Diabeti, sëmundja e shekullit

Nov 14, 2024 | 9:06
SHPËRNDAJE

NGA SHEFQET DELIALLISI shefqet-deliallisi

(Sot Dita Botërore e Diabetit)

Në kohë e emergjencës së pandemisë COVID-19 më tërhoqi vëmendjen një krahasim: “Pandemia e diabetit është si një rritje e pandalshme, e pakthyeshme e nivelit të detit, ndërsa pandemia e COVID-19 si një valë e izoluar e baticës pas së cilës vjen zbatica…”.

SHIFRA TË FRIKSHME

Sipas vlerësimeve të publikuara kohët e fundit, deri në vitin 2050 në mbarë botën do të jenë më shumë se 1,3 miliardë njerëz me diabet. Dhe… diabeti me komplikacionet e tij është një sëmundje që vështirëson jetën, ka një shkallë të lartë vdekshmërie dhe përkeqëson shumë sëmundje të tjera.

Nga ana tjetër, shpenzimet shëndetësore globale të lidhura me diabetin vlerësohet të rriten në 1054 miliardë dollarë deri në vitin 2045. Shifra këto që do të rrënonin çdo sistem shëndetësor. Për më tepër, parashikohet që deri në vitin 2045, tre në katër nga të rriturit me diabet, do jenë në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme (ku përfshihet dhe Shqipëria) dhe aktualisht, vetëm 10% e njerëzve me diabet në këto vende marrin kujdesin e duhur bazuar në udhëzimet për diabetin.

DUHET NDRYSHUAR KURSI…

Studime pa fund publikohen çdo ditë për diabetin, për mekanizmat, epidemiologjinë, strategjitë farmaceutike, komplikacionet e shumta të tij, trajtimi i tyre etj.. Të gjitha paraqesin progresin e madh në thellimin e dijeve mbi diabetin, trajtimin mjekësor të tij. Mjekësia mund të jetë duke fituar betejën për kontrollin e nivelit të sheqerit në gjak, por është duke humbur luftën kundër diabetit. Edhe në vende ku kujdesi mjekësor është gjerësisht i aksesueshëm, evidencat tregojnë se përqendrimi i trajtimit të diabetit vetëm në uljen e sheqerit në gjak, s’është zgjidhja, janë faktorë ambientalë dhe socialë, ata që po e thellojnë këtë panepidemi të shekullit 21.

Mjekësia mund të jetë duke fituar betejën për kontrollin e nivelit të sheqerit në gjak, por është duke humbur luftën me diabetin. Fakti që diabeti, një çrregullim me shumë mundësi për t’u parandaluar, ka marrë përmasa epidemike, flet për mosfunksionim të Shëndetit Publik. Rrënjët e tij janë kryesisht në faktorë ambientalë dhe socialë që mund të ndryshohen. Duhet të spostohet fokusi nga kujdesi mjekësor te shëndeti publik. Duhet të përqendrohemi te shkaqet, ushqyerja, aktiviteti fizik dhe shkaqet e shkaqeve, problemet ekonomike, psikosociale dhe fiziologjike. Resurset intelektuale, financiare, politike duhet të spostohen nga trajtimi medikamentoz i diabetit dhe komplikacioneve të tij, te parandalimi. Koha ka treguar se nuk është e lehtë…

Megjithëse COVID-19 ofroi një mundësi për të rishqyrtuar mënyrën e shpenzimit të parave për shëndet, pak ka ndryshuar për sa i përket sasisë së investuar në shëndetin publik. Për kujdesin parandalues vendet e BE-së shpenzuan mesatarisht 2,8% të shpenzimeve shëndetësore…. Duket interesa ekonomike të fshehta përpiqen të ruajnë staus quon.

DUKE E MBYLLUR…

Diabeti do të jetë sëmundje përcaktuese e këtij shekulli. Gjeneratat ardhshme s’mund të jenë përjetësisht të dënuara prej një stili diabetogjenik të jetesës. Mënyra se si komuniteti shëndetësor, por edhe shoqëria në përgjithësi do të trajtojë diabetin në dy dekadat e ardhshme, do të formësojë shëndetin e popullsisë dhe jetëgjatësinë për dekadat e ardhshme. Bota ende nuk ka arritur të kuptojë natyrën sociale të diabetit dhe ka nënvlerësuar shkallën dhe kërcënimin e vërtetë që paraqet sëmundja. Kërkohet sa më parë ndryshimi.

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura