Kalluçi
Në lidhje me çështjen, mund të them sa më poshtë:
Di që Mehmet Shehu ka pasur shumë shoqëri me Kadri Hazbiun, Mihallaq Ziçishtin, Beqir Ballukun, Abdyl Këllezin, Llambi Peçinin, Llambi Ziçishtin, Gani Kodrën, Feçor Shehun, Nesti Nasen, etj., armiq. Edhe pasi Mehmet Shehu iku nga Ministria e Punëve të Brendshme e, deri sa ai vrau veten, unë kam qenë deri në fund sekretar i tij.
Për kohën që Mehmet Shehu ka pasur funksionin e kryeministrit, di të them se, për materialet që i vinin sekret nga Byroja Politike dhe Komiteti Qendror i PPSH-së, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Punëve të Jashtme e, Ministria e Mbrojtjes Popullore, unë vija firmën në regjistrin e atij që i sillte, dhe pa i hapur ato, se nuk më lejohej, ja jepja Mehmet Shehut.
Se çfarë bënte ai me to, unë nuk e di, por në zyrë nuk i linte, por i merrte në çantë me vete, kur ikte në shtëpi. Kishte mjaft raste, kur pasi vinte ndonjë shënim në to, i fuste në zarfe të reja e, më thoshte mua, apo direkt Ali Çenos, që t’ja nisnim ato me oficerët e tij, kryesisht Aliun, në institucionet e mësipërme, nga kishin ardhur. Sipas porosisë së Mehmet Shehut, Aliu duhet t’ja merrte firmën në zarf, personit që merrte materialin, dhe t’ja sillte atë Mehmet Shehut, i cili pasi e shihte atë, e griste dhe e fuste në kosh. Por këto dokumente sekrete, dilnin pa u protokolluar e regjistruar, sipas rregullit.
Ndërsa për materialet e tjera që merrte në shtëpi, si ato të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, i dorëzonte , apo jo, unë nuk e di. Për këto parregullsi, pas disa vjetësh, në mbledhjen e organizatës bazë të partisë, apo byrosë së partisë në Kryeministri, u ngrit si problem, por Mehmet Shehu që ishte i pranishëm, tha: …………………….(një rresht i pa lexueshëm, shënimi ynë) s’më ndaloni dot të komunikoj privatisht me shokët e Byrosë Politike, ministrat, etj. Të tilla letra dhe materiale, Mehmet Shehu i ka çuar deri kohët e fundit, Kadri Hazbiut, Feçor Shehut, Nesti Nases, Veli Llakajt, etj.
Mehmet Shehu vetë në zyrë nuk kishte kasafortë, kasafortë kisha vetëm unë, ku në të mbaja materialet e dorës së dytë, si korrespodencën e letrat me ministritë e ndryshme, me qytetarët, ndonjë material për mbledhjet e Qeverisë, etj. Nuk më kujtohet nëse Mehmet Shehu ka fotokopjuar ose jo, materiale të Byrosë Politike, kurse të Qeverisë, të ministrive të ndryshme, e studime etj., ka bërë, bile edhe këto ia çonte dorazi Kadri Hazbiut, Feçor Shehut, Nesti Nases, Llambi Ziçishtit, edhe personave të tjerë, që ishin më të shpeshtit që vinin në zyrën e Mehmet Shehut.
Bile më bënte përshtypje, se këta hynin në zyrën e Mehmet Shehut menjëherë dhe ishte i vetmi Kadri Hazbiu, që pinte cigare aty brenda dhe atë e shkundte në taketuket e tryezës së punës, se Mehmet Shehu i kishte hequr tavllat e duhanit, nga zyra e tij. Armiku Mehmet Shehu, kishte në shtëpinë e vjetër ku banonte, një kasafortë të madhe italiane, të ndarë në dy pjesë (një lart e një poshtë), ………………(një rresht i pa lexueshëm, shënimi ynë).
Një çelës, mbante në dhomën e gjumit, por nuk e kam parë ndonjëherë se çfarë kishte brenda në të. Siç më ka thënë Farije Koçiraj dhe Agustella Andoni, që kanë punuar për një kohë të gjatë tek shtëpia e Mehmet Shehut, pjesën e sipërme të kasafortës, e përdorte Mehmet Shehu, ndërsa pjesën e poshtme, e përdorte Fiqret Shehu.
Kur Mehmet Shehu e familja e tij, shkuan përkohësisht në vilën nr. 6, se do të rikonstruktohej shtëpia e tij, Mehmet Shehu e la kasafortën italiane në shtëpinë e vjetër dhe mori nga Kryeministria një dollap të madh hekuri, me dy pjesë, me çelës sekret, që e vari në katin e dytë të vilës nr. 6-të.
Gjithashtu më kujtohet se në vitin 1976, për dy javë rresht, Mehmet Shehu punoi në vilën e Partisë, në kodër të Durrësit, për Planin Operativ Strategjik të Mbrojtjes. Materialet që përgatiste Mehmet Shehu, i shkruaja unë në makinë, duke m’i diktuar vetë Mehmet Shehu.
Pastaj këto materiale, i përpunonin përsëri në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore. Në Durrës gjatë kësaj kohe, vinin shpesh, Veli Llakaj, Nazar Berberi, Llambi Gegprifti, Maliq Sadushi, Bejto Isufi, etj. Punonin me hartat Hysen Qëndro, por Mehmet Shehu e kishte edhe si sekretar në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, Skënder Guma dhe një tjetër.
Në këtë kohë, këtu në vilën e Durrësit, Mehmet Shehut i sollën një kasafortë të madhe të rëndë, që e lëvizën nga vendi natën kur do të flinin dhe e ruanin me ushtar. Gjithashtu sollën edhe 3-4 kasaforta valixhe të vogla, me dimensione 35 cm. x 25 cm. x 8 cm., në ngjyrë gri, me dorezë sipër, e çelës automatik, që i mbante vetë Mehmet Shehu.
Se nga erdhën këto kasaforta, s’e di, por ato ndërmjet meje kanë kaluar. Një nga këto kasaforta valixhe të vogla, Mehmet Shehu e mbante gjithmonë me vete, në shtëpi, kur ikte me shërbim dhe me pushime, por në zyrën e tij, nuk e ka marrë asnjëherë. Mehmet Shehu e mbante vetë në dorë këtë kasafortë dhe s’ja linte në dorë as njeriu, përveç kohës kur oficerët e fusnin atë në makinë! Ç’u bë kjo kasafortë dhe ç’kishte brenda, s’e di.
Për herë të fundit, këtë valixhe të vogël metalike, e kam parë në gusht 1981, që e kishte me vete në Durrës, Mehmet Shehu, ku ishte me pushime. Për sa i përket sendeve të Mehmet Shehut, që janë transportuar nga shtëpia e Mehmet Shehut, tek vila nr. 6-të, …………..(një rresht i pa lexueshëm, shënimi ynë)
Në kohën që janë transportuar materialet shkresore nga shtëpia e vjetër e Mehmet Shehut, tek vila nr. 6, kam marrë pjesë edhe unë. Një pjesë të librave të tij, i çuam në Shtëpinë e Partisë nr. 1, të tjerat në vilën nr. 6. Unë nuk e di kur Mehmet Shehu ka marrë gjërat që kishte në kasafortën e tij në shtëpinë e vjetër, por ato duhet t’i ketë marrë vetë.
Unë mora librat e tij, fjalimet të shtypura dhe të lidhura, që i kishte në tavolinën e zyrës së tij të vjetër, së bashku me Jonuz Luton, Vasil Lekën, më duket ka qenë edhe Ali Çeno, e në prezencë të Mehmet Shehut, i vumë ato në dollapin e hekurt që mori nga Kryeministria dhe pasi Mehmet Shehu e kyçi, ne ikëm.
Më kujtohet gjithashtu, se kur Mehmet Shehu së bashku me Fiqret Shehun, ishin në Malin e Dajtit për pushime, Jonuz Luto e njoftoi Mehmet Shehun, se donin të lyenim dollapin e hekurt dhe kasafortën. Mehmet Shehu i tha që t’i lyenin kur të vinte vetë dhe pasi u kthye nga Dajti, u fut në dhomën ku kishte kasafortën në vilën nr. 6, ku ne na la në korridor, mori diçka nga një çantë e madhe dhe pastaj na tha neve, që librat e lidhura dhe fjalimet e tij, t’i hiqnim që andej, e t’i vendosnim në një anë, e të lyhej kasaforta.
Pasi Mehmet Shehu iku, kasafortën e lyejy Sala, por jo anët e brendshme. Mehmet Shehu iku më duket me gjithë çantën, përsëri në Malin e Dajtit. Kur boja e kasafortave ishte tharë, Mehmet Shehu në tha që të vinim ne librat, materialet shkresore dhe fjalimet e tij, në dollapin e hekurt të mësipërm, e pasta ai vuri gjërat që kishte me vete në çantë, që ne s’i pamë, se u larguam.
Mehmet Shehut i vinin mjaft libra dhe revista nga e gjithë bota, bile dhe pa i porositur, dhe përveç kësaj, ai porosiste shumë libra me fondet e shtetit për vete, Fiqretin, Vladimir Shehun, Bashkimin dhe të gjitha këto, si revistat ashtu dhe librat, i çonte në shtëpinë e tij. Më ka bërë përshtypje se librat dhe revistat, vinin në emrin tim, ose nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme, në Komitetin e Marrëdhënieve me Botën e Jashtme.
Por për dy revista, një revistë e ilustruar ushtarake, mbi forcat e armët në botë, që ishte në anglisht, dhe revista “Ëord Report”, po në anglisht, vinte në emër direkt të Mehmet Shehut. Bile revista e fundit “Ëord Report”, vinte që nga viti 1953, deri në 1966, pa u abonuar fare në të.
Nga këto revista ushtarake të ilustruara mbi llojet e armëve, etj., unë vetë nuk i kam çuar dhe nuk di që ndonjëherë Mehmet Shehu, t’i ketë dhënë nga ato Kadri Hazbiut. Pas vetëvrasjes së poli-agjentit Mehmet Shehu, më ishte kujtuar se në arkivin e Kryeministrisë, kishte projekt-fjalimin që ai mendonte se do ta mbajë në mbledhjen e 81 partive në Moskë, në vitin 1960.
Këtë fjalim, armiku Mehmet Shehu, e ka bërë gjatë udhëtimit në vaporin trans-oqeanik “Kuin Elisabet”, në 1060, për në OKB. Kjo gjë shënohet edhe me dorën e Mehmet Shehut, në këtë material. Këtë material, kur u kthye në Shqipëri, e përpunoi Agim Popa dhe pastaj e shtypa unë, sepse Mehmet Shehu më tha që ta mbajmë në arkiv, si dokument historik. Se sa përputhej me vijën e Partisë ky material, unë nuk di t’a shpjegoj.
Për sa thashë më lart, e lexova dhe thëniet e mija janë të vërteta, e firmos. Memorie.al
Dëshmitari Hetuesit
Peço Kalluçi Bashkim Caka Sokol Koleka
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al