Këngëtarja Elvana Gjata dështoi sërish të dërgojë Shqipërinë në Eurovision. Artistja garoi në Fest 63 me këngën “Karnaval”, por nuk arriti të sigurojë vendin e parë, duke u renditur e dyta në garë.
Zhgënjimi i Elvana Gjatës ishte i dukshëm në momentin kur fituese e Festivalit të Këngës u shpall kënga “Zjerm” e “Shkodra Elektronike”.
“Ju dua, ju dua shumë. Faleminderit me gjithë zemër. Mos harroni që jeta është një karnaval dhe asnjë lot nuk është final. Ju dua shumë, mos u mërzisni të gjithë fansat e mi që kanë ardhur të më mbështesin, jeta më ka mësuar që 10 herë të bie, 11 herë do të ngrihem”, tha këngëtarja në mesazhin drejtuar fansave, para se të largohej nga skena.
Dhe këngëtarja, pas përfundimit të Festivalit të Këngës, ka fshirë të gjitha postimet në rrjetin e saj social zyrtar Instagram, lidhur me performancën e saj në Fest 63.
Pas fshirjes së imazheve dhe videove ka reaguar në një postim në InstaStory ku shkruan se: “Faleminderit për gjithë dashurinë, votat tuaja dhe mesazhet e panumërta që më dërguat gjatë FIK63. Unë jam shumë mirënjohës për të gjithë ata që më mbështetën gjatë gjithë rrugës për në finale dhe premtoj ta kthej atë dashuri dhjetëfish përmes muzikës sime.
I uroj gjithmonë më të mirën vendit tim dhe kujtdo që e përfaqëson atë në skenat ndërkombëtare. E njëjta gjë vlen edhe për Shkodra Elektronik-duke ju uruar një eksperiencë të mrekullueshme në Eurovision 2025!
Unë e mirëpres kritikën konstruktive pasi më ndihmon të bëj më mirë, por le ta mbajmë bisedën pa gjuhën e urrejtjes – ajo nuk ka vend në muzikë apo askund tjetër. Me dashuri Elvana”.
Kujtojmë që Elvana Gjata konkurroi edhe në Fest ‘58 ku sërish zuri vendin e dytë, ndërsa e para u rendit Arilena Ara.
Zhgënjimi në sytë e saj u shfaq që në momentin kur emrin i Elvanës u thirr si fituese e vendit të dytë. Këngëtarja menjëherë pas kësaj është larguar nga skena.
Ajo madje nuk i dha dorën fitueses së festivalit, Arilenës dhe nuk mori pjesë në emisionin post-festival.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al