Diaogu Kosovë-Serbi, Lajçak: Kam biseduar me Bislimin për takimin e radhës

Oct 10, 2024 | 23:32
SHPËRNDAJE

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, tha të enjten vonë se u takua me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, në Vjenë, për ta përgatitur takimin e radhës të kryenegociatorëve në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

lajcak dhe bislimi

“Kisha takim të mirë dhe të dobishëm me zëvendëskryeministrin e parë Besnik Bislimi. Biseduam hollësitë për zbatimin e plotë të marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit”, shkroi ai.

Megjithatë, ai nuk tregoi se kur do të mbahet takimi i ardhshëm i kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel.

Bislimi, dhe kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, ishin në Bruksel për herë të fundit më 20 shtator, ku nuk u pajtuan për takim të përbashkët.

Ata zhvilluan dy herë bisedime të ndara me Lajçakun, i cili duket se nuk arriti t’i bindë ata për një takim trepalësh.

Ata e akuzuan njëri-tjetrit për dështimin e takimit trepalësh. Bislimi tha se Serbia e “kushtëzoi agjendën e takimit me kërkesa të papranueshme për Kosovën”.

Por, Petkoviq e akuzoi Bislimin se nuk pranoi trepalësh për shkak të insistimit të palës serbe në tema si, Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Temë kryesore e takimeve të fundit ka qenë zbatimi i Marrëveshjes Bazë dhe aneksit të implementimit në Ohër, për ç’gjë Kosova dhe Serbia u pajtuan më 2023, por nuk kanë bërë hapa për zbatimin e saj.

Marrëveshja e Ohrit, prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

Kosova dhe Serbia bëjnë dialog nën ndërmjetësimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011.

Përveçse në nivel kryenegociatorësh, bisedimet zhvillohen edhe në nivel politik.

Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk janë takuar qysh nga shtatori të vitit 2023 dhe të dy kanë akuzuar njëri-tjetrin për qasje jokonstruktive./rel

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura