Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë ka lënë në fuqi masën e sigurisë arrest me burg për Denis Meçen, i cili akuzohet se dhunoi për vdekje 42-vjeçarin Egli Proga në Pogradec, ngjarje e ndodhur më 10 gusht të këtij viti.
Denis Meçe, i cili ndodhet prapa hekurave për këtë ngjarje të rëndë kishte kërkuar ndryshimin e masës nga arrest në burg në një masë më të butë, por kërkesa e tij është rrëzuar.
Ndërkohë Gjykata caktoi detyrim paraqitje për Leonidha Guçen, Arjan Manellarin dhe Voltan Shulkun, të cilët nuk kallëzuan për krimin.
Njoftimi:
Referuar interesimit të medias, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:
Rezulton se me datë 10.08.2024, rreth orës 19:00, është marrë njoftim se në afërsi të vendit të quajtur “Agjensia”, tek rrethrrotullimi, lagjia nr. 2 Pogradec, përballë bar kafe “Sstropcka” është gjetur një shtetas i shtrirë pa ndjenja. Pas mbërritjes së punonjësve të policisë lokale është identifikuar shtetasi me iniciale E.P dhe është transportuar për në spitalin e qytetit të Pogradecit pa shenja jete.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë ka regjistruar procedimin penal per kryerjen e veprës penale të “Vrasje nga pakujdesia”, në ngarkim të shtetasit me iniciale D.M dhe për veprën penale “moskallëzim krimi”, në ngarkim të shtetasve me iniciale L.G, A.M, V. Sh.
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, me vendimin nr. 267 Regj, datë 13.08.2024 ka vendosur:
- Të vleftësojë si të ligjshëm arrestimin në flagrancë të shtetasit D.M, të kryer në datë 11.08.2024, ora 05.00, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja nga pakujdesia“, parashikuar nga neni 85 i K.Penal.
1.1. Të caktojë ndaj shtetasit D.M si masë sigurimi atë të “Arrestit në burg”, parashikuar nga Neni 238 i K.Pr.Penale.
1.2. Urdherohet izolimi i shtetasit D.M në një institucion paraburgimi për të qenë në dispozicion të autoritetit procedues.
- Të vleftësojë si të ligjshëm arrestimin në flagrancë të shtetasit V.Sh, tëkryer në datë 11.08.2024, ora 02.00, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Moskallzimi i krimit“, parashikuar nga neni 300 i K.Penal.
2.1. Të caktojë ndaj shtetasit V.Sh si masë sigurimi atë të “Detyrimit për t‘u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, parashikuar nga Neni 234 i K.Pr.Penale, duke u urdhëruar ky shtetas që të paraqitet tek oficeri i policisë gjyqësore R.M në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, të martë ne parë dhe të tretë të çdo muaji, ora 10.00.
2.2. Urdhërohet lirimi i shtetasit V.Sh nga dhomat e izolimit të Komisariatit të Policisë Korçë, nërast se nuk mbahet për ndonjë shkak apo arsye tjetër.
- Të vleftësojë si të ligjshëm arrestimin në flagrancë të shtetasit A.M tëkryer në datë 11.08.2024, ora 01.00, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Moskallzimi i krimit“, parashikuar nga neni 300 i K.Penal.
3.1. Të caktojë ndaj shtetasit A.M si masë sigurimi atë të “Detyrimit për tu paraqitur në Policinë Gjyqësore”, parashikuar nga Neni 234 i K.Pr.Penale, duke u urdhëruar ky shtetas që të paraqitet tek oficeri i policisë gjyqësore R.M në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, të martën e parë dhe të tretë të çdo muaji, ora 10.00.
3.2. Urdhërohet lirimi i shtetasit A.M nga dhomat e izolimit të Komisariatit të Policisë Korçë, në rast se nuk mbahet për ndonjë shkak apo arsye tjetër.
- Të vleftësojë si të ligjshëm arrestimin në flagrancë të shtetasit L.G tëkryer në datë 11.08.2024, ora 01.00, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Moskallzimi i krimit“, parashikuar nga neni 300 i K.Penal.
4.1. Të caktojë ndaj shtetasit L.G si masë sigurimi atë të “Detyrimit për t‘u paraqitur nëPolicinë Gjyqësore”, parashikuar nga Neni 234 i K.Pr.Penale, duke u urdhëruar ky shtetas që të paraqitet tek oficeri i policisë gjyqësore R.K në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, të martën e parë dhe të tretë të çdo muaji, ora 10.00.
4.2. Urdhërohet lirimi i shtetasit L.M nga dhomat e izolimit të Komisariatit të Policisë Korçë, në rastse nuk mbahet për ndonjë shkak apo arsye tjetër.
Çështja në apel u shqyrtua vetëm mbi bazën e ankimit të bërë nga personi nën hetim me iniciale D.M, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit, caktimin e masës së sigurimit atë të “arrestit në shtëpi”, ose “garanci pasurore”.
Në përfundim të gjykimit, me datë 16.09.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtare znj. Miranda Andoni, vendosi:
– Miratimin e vendimit nr. 41-2024-2848/267 regjistri, datë 13.08.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korcë.
NGJARJA
Sipas dëshmive të mbledhura nga policia, Egli Proga ka shkuar tek lokali ku ka ndodhur ngjarja, për të pirë.
Jashtë lokalit ka qenë autori me dy të tjerë edhe këta të pirë, ndërsa brenda lokalit ka qenë dhe një shtetas vetëm, edhe ai duke pirë.
Viktima fillimisht është ulur me personin brenda duke pirë me të dhe në këtë moment ka nisur debati me tre shtetasit që kanë qenë duke pire jashtë kur vrasësi u afrua duke kërkuar një cigare.
Autori është ngritur nga tavolina e tij dhe ka vajtur tek viktima për ta sqaruar se çfarë kishte dhe debati u acarua. Pas kësaj autori i ka kërkuar të dalë jashtë e të sqarohen dhe kur kanë dalë jashtë autori e ka shtyrë ose goditur viktimën i cili është rrëzuar.
DËSHMITARËT OKULARË
Ngjarja u regjistrua në sy të shumë dëshmitarëve, të cilët heshtën përpara autoriteteve ndërsa 3 prej tyre u vunë në pranga për moskallëzim krimi. Voltan Shulku, 40 vjeç, Arian Manellari, 55 vjeç, dhe Leonidha Guçe, 47 vjeç, jo vetëm nuk kallëzuan krimin, por u tha se do të akuzohen se penguan edhe zbardhjen e së vërtetës, por në fakt ata u lanë të lirë nga Gjykata e Korçë. Dëshmitarët e tjerë thanë se ai ra në tokë dhe qëndroi i shtrirë për 30 minuta, ndërsa aty pranë ishte edhe një efektiv policie. Të afërmit kanë tentuar ta marrin 42- vjeçarin dhe ta dërgojnë në spital, por janë refuzuar dhe iu është thënë nga policia se ndihma mund të jepet vetëm nga persona të specializuar, por ambulanca erdhi me vonesë sipas tyre.
AKUZAT E FORTA TË FAMILJARËVE
Jonida, e motra e të ndjerit, ka hedhur akuza të forta për autoritetet. Ajo thotë se vetë autoritetet janë munduar të fshinin ngjarjen duke e raportuar si aksidentale. Sipas saj, Policia e Shtetit veproi me vonesë, ndërsa edhe ambulanca u vonua dhe ndërhyrja për të vëllanë ishte shumë vonë. Madje, e motra deklaroi se policia fillimisht u tha familjarëve se ai ishte rrëzuar, por kur kanë parë trupin, duke qartësisht që ishte dhunë barbare.
Të afërmit e tjerë thonë se të përfshirët në ngjarje njihen në zonë për gjobëvënie ndaj personave të tjerë, por autoritetet kanë heshtur. Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit u detyrua të urdhëronte inspektimin e procedurave të kryera nga Policia e Pogradecit, në qarkun e Korçës, lidhur me ngjarjen e cila u raportua fillimisht si aksidentale.
Ai urdhëroi Drejtorinë e Standardeve Profesionale për kryerjen e vlerësimit të zbatimit të detyrave të strukturave në Drejtorinë Vendore të Policisë, Korçë, dhe në Komisariatin e Pogradecit, lidhur me ngjarjen ku, pas një konflikti, humbi jetën 42-vjeçari Egli Proga.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al