Në SHBA, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi legjislacionin që mund t’i ndëshkojë disa mjekë me dënime penale nëse kryejnë aborte, si përpjekja e parë e republikanëve për të kufizuar të drejtat riprodhuese.
Projektligji, sipas NYT, kërkonte që foshnjat e lindura të gjalla pas abortit, të marrin të njëjtën mbrojtje sipas ligjit dhe shkallës së kujdesit si çdo foshnjë e porsalindur, duke ‘kërcënuar’ stafin mjekësor me deri në pesë vjet burg nëse nuk ndërmarrin një hap të tillë kur foshnja lind e gjallë gjatë abortit.
Ligji federal tashmë kërkon që një foshnjë që i mbijeton një tentative aborti të marrë kujdes mjekësor urgjent, ndërsa vlen të theksohet se lindjet e gjalla gjatë procedurave të abortit janë të rralla.
Por, legjislacioni mundtë krijojë dënime të reja për ofruesit mjekësorë të përfshirë në procedura të tilla, të cilat mund të zbatohen edhe për ata që trajtojnë gratë me komplikime të rënda të shtatzënisë së vonë, të cilat e gjejnë veten në situata të vështira në të cilat fëmijët e tyre nuk kanë asnjë shans për të mbijetuar.
Udhëheqësit republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve thanë se nuk planifikojnë të nxjerrin ndonjë legjislacion shtesë kundër abortit. Por, ata thanë se veprimi mbi projektligjin ishte një mundësi e rëndësishme për ta për të portretizuar demokratët si radikalë për të drejtat riprodhuese.
“Kjo është ekstreme,” tha në një intervistë Përfaqësuesja Lisa McClain nga Michigan, republikanja numër 4. “Ajo që do të bëjmë është të vazhdojmë të vëmë në dukje natyrën ekstreme të demokratëve. Kjo është me të vërtetë, ‘A beson në vrasjen e një fëmije, apo jo?’
Në foltore, Përfaqësuesja Sydney Kamlager-Dove, Demokrate e Kalifornisë, tha se “herë e fundit që kontrollova, vrasja e foshnjave është tashmë e paligjshme në të 50 shtetet”. Ajo e quajti projektligjin një “hap të parë të agjendës radikale të republikanëve”.
Dhe Përfaqësuesja Debbie Wasserman-Schultz, demokrate e Floridës, tha se projektligji ishte “një tjetër përpjekje për të kontrolluar trupin e një gruaje, për të ngërthyer qeverinë midis çifteve dhe mjekut të tyre kur përballen me vendime tepër të vështira”.
Shumica dërrmuese e aborteve në SHBA kryhen përpara se fetusi të jetë jashtë mitrës, më pak se 1.3% kryhen pas javës së 21-të të shtatzënisë, sipas Qendrave të SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).
Votimi 217 pro dhe 204 kundër, ishte pothuajse tërësisht sipas linjave partiake, me përjashtim të një demokrati kundër abortit, Përfaqësuesi Henry Cuellar i Teksasit, i cili votoi me republikanët në favor të projektligjit. Kjo ishte hera e dytë në dy vjet që Dhoma e Republikanëve miraton legjislacionin.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al