Dëshmia e ish-të burgosurit të Spaçit: Pas ‘keqkuptimit’ të policit injorant, në vend të më çonin në qeli me miqtë, më strehuan në birucë me minjtë! Kurse sadisti Preng Rrapi më…

Sep 7, 2024 | 8:08
SHPËRNDAJE

Tash në pleqëri, ndjej detyrim të rrëfej të vërtetën time, ashtu siç e jetova. Të flas për burrat modestë, që s’u mburrën ndonjëherë me bëmat e tyre dhe për të tjerët që regjimi u mbylli gojën e, i groposi në skërkat pa emra. Në asnjë rast s’marr përsipër, të uzurpoj monopolin e së vërtetës apo, të pretendoj dafinat për një ngjarje, ku qeshë i pranishëm rastësor, ndonëse u rreka me shpirt të ndihja sadopak miqtë e mi, që më shmangën me takt dhe me dashamirësi: “Byrazer, hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj e pak të kanë mbetur”! Merak që m’u qep si hajmali, nga mëngjesi i datës 21, 22 dhe 23, maj 1974, madje më ndoqi edhe muajt në vijim, gjersa më liruan. Sidoqoftë, gjithë ç’ pashë dhe dëgjova ato tri ditë, s’do doja t’i merrja në varr.           

Burgu-i-Spacit1 

Ajo grykë s’frynte si kudo. Bërrylat e kthenin rrjedhën në tramundanë. Era shfrynte furishëm nga vrima e shqyer në orbitë, si nga një lëfyt gjigant. Në lartësinë mbi treqind metër, bora kthehej në akullnajë. Gjatë stinës së shirave mbi qiellin e burgosur mblidheshin retë e dynja dhe derdhnin sasi të papara uji, rrufetë oshtinin, vetëtimat gjëmonin e të nxirrnin mendtë e kresë, teksa rrëketë nga shpatet e pjerrët rrokulliseshin në theqafje, rrëmbenin gurë e dhera të murrme dhe i plasnin në shtratin e përroit si kolektor, me rrapëllimë.

Pranverë pothuaj s’kishte. Sikur mos të ishin ato pak shkurre që gjelbëronin me zor nga fundi i prillit, s’do binte në sy fare. Behari bënte bunacë. Zagushia të merrte frymën. Rrezet që plaseshin në shtufin refraktar e kthenin atë në kaminë. Kur në agim shihje fletët e harlisura, mbuluar me bulëza vese dhe në mbrëmje vareshin si vesh langoi, ta thoshte mendja se të nesërmen do përzhitej mali. Stinët zëvendësonin befas njëra tjetrën, sot ngrysje nën diell, nesër gdhiheshe mbi akull. Ky ndryshim kishte shpërbërë koren e tokës dhe formacionin shtufo-rënor, gjer në shkërmoqje, gjë që ndikonte në shtimin e katastrofave minerare.

Po kaq negativisht influenconte edhe mbi shëndetin patologjik e psikik të banorëve. Pas vitit të parë, arrita të kuptoj pse mirditorët ishin tipa nervozë dhe shkurret mbeteshin gëmusha, madje edhe ato pak që e kalonin atë stad, ua ngjisnin skeleteve në miniaturë. Dukuritë ndikonin karakterin kolerik dhe ndryshimet e befta të humorit të policëve, si dhe atyre pak të lirëve që njoha.

Mirdita vishet me gjithë-llojshmëri pyjesh, që i kanë shfrytëzuar ka moti për furnizimin me lëndë dhe dru zjarri edhe për qytetet e tjera. Por jo Spaçi, shpatet e të cilit kuqonin si qepë lakuriqe. Ajo pak bimësi që bënte majë tek-tuk, ishte e ulët dhe distrofike.

Ca gëmusha shqope dhe do bimë të veçuara e të shpërndara, një këtu e një më tej, mbi sipërfaqen shkretane të faqes së rrethuar, të yshtnin bindjen se terreni mund të ishte i pasur në zemër, po i përkorë sipër. Në faqen përkarshi, bimësia ish paksa më e dendur, po gjithaq e ulët. Edhe ndonjë lis apo bredh eshtak, ngjante i ngulur mbi boshllëk dhe shtrembaluq, si gjymtyrë kafshësh prehistorike.

Kësisoj dukeshin edhe banorët që venin e vinin në monopatin rrëzë rrethimit, të thatë e të dobët, por dinamikë. Policët apo të lirët, brigadierë, zjarrmëtarë apo personeli inxhinier-teknik, ishin përgjithësisht bujtës nga fshatrat e largët apo qytetet e tjerë, veç dy vendas, njoha për tre vjet. Miqtë mirditorë rrëfenin se fshati përbënte një komunitet të padëshiruar, që s’i plotësonin kriteret, për të punuar me të dënuarit.

Përrallëz mirditore

Në punë apo në fjetore, debatonim shpesh për toponiminë Spaç. Secili e shpjegonte sipas gjendjes emocionale dhe tekave. Po gjithkush mbronte me kokëfortësi mushke, variantin e vet.

“S-paç, or mik! – ngulte këmbë njëri që e konsideronte mbretërinë e Hadit. S-pak-ësh! – kokëforti që e këqyrte rrethin e dhjetë të ferrit.

– “S-plaç”! – kush hiqej i informuar dhe e quante pragun e djallit.

“Mos-u-Spa-kësh”! – kokëkrisuri që galeritë i kundronte gojë kuçedre.

Por, një i moshuar nga zona, më tregoi legjendën që, siç ngulte këmbë ai, zbriste nga thellësia e shekujve: “Në kohët e lashta, Perëndia dërgoi për me njoh vendin, m’e piketue dhe me ngul kah nji kishë gjithkund ku shihte rob, të besuemin e vet. I ra pash më pash Mirditës, i dërguemi i Zotit dhe nguli kah nji kunj kudo ku pa gjallesa, madje nguli ene ku s’pa kamb robi, po i zuni syni sopa, për me ba sehir.

Kaloi këtu pari e pa veç male e male, proshka dhe rrkaja, gremina dhe humnera pa pikë drite dhe drunë pa gjelbërim. Do shpi qi strukeshin pas sopave, i mori për stane dhe bani tutje. Gjithkund Mirditës, ndërtuen kah nji kishë, njitu shkreti. T’u trandën malet e, t’u shkapet dhei, nisi me kja ene shkami, me lot dhimbet. Qysh at’heri, njitu rrjedh gjak. Jo bash gjak, po ujë i kuq, që dhimbat vaja, e kanë kthye n’mineral.

U çuen robt’e ktij vendi e, t’u ankuen te i Madhi. Aj thirri emisarin, me i kërku hesap për punën e pakryeme. “M’fal i Ndrituni jem, kur i kam ra rokull krejt Mirditës, q’atje s’kam pa kurrnji kamb robi, veç hone, shpella, gropa, humbella, rrëshqana, rrkaja; as dill dhe as hanës’ bijshe mbi kët bedat! “S’PAÇ” gjasendi! – u mbrojt fajtori. – S’di ç’ke me ba, veç du me e ndreq kët punë! – e urdhnoi i Madhnumi. – Po qe besa, tash po e shndërroj në burg për titanët!”

E tha, u ba! Q’ashtu prej kaheri, a thirr “S’PAÇ”, e njitash vonë kanë ndry ‘TITANËT’”. – përfundoi plaku. Ato rrëzoma ndillnin trishtim. Mbase në këtë përfundim, ndikohem emocionalisht, ngaqë më ndrynë dhunshëm në burgun e “TITANËVE”, më rrethuan me trefish gjerdhe gjembaçë dhe më qarkuan me ushtarë të armatosur gjer në dhëmbë. Ndoshta peizazhi më sipër, do t’i prishte humorin mirditorëve autentikë, por unë u largova me këto mbresa. Bash këtë panorama, gjeta shtatorin e 1970-ës, që do ta lija pas tre vitesh ngujimi, po aq të shkallmuar, nga ingranazhet e dhunës.

I vetmi ndryshim që ndikonte në përditshmërinë e shtatëqind burrave të kllaposur në humbëtirë, si dhe disa qindra që e kishin lidhur ekzistencën me ne, efektivët e shërbimit aktiv e, të detyruar, punonjësit që i faleshin kafshatës apo, fshatarët e zonës, ishte rrotullimi rreth diellit apo hiç, hiç edhe hiç…!

Grisja e fletëve të kalendarit, ndryshonte ambientin; dimrit ngrica dhe furtunë, verës vapë dhe bunacë. Me ndërrimin e stinëve, gjallonte paksa flora dhe fauna, por muajt fugonin dhe jeta shuhej. Për shkaqe mekanike, ndryshonte relievi, ndërsa me rrokullimën e viteve, historia vijonte me agresivitet ulje-ngritjet e dallgëve të luftës klasore.

Në qerthullin me tela gjembaçë, jeta pllaquritej, mjerimi shtohej, dhe bashkë me të, edhe numri i qyqarëve që sillte auto-burgu çdo javë e çdo muaj. Përjashto ndonjë “hileqar”, që vetë-mbetej nën gurët e malit, me synime subversive, apo ndonjëri që iu vërtitej telave dhe përfundonte nën kosën e breshërive të sharrësit dhe pakësonte numrin e skllevërve me kast. Gjithsesi, Sigurimi i Shtetit në varësi të rrethanave politike, realizonte dhe tejkalonte “pllanin” e arrestimeve, duke shumuar sërishmi tufën.

Po askush s’duhej të shihte. S’lejohej të tatoje pulsin e ferrit apo, të depërtoje në mbretërinë e Hadit, të kaptoje pragun e rezidencës së djallit dhe të shtërzeje nga gryka e kuçedrës! Askujt s’duhej t’i shkonte mendja, te e nesërmja, sepse në varrin e të gjallëve, mungonte e nesërmja dhe shpresa për ndryshim!

Monotonia e varrit kafshonte, helmonte dhe asfiksonte të ndryrë dhe rojtarë, me tempin e krerëve të bollës, që sfidojnë shoqa-shoqen, njëra na gëlltiste në kampin e brendshëm, tjetra na thëthinte në galeri.

… dhe gjithkush që kalonte aty pari, duhej të kthente kryet mënjanë, të kyçte gojën, të dylloste veshët, të mbyllte sytë dhe të përsëriste refrenin: “S-P-A-Ç! S’PAÇ! S’PASHË”! edhe sikur rastësisht të kish parë…!

                                                 Punëtor nëntoke

                                       (Vagonist në brigadën e parë)

Për dreq, tersi s’mu nda në çdo derë burgu! Në birucat e Shkodrës, hëngra një dru pse thashë të vërtetën. Po atje më bënë një katarsis të pamerituar, më sakatuan një sy dhe një vesh sepse shpresoja te e drejta.

Sa shtyra këmbët në Reps, më valoi kopaçja. Mbas një intoksikimi dhe shtrimit në infermierinë e burgut, do më caktonin në brigadën e gjytyrymëve, por “fillimi i mbarë gjysma e punës”, mbeti utopi, pas dy muajsh përfundova në qeli, pse mbrojta dinjitetin dhe, më pas, në brigadën homogjene.

Në Burrel, pas “keqkuptimit” idiot, të policit injorant, në vend të më sistemonin në qeli me miqtë, më strehuan në birucë me minjtë! Në Spaç, sadisti Preng Rrapi, shfreu mllefin social pa më zënë këmbët dhe më rropi zhapën e kurrizit. “Tash, Zoti e di si do më vejë filli?”

Tersllëqet s’m’u ndanë dhe nami mori dhenë. Gojë më gojë dhe vesh më vesh, shkuan te miku im Riza Kamenica, që për gallatë, do më krahasonte me tersin e Pojanit. Një ndër ditët e rralla të pushimit, ishim mbledhur në kuzhinën private, kush gatuante, kush piqte ndonjë kafe, kush ngrohte ujë, për të larë teshat, apo për banjë.

Në kulmin e muhabetit ja behu Zakja, vuri tiganin mbi vatrën ku po gatuaja unë me Fevri Çerrin nga Progri dhe thumboi: “Ama burrë për muhabet paske gjetur, o Fevro xhani”! – “Ç’të keqe ka ky, bre Zake”? – ai ktheu Fevriu. – “Është ters Pojani, mo t’u mbylltë e mendjes”! – dhe nisi kakarisjet. – “Zake, çunin e kemi të hairit dhe…”! – diç donte të shtonte tjetër Fevriu. Por Zakja e ndërpreu duke gajasur:

“Pse mo, të thashë se është i keq”? – “Jo, po është cazë si ters Pojani, e nis djalë dhe i del keçe”! – m’u kthye. – “Djalkë, kam ngrënë bukë në shtëpinë tënde dhe jam ndarë mik, për Zonë! Vallahi, tët atë e ke burrë me hokë, edhe tët ëmë e ke zonjë, po tinë nga ke ngjarë bre? Të ndjek si zog kurbati, sa s’po i dal në kut as unë, që ma nep cazë për këto yçkëla”!

Aty nga pesëdhjetë e shtata, Zakja me një grup sharrëxhinj, çanë lëndën për shtëpinë e tretë, pas dy të parave, që na i dogjën dhe sekuestruan komunistët.

Atëkohë isha i mitur, por hokatarin Zake e fiksova. Kur e ndesha pas trembëdhjetë vjetësh në Spaç, e njoha menjëherë, ndonëse koha kish bërë të vetën. Zakja i hershëm, ish shndërruar tashmë në politikan, por karakteri dhe temperamenti, kish mbetur i njëjtë, fol e qesh dhe qesh e botë, behar e shkuar beharit. Kur i dhashë të njohur, më paraqiti në rrethin e tij dhe u krekos për miqësinë e lashtë, me fisin tim:

“Për atë Allah në ju gënjefsha, vamë për një palë qereste dhe sharruam tërë nahijen, e shtymë një vit me bereqet”! Kisha dëgjuar një mori barsoletash për tersin e Pojanit, variant aventurieri i Nastradinit, të anëve tona, por kur dëgjoja qyfyret e Zakes, më këndej dhe e cytja për shaka. – “Zake, pse më quaje ters dhe më krahasoje me të Pojanit”? – e nguca një ditë. Kaq desh ai, t’i lëshonte frerët fantazisë:

“Ters je bre, sa lindi vërsa jote, plasi zija e bukës! Të pllakosi një i ftohtë i paparë, nja ato dy vjet, sa bora vajti dy metra, u thanë pemë e të mbjella, na ngordhën bagëtia dhe na mbenë lëkurët ndë trarë. Pa në beharë të zaptuan qiellnë një re karkalecash, dhe atë çiçkë që i shpëtoi dimrit e përpinë ata. Ndërsa komunizmi na u ul këmbëkryq me sekretarka partiçke e riniçke dhe ç’lanë karkalecat, e gëlltitën këta, e t’u bënë njerëzia tezgene, sa mos o zot, të na e shohnë sytë”!

“Ç’lidhje kanë këto me mua, i nderuar Riza Kamenica? S’ua solla unë zinë e bukës, as karkalecat, as sekretarë dhe instruktorë, sepse isha foshnje dhe ende s’kisha nxënë të flisja. Përgjegjës jeni ju burrat me mustaqe, vesh më vesh”! – ia preva vrullin dhe i drejtova gishtin.

“Ç’mi bëre hakun viranit, këtë donte ky jezit”! – më doli krah Sami Dangëllia dhe iu kthye: – “Riza, djali ka të drejtë, kur i duhej vënë pushka komunizmit, ti me shokë, argaliseshit me Nevzatkën dhe na qenkësh fajtor ky, që s’kishte lindur atë kohë”?

– “Sami xhani, brezi e këtyre lindën si macka e zezë, bre! Ke parë tine, kur të del një mackë skrromë, o ndërro udhë dhe kthehu pas, o të gjeti hataja! Po ne s’ua vumë veshnë e, bëmë yxhym pas berihasë dhe na dolli kështuzë, siç e sheh”! – u mbrojt Zakja dhe m’u ngrefos me gisht:

“Je ters Pojani! Ja bre shokë, niset për mirë, t’i del ligsht dhe hun, thotë të drejtën dhe t’i del keq, gjene hun, pa rreket t’i ruhet pocaqisë, hun prapë! Edhe kur mbron të tjerët, hun! Hun andejza dhe hun këtejza, hun mënjanë e, hun më kët’anë, e nisi me hu, e grisi me hu! Duhet më shumë për të qenë ters”?

– “Mirë o Riza bej, e zëmë se mua më paskësh ndjekur dajaku, po ju të tjerët, aq paq ja paskeni hedhur”? – aludoja për drunë që kish ngrënë nga miku i rinisë, Nevzat Haznedari.

– “S’thashë atë, bre! Po ti ke mallkime, si tersi i Pojanit, që kur fshati priste diell, ai shihte shiun, kur dynjaja merrte thasët për bereqenë, ai ndillte zjarrin, kur mëhalla kapte defnë e ngrinte ahengun, ai vinte kujën, etj.! Edhe neve na zhdëpën në hetuesi, sa na thyen kërbishtet, ama këtejza…” – kaloi shputën prej druvari, si të priste buzët e karroqes.

– “Pa na rrëfen pakëz atë hun që hëngre zotërote”! – e nguca sërish.

– “Çdo dëgjoç mo, pse hynere për të rrëfyer janë ato”?!

– “Që s’janë të këndshme e di, ama më akuzove për ters…”! – e ktheva me shpoti.

– “Ore, vërtetë do t’i dëgjoç”?! – dhe shtoi pa u ngopur me frymë:

– “Epo mirë, dëgjoje meqë dashke ta mbushësh kokën me dhunë, se me libra e ke dëng”! – u zgërlaq dhe iu murrëtehej fytyra, sa askush s’e kish parë me atë vel serioziteti, që iu ndeh atë çast.

– “A na keni parë, si e nxirmim kafshatën e kalamajve ne”? – ia nisi Zakja me pyetje retorike.

– “Ngri sharra e sëpata, mbush torbën me bukë e gjizë, hidh ca rrecka sup dhe endu si kurbatkat, fshat më fshat e pyll më pyll. Diku çanim Qereste, më tej prinim lëndë dhe siguronim atë çiçkë zahire për evlatët, ce andejza nga anët tona, bën dimër or tungjatjeta, i vure harxhet në behar, i vure, të zuri bryma dhe dëbora, i lave duart nga kjo jallane!

Ne jemi pa shkollë, ama gjene mirë se nxumë nga një zanat, kur të tjerët mbenë me naxhake në sup, pas bishtit gomarit, ngarko dru e zbrit në qytet, sot i shet nesër s’i shet, se janë varfëruar mileti dhe në fund të ditës, s’nxjerr as bukën! Kështu e shtynim, ce në fshat s’e siguronim dot kotheren”! – heshti, tymoi si të kish dalë nga pellgu, mbas një zhytjeje të gjatë. “Po qeveria na shihte shtrembër, ‘jeni fshat armik’ na theshin, ce të parët kishin mbajtur anën e ‘Ballit’ dhe t’u kujtuan e na sajdisën, na futën spiunë.

Druvarët po druvarë, një ditë këtu, një javë më tej, e kalonim natën ku na zinte, në ndonjë shtëpi po të gjenim, në stane po të ish ndonjë afër, po më të shumtën ndën tenda në pyje. Mbi pemë këndonin bilbilat, poshtë ja merrnim ne, njëri hidh dhe tjetri prit, e nisnim në Korçë, dilnim në Selanik.

Ama, do tine, që kjo buçja ime, s’rri dot nën zinxhirë, sepse është mësuar të lehë e të çaprashitëm ugar më ugar. Seç më shpëtoi një pordhë përgjumësh, që hafija ua çoi ustallarëve, pa i dalë era. T’u ngrinë e të më vunë byzylykët dhe dreq e në hotelin më të bukur të Korçës.

Atje u zuç gafil, ce s’dija ç’kishin katranosur, po e ndaçë mendjen, do heshtja. Kështu or mik, thashë mos e hidhja lumnë. Një javë hapsanë: ‘Ke sharë Envernë, ke tradhtuar Partinë, ke thënë këtëzë me filanë, ke llapur atëzë, me fistanë’ dhe bam huri. Unë jo, e gjene huri! U bëç tezgene, kurrizi m’u bë si zhguall breshke.

Një ditëz ndesha në mikun e vjetër, Nevzat Haznedarin. ‘Shyqyr, nashtithi që poqa këtëzë ja hodha’, (kishim ngrënë një furrë bukë e, kishim pirë dyzet stoma) dhe fët, i thirra ndë emër. S’besoja të më njihte, si isha katandisur unë, por ai m’u çua: ‘Po ku je bre Zake, po ç’të gjeti bre Zake, po kush të ka marrë tynë bre Zake’?! Memorie.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura