Dëshmia e rrallë e ish-të dënuarit të Spaçit: Ndër burgjet shqiptare, aplikohej një model i importuar, si fillim nga Rusia, më vonë nga Kina dhe Kuba komuniste, i cili konsistonte…

Sep 10, 2024 | 7:42
SHPËRNDAJE

CaptureSPAÇI

Varri i të gjallëve 

Tiranë, 2018

(Kujtime të miat dhe të të tjerëve)

Tash në pleqëri, ndjej detyrim të rrëfej të vërtetën time, ashtu siç e jetova. Të flas për burrat modestë, që s’u mburrën ndonjëherë me bëmat e tyre dhe për të tjerët që regjimi u mbylli gojën e, i groposi në skërkat pa emra. Në asnjë rast s’marr përsipër, të uzurpoj monopolin e së vërtetës apo, të pretendoj dafinat për një ngjarje, ku qeshë i pranishëm rastësor, ndonëse u rreka me shpirt të ndihja sadopak miqtë e mi, që më shmangën me takt dhe me dashamirësi: “Byrazer, hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj e pak të kanë mbetur”! Merak që m’u qep si hajmali, nga mëngjesi i datës 21, 22 dhe 23, maj 1974, madje më ndoqi edhe muajt në vijim, gjersa më liruan. Sidoqoftë, gjithë ç’ pashë dhe dëgjova ato tri ditë, s’do doja t’i merrja në varr.

E kuptova, e donte për sinjal. “Edhe e keqja vlen ndonjëherë!”

“Vlen vërtetë”! – pohoi Jemini.

“Si the”?

“Zjarri i duhanit është sinjal i mirë”! – përsëriti.

“Edhe e keqja vlen ndonjëherë”, përsërita dhe shtrëngova dhëmbët mos të shprehesha me zë. Sakaq m’u kujtuan plakat e lagjes, që më këshillonin kur më shihnin me libër në dorë:

“Mbaj mendjen biro, kokërr gruri është e shkreta dhe ikën fiu, e s’kthehet më”! Shpuza ndriti si sy bishe.

Si nga fundi i pusit, u ndje një trok dhe feksën dy xixa.

“Xixëllima në terr”, m’u shkrep t’i vija një diçiturë poetike, çastit të trishtë. Sakaq xixëllimat, morën përmasat e dritave, teksa ne tundnim cigaret në hava.

“Dil jashtë shinave, o teleshman”! – kolegu më shtyu pas armaturës, ndërsa vagoni u plas mbi pritë.

“Të plasur i ke”? – m’u hakërrye një hije prej territ.

“I kenka mërzit jeta, or mik”! – tjetri.

“Jemi në hall, na doli vagoni nga pjatina dhe s’po gjejmë kandilat”, shpjegoi kolegu.

“Jemin, ti? Po ky derdimen ç’pati që na preu rrugën”?!

“Shyqyr që funksionuan frenat, se ike për lesh, or mik”! – dhe tundi një hu të gjatë.

“E ka sefte, është i ri”! – më justifikoi kolegu.

“Ah-ah, hap sytë he burrë, se ke me lan ashtat nji’tu”!

Iu futëm poshtë vagonit që dergjej në hendek, po s’e luajtëm dot.

“Ta shkarkojmë, sepse ku ka ngecur ky, s’e nxjerrim dot gjithë ditën”!

Hodhëm gurët mbi traversa dhe e ngritëm peshë, e vumë mbi shina, e ngarkuam sërish dhe u nisëm pas njëri-tjetrit. Tashmë traseja lartësohej, rrotat mezi bënin para, sa u detyruam t’i vinim shpatullat.

Dikur dolëm në diell, pas ndo nja njëqind metër, ndalëm buzë një grazhdi dërrasash, veshur me llamarina të zeza, që dëgjova t’i thoshin; “trimozha e planit të pjerrët”.

Emërtime të çuditshëm, si në gulagët siberianë: “baramina”, “pjatina”, “orti”, “trimozha”!

“Na shpëto, o Zot”! – u shpreha pa dashje.

“Lëri lutjet dhe hiq siguresën”! – më solli në vete kolegu.

Lirova një kllapë përfund kazanit, që u rrotullua në krah dhe gurët morën rrokullimën, duke u shukur mbi llamarinat e trimozhës, ku ngarkonin makinat me materialin që nxirrnim ne.

I rrëmbeva malit vagonin e parë, që në rrjedhën e viteve do pasohej nga mijëra të tjerë, me bakër e pirit…! Qysh nga ai çast, do isha kontribuues i çdoditshëm, në ndërtimin e socializmit.

Kësisoj, do jetësoja parullën e Partisë; “Një gram mineral, një plumb për armikun”, që xhelatët e Spaçit, e zbatuan qind për qind.

Cupili dhe bishti i gomarit

“Shpejt byrazer, na presin edhe gjashtë vagonë, përkundër do flemë në biruca”! – më shkundi ëndrrat Jemini dhe bëri për te stiva ku zgjodhi ca trupa, i ngarkuam dhe u kthyem në vrimën nga dolëm.

Tashmë duhej të rendnim të kapnim kohën e humbur, sepse deri atë orë duhej të kishim nxjerrë tre vagonë.

Në front, Arshini po eglendisej me sqepar, duke gdhendur do copëza druri, sa pëllëmba.

“Shtyn kohën”! mendova, por më pas mësova se me këto “kleçka”, tiksoheshin shtyllat e armaturës.

Me “kleçkat” apo “cupilat”, lidheshin shtyllat, duke i futur në ca kllapa të përgatitura enkas, krye trungut, ku vertikalja bashkohej me horizontalen, që dëgjova t’i thoshin “kapela”.

Prapë emra çudi, si: “Cupila”! “Cingla”! “Kut”! “Kut, e cingla”! “Kapela”! Kapelat dhe kokat tona! Bash mbi kokë, do na derdhej mali dhe ne duhej ta mbanim të tërin! Djall o punë, ç’koka hekuri duhej të kishim, për të mbajtur malin-kapelë”!?

Pra, cupilat i fiksonin në bigëzimin horizontal dhe i ngjishnin me mykën e sëpatës. Pasi u vinin sipër kapelën, shtrinin një sërë trungjesh apo gjysma, sipas vendit dhe i përforconin pas shkëmbit me bujashka, që të krijohej një masë solide.

Policët dhe brigadierët, cupilat verifikonin të parët, kur shkelnin në front. Nëse s’i forcoje sa duhej, të rikthenin nga e para dhe kur s’ua varje, kishe pasoja, gjer në një muaj izolim.

Miku im, Tomor Allajbeu, do ndëshkohej rëndomë për cupilat, bile teoria origjinale: “Cupili i përngjet bishtit të gomarit, sa i domosdoshëm për të trembur mizat, aq i panevojshëm, për të fshehur bajgat”, ishte bërë popullore në Spaç.

Një ditë Preng Rrapi, me brigadier Nduen dhe të dënuarin, Rrokun, kontrolluan ballin e frontit, ku punonte Tomori. Kur konstatuan cupilat që luanin në fole, e urdhëruan:

“Duhet m’u kthye nga e para”!

“Përse u dashka t’u kthehem”? – ua ktheu miku im.

“Sepse luajnë, eh burrë”! – polici tundi copëzën e drurit.

“E ç’farë se luajnë”?! – iu kthye Tomori.

“Fill mbas plasjes, kanë m’u shkapet përtokë”! – ndërhyri brigadier i lirë.

“Ktheu s’pari, në daç mos me u gdhi n’qeli, or tëj”! – polici tymosi trupat me flakën e kandilit. Tomori u nis, demek t’i riparonte, po i la sa iku eskorta.

Të nesërmen e kthyen te vendi punës dhe vajtën pikërisht te cupilat, që “damkosën” Tomorin: “Pse se ke shtrëngua cupilat, or tëj”? – iu shkrehën, kur panë se luanin mezi, si ditën e shkuar.

“Kush tha se s’i paskam shtrënguar”?!

“Pse mr m’than kush, kur i qyr vrt”! – ndonëse i tundi, s’mundi ti shkulte; – “Qyri si luajnë, bre”?

“I shoh”! – iu përgjigj Tomori i qetë.

“Ne nesri, ke m’i gjet n’tokë”! – iu trys polici.

“Kur s’ranë sot, pse do bien nesër”?

“Lujnë, he burrë”! – iu hakërrye Prenga.

“E pastaj”?!

“Kanë m’u shkalafit, qe besa”!

“Edhe bishti i gomarit, tundet dhe shkundet, po s’këputet! Ke gjetur ndonjë bisht udhëve zotërote”? – ia pati Tomori, po e pagoi këtë shaka, me një muaj birucë.

Nxorëm vagonin e dytë, të tretin, të katërtin, gjer te i fundit, që pothuaj, e komandova vetë.

Më dhembte shtati, sidomos pulpat. Po puna s’përfundonte me aq, trupat që përgatiti Arshini, teksa mbushnim dhe shtynim vagonët, duheshin ngritur dhe përforcuar, që të formonin një strehë të sigurt. Gërryem gropëza enkas rrëzë shkëmbit, i fundosëm shtyllat dhe i fiksuam kundruall njëra-tjetrës, në një lartësi, që kllapat të orientoheshin kur të vinim “kapelën” dhe të flinin, si të qenë derdhur në kallëp.

Zanatçinjtë i kombinonin vrimat e bigëzimit, sa s’kishin nevojë të përdornin forcë, cupili puthitej edhe me dorë. Kur mbaruam me trupat, nisëm mbushjen nga qendra e “kapelës”, duke u shmangur anash te cupili, mandej pas shtyllave.

Meqë gjysmë-trungjet zinin shesh dhe s’luanin, na voliste t’i çanin jashtë, që t’i kishim gati kur nevojiteshin, por ky proces kërkonte ustallëk, ndaj pa dashje, u bëmë edhe druvarë.

Teksa ngrinim armaturën, Arshini fiksoi martelin mbi aksin metalik e birat. Tashmë ajri i komprimuar, shfryu tymin duman. Maska më pengonte frymëmarrjen, sytë më përcëllonin, por puna duhej vënë para, sepse vinin zjarrmëtarët të mbushnin birat me dinamit, për plasjen e turnin pasardhës.

Kush s’e kapte ciklin, përfundonte i lidhur pas shtyllave, kurse përsëritësit i shtronin në “zdrukth”, në dhomën e operativit dhe mandej i dënonin; shtatë, gjer në një muaj, birucë. Në fund të turnit, u ndjeva i kapitur…!

Pak historik për pajimet dhe ushqimin, astronautë, nga halli!

Veshjet si praktikë tropikale dhe subtropikale. Në Spaç na veshën më trashë, për të na shfrytëzuar më gjatë. Ndër burgje, aplikohej një model i importuar, si fillim nga gulagët e Rusisë, më vonë nga Kina dhe Kuba komuniste, vende që mbështetnin politikën ekstreme marksiste-leniniste dhe eksportuan gjethen e bananes, tipike për klimën tropikale e subtropikale, që konsistonte në norma të reduktuara; posaçërisht në veshje të lehta dhe ushqim i përkorë.

Norma përfshinte dy kostume doku në vit, një peliçe ngjyrë kafe në tre vjet, mbushur me mbeturina pambuku (në Kinë thoshin se iu ngjishnin gëzhuta orizi, në Kubë, mbeturina kallam sheqeri), dy palë benevrekë dhe dy këmisha puplini të ashpër, që të gërryenin lëkurën si letër zumpareje, dy palë pece, prej së njëjtës cohë, një palë opinga llastiku, mbetje gomash të përdorura dhe mbyllej me një kapë të qepur me dorë, nga coha e peceve, që s’ishte e parashikuar në normë, por e kishin lejuar, në respekt të kapelës ala-Lenin, ala-Mao apo të sombreros ala-Fidel.

Me këto pupla, duhet të kishim vdekur, po robi iu përshtatet kushteve. I veshur kësisoj, iu përgjisnim kalorësisë mongole, që kujtohen si formacione të armatosur lehtë, po shumë të manovrueshëm dhe tepër efikas në sulmet e befta, si dhe mjaft të shkathët në tërheqje; edhe ne, të rrahur nga acari dimëror, ishim përherë në gjendje alarmi dhe makthi.

Në Spaç, veç normës së mësipërme, shtuan edhe një mbi-normë, ase e dobishme brenda galerive, por e pavolitshme jashtë vrimave.

Na pajisën me një kostum peliçe, natyrisht s’bëhej fjalë për gëzof të çmuar kafshësh, por pantallona dhe xhup doku, mbushur me pambuk dhe rrahur me tegela paralel. Siç e përmenda më lart, për mbushje përdornin mbeturinat e punishtes së zhveshjes së pambukut në Rrogozhinë apo Fier, shpesh me fara, sa joshnin minjtë, të bënin tunele brenda rropullive. Kush e ruante në thasë këtë palo veshje, i kish qëlluar të gjente koloni miushësh.

Kur e dëgjova së pari e mora hiperbolë; por duke lenë mënjanë sarkazmën, po i referohem rastit tim: një muaj të tërë pantallonat e këtij palo kostumi, ma bënë pulpën gjak. Fillimisht e mora për ndonjë problem dermatologjik, si pasojë e ujit të piritit, apo kërpudha e bacile të minierës. Diçka e mprehtë më bezdisi aq shumë, sa një ditë vendos t’i çaja dhe, ç’gjeta do thoni ju? As më pak, as më shumë, një grusht rrodhe, që m’i bënë gishtat gjak.

Ndërsa në vend-grumbullimin e plehrave, në rrëpirën nën nevojtore, një verë më zuri syri një bimë pambuku me lule. Çudi, fara e kish ruajtur vitalitetin dhe kish mbirë bash nën mezhdë! Kjo e papritur e paimagjinuar, desh i hëngri kokën mikut tim, Hajdar Qerretit, që i hutuar pas bimës fletë-gjerë dhe lules së bardhë, kujtoi se gjendej në fshatin e vet, ku bima arrinte rendimente rekord. I qorrollisur nga mrekullia, u var teposhtë rrokullimës.

“Për ku kështu Hajdar”? – e shkunda dhe e tunda, që ta sillja në vete. Ai u step, po kur e tunda së dyti, u përmend.

“Ku jemi, xhanëm”? – u trand kokë e këmbë, myzeqari.

“Në Spaç, or mik”!

“Po pambuku ç’kërkon këtu”?!

“Do ta kenë sjellë për riedukim, ose në stazh partie”!

“I ngrënçin dreqërit, duan ta shpërndajnë farën e kuqe kudo”!

“Pambuku është i bardhë, o Hajdar”! – e ndërpreva me të qeshur.

“Të më falë, po e kanë futur ofsajd, s’është në atdheun e vet”! – dhe e kaploi melankolia.

Na jepnin edhe një xhaketë doku, me një cipëz zifti, që i thoshin mushama. Më pas shtuan edhe një palë pantallona, rritën disi cilësinë, po sërish coha, ishte dok i gomuar.

Uniforma kompletohej me dy palë dorashka dhe dy palë çorape leshi i pakrehur, prodhime të Kombinatit Tekstileve “Stalin”, si dhe dy palë çizme llastiku të N.I.SH., “Goma” Durrës dhe mbyllej me kapën e kartonit, një imitim sholle, pa pikë cilësie. Ky vandak petkash, i shndërroi thatanikët në bullafiqë, sa me zor hidhnin këmbët.

Të zhytur në karkasat e stërmëdha, të kujtonin kalorësit nomadë, me kalë dhe parzmore bronzi, me ushta të gjata e topuzë gjemb mëdhenj, me mburoja gjigante dhe shpata të rënda, sa iu lypeshin tre veta, për t’i hipur dhe zbritur nga kuajt, po në përleshje, iu gjeje pak, apo aspak, pika të pambrojtura.

Kësisoj, mjeranët e këtushëm të ngjallnin mëshirë. Niseshin pesëdhjetë kilësh në punë, te hyrja e minierës peshonin shtatëdhjetë dhe kur dilnin e kalonin qindin.

Në këtë tjetërsim, ndikonte ajri i ngarkuar me lagështi dhe me elementë të huaj, veçanërisht pluhuri silikat, plus acetilenin, që çlironte karbiti dhe gazrat e tritolit të padjegur, të squfurit dhe fosforit, që emetonte minerali i piritit dhe i bakrit; gjer te mikroorganizmat kërpudha-baktere, që zhvilloheshin nga shpërbërja e mbetjeve biologjike të lëndës drusore, shto lagështirën që kapte nivele rekord, sa shpesh tejkalonte nëntëdhjetë, madje edhe njëqind për qind të kapacitetit, sepse kish tavane që kullonin, po kishte të veçantë që rridhnin paprerë; kjo tërësi faktorësh, i shndërronte të sapo-dalët nga nëntoka, në dordolecë që kullonin ujë.

Duke synuar shfrytëzimin sa më gjatë të kapaciteteve fizike, shtuan normën e veshmbathjes, apo siç ironizonte doktor Astrit Delvina, kur na shihte veshur asisoj: “Na hodhën vellon, për në Had”!

Për të kapur kulmin e rendimentit dhe tejzgjatjen e afateve të kondicionit fizik, mekanizmave-skllevër, iu duhej shtuar pakëz “tagjia”.

Si zakon, në burgje zbatonin dietë spartane dhe norma të reduktuara. Nëse gjetkë kursenin në sasi dhe cilësi për të perfeksionuar linjat e armiqve potencialë të regjimit, në Spaç, ndryshonte kryekëput, armiqtë duheshin veshur dhe ushqyer më ndryshe, që të ishin më të shëndetshëm, për t’i kthyer në të dobishëm dhe kontribuues, në prosperimin e socializmit; paçka se më pas i linin të ngordhnin si qen të zgjebosur dhe i groposnin, si të tillë, në varret pa emër.

Me ç’kisha lexuar në Reps, e kam fjalën për normativën e rregullores e llogaritë në letër, porcioni ditor i një të dënuari, përmblidhej në njëzet e dy lekë të vjetër. Por…, ah-ah, realiteti ndryshonte kryekëput!

Le t’ju referohemi letrave. Shtoji shumës më sipër edhe ca shpenzime plus, si: trajtimin me veshmbathje, barnat për shërbim mjekësor, pagesat e policëve dhe ushqimi gratis, për ushtarët e shërbimit të detyruar, llogaria dyfishohej, po s’arrinte as çmimin e një plumbi, që kushtonte tetëdhjetë lekë të vjetër dhe i derdhnin pa hesap, për të terrorizuar apo vrarë ndonjërin.

Meqë s’kam shkëlqyer në shifra dhe mund të bije në gabime trashanike, po ja lë fjalën mikut tim, Ismet Boletinit, teksa po orvatem të jap recetën ditore, që mund t’iu shërbejë si hajmali dietologëve të sotëm, për ta përdorur te pacientët me dhjamëra të tepërt.

Heqja dorë vullnetarisht nga autorësia e studimit, më jep të drejtën të kaloj direkt në shifra: Dieta ditore për punëtorët përfshinte tre vakte dhe për mbetjen, dy. Pra “parazitët”, kategori ku gruponin të moshuarit, të sëmurët kronikë, të ndëshkuarit në qelitë e kampit, të izoluarit në paraburgime, etj., me një fjalë gjithë ata që s’punonin, për një shkak apo tjetër.

Meqë Partia që na garantoi ushqimin falas, quhej “e Punës”, po e nis me punëtorët që i donte veçan, paçka se shpesh i mbyste nga “dashnia”, bash si nëna e dhembshur, që shtrëngon fëmijën, gjersa…i merr frymën. Punëtorët gëzonin shtatëqind gramë bukë, ndonëse për muaj merrnin katërqind gramë dhe mbetjen, patate të ziera, por në këtë pike, autoritetet i referoheshin porosisë së vyer të “Mësuesit të Ndritur”, shokut Enver, që predikonte: “Patatja, është bukë dhe gjellë”! Memorie.alNga Shkëlqim ABAZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura