Dilema hamletiane/ Në gjurmët e dramës “Duke pritur Godonë” të Samuel Beckett

Oct 21, 2024 | 10:21
SHPËRNDAJE

samuel beckettSEJDO HARKA

Beckett, unë do ta vija në radhët e autorëve të mëdhenj të botës, si Shekspiri
Richard Ellmann

Nobelisti Samuel Beckett, me orgjinë irlandeze, që me shkrimtarinë e tij shumëplanëshe bëri emër të rrallë, jo vetëm brenda Francës, ku shkroi e jetoi gati tërë jetën, por dhe në të gjithë botën, do të mbahet mend gjatë për shumë gjëra, por veçanërisht për themelimin e “Teatrit absurd”, nëpërmjet të cilit ai kërkonte të çlironte njeriun nga barrierat, konvencionet dhe mjerimi i tejskajshëm i të ashtuquajturës “Kohë moderne”. Ai shkëlqeu, jo vetëm si dramaturg e skenarist, por dhe si prozator, poet e përkthyes në të gjitha llojet e nënllojet e tyre. Irlandezi Beckett njihet si shkrimtari avangard që bëri revolucion në mënyrën e të shkruarit, duke thyer çdo lloj pengese ideologjike, filozofike dhe gjuhësore për ta pasqyruar sa më të plotë botën e njeriut të mpirë e të tjetërsuar nga mungesa e lirisë dhe varfëria e tejskajshme, të cilat pjellin çoroditje shpirtërore dhe gjendje psikologjike haluçinative. Por, para se të shpalosim disa nga dimensionet shumëplanëshe, vlerat universale dhe tiparet e papërsëritshme të artit të këtij shkrimtari të madh, që i dha vulën shkrimtarisë botërore të shekullit të XX, do të ndalemi për t’i rikujtuar lexuesit të gjerë se, Kush është samuel beckett dhe krijimtaria e tij.

Ai lindi, më 13 prill të vitit 1906 në Dublin të Irlandës. Beckett, që në moshën e adoleshencës tregonte se ishte një djalë tepër i sjellshëm, i zgjuar dhe me talent të rrallë. Pasi mbaroi shkollën e mesme, në vitin 1928, ai u regjistrua për të vazhduar studimet e larta në “Trity Kollege”, për gjuhë angleze dhe letërsi, atje ku kishte studiuar edhe Oskar. Në këtë kolegj u njoh me profesorin e tij të parë James Joysin, i cili do ta ndihmonte të ecte përpara. Hapat e para të krijimtarisë artistike ai i hodhi me librin “Whoroskope”, me të cilin, në një konkurs me krijuesit e rinj, mori çmimin e parë. Në vitin 1935 ai do të shkruante përmbledhjen e parë me poezi. Ndërsa në vitin 1938, Samuel do të vendoset përfundimisht në Francë, ku do të shkruante kryesisht në gjuhën frënge. Këtë vit ai do të botonte romanin e parë me titullin “Murkpy”. Viti 1943 do të ishte për të viti më prodhimtar në krijimtari. Krahas veprave të reja, ai nisi të përkthejë shumë libra në gjuhën angleze. Disa nga librat e tjera që do t’i jepnin atij emër të madh në fushën e krijimtarisë artistike janë: “Moloni vdes”(1951), triologjia “E paemërtueshmja”(1953), etj. Veprat e tij më të mira janë përkthyer e vënë në skenë gati në të gjitha vendet e botës. Gjashtë prej tyre kanë kohë që flasin edhe në gjuhën shqipe si: “Moloni vdes”, “Dashuria e parë”, “Udhëtim i mbyllur”, “E paemërtueshmja”, “Imazhi dhe proza të tjera të shkurtëra”, “Duke pritur Godonë”, etj. Samuel u ndesh ashpër me titanët e shekullit, por edhe pse ata e përndoqën dhe e persekutuan, ai nuk u gjunjëzua kurrë para tyre. S. Beckett vdiq më 22 dhjetor të vitit 1989.

Thuhet se Samuel Becket, edhe pse ishte i martuar, pati dhe një dashuri të fshehtë jashtëmartesore me gazetaren dhe përkthyesen e talentuar angleze Barbara Bray, e cila në një intervistë, pas vdekjes së tij, tregon: “Samuel ishte si dramat që shkruante dhe si personazhet e teatrit absurd. Sa e pashë për herë të parë më magjepsi, prandaj menjëherë vendosa të shpërngulesha në Paris për t’i qëndruar pranë dhe për ta frymëzuar e ndihmuar, deri në ditët e fundit të jetës. Edhe pse ai jetonte me gruan e tij, unë ndjeja krenari që i qëndroja pranë atij burri, jo vetëm të pashëm dhe shumë të sjellshëm, por një shkrimtar me famë të madhe botërore.”

DISA NGA TIPARET E KRIJIMTARISË SË SAMUEL BECKETT, SIPAS KRITIKËS LETRARE BOTËRORE

Krijimtaria e tij nuk është e tipit të ekzistencialistit Zhan Pol Sartri, ndërsa me krijimtarinë e F. Kafkës ngjan nga mënyra se si e përcjell frikën dhe tmerrin. Stili i krijimtarisë së tij takohet edhe me atë të Dostojevskit, sidomos nga mënyra e zbulimit të shpirtit njerëzor dhe përjetimi i vështirësive të jetës. Beckett, frymëzohet edhe nga Dante Aligeri. Karakteret e veprave të tij, duket sikur përjetojnë ankthin e frikshëm të rrathëve të “Komedisë hyjnore”. Por, edhe pse krijimtaria e nobelistit Beckett ka pika takimi me disa shkrimtarë të mëdhenj të botës, ai mbetet autori më origjinal, që i dha vulën letërsisë së shekullit të XX. E reja që i dha letërsisë së këtij shekulli është këndvështrimi tragjikomik i ekzistencës njerëzore, shoqëruar nga humori, sa i zi, aq dhe vrastar. Për vlerat e krijimtarisë së Samuel Beckett, kritika letrare botërore ka folur dhe shkruar shumë, por në pamundësi për t’i përmendur të gjitha, po ndalemi tek disa prej tyre: Beckett, në thelbin e artit të tij vendosi njerëzoren. Ai e çliroi teatrin e tij nga konvencionet. Në fushën e artit dhe të letërsisë së kohës ai erdhi natyrshëm, pa trumbeta e tamtame. Beckett u ngjit si Feniksi nga hiri i tij, pa e ndjerë kurrë frikën e të pamundurës. Në romanet, dramat, novelat, tregimet dhe poezitë e tij zbulohet ankthi i njeriut përballë absurdit të ekzistencës. Tek karakteret e krijimtarisë së tij nuk shfaqet qartë evoluimi shpirtëror dhe psikik. Brendia e krijimtarisë së tij nuk u referohet filozofive, trakteve dhe dokeve boshe. Surealiteti i dramave të tij shfaqet tek individi i pushtuar nga makthi përballë një bote që i detyron ata të struket në shkretëtirën e mendjes. Beckett është quajtur eksperti më i lartë i “Teatrit asurd”. Në karakteret e tij lexuesi zbulon vetëdijen e individit që kërkonte gjithçka, pa qenë në gjendje të përcaktonte atë që kërkonte. Beckett, me teatrin e tij lufton më shumë për shkodimin e enigmave që e stërmundonin njeriun e kohës, se sa për ta ç’burgosur atë nga zbrazësia dhe tmerri. Janë këto disa nga tiparet e artit të tij të papërsëritshëm, që veprat e tij na bëjnë të ngujohemi aq fort pas tyre, sa të na duket sikur s’marrim dot frymë. Është papërsëritshmëria e artit të tij të rrallë, e cila bën që Akademia Suedeze e Shkencave ta nderojë shkrimtarin Samuel Beckett me Çmimin “Nobel” për Letërsinë për vitin 1969, me motivacionin: ‘’Për shkrimtari të rrallë, me të cilën sjell forma të reja në prozë e dramaturgji dhe për pasqyrimin e mjerimit të tejskajshëm të njeriut të kohëve moderne dhe postmoderne…’’

NË GJURMËT E DRAMËS “DUKE PRITUR GODONË”

Por, le të rikthehemi tek kryevepra që i dha dramaturgut S. Beckett emër të madh në tërë globin tonë, dramën me titullin kuptimplotë “Duke pritur Godonë”(1953), përkthyer me origjinalitet nga Mirela Kumbaro, të cilën e kemi bërë objektin kryesor të këtyre shënimeve tona. Aq kuptimplote e domethënëse është brendia tragjikomike e kësaj drame, sa që titulli i saj tepër i goditur “Duke pritur Godonë”, edhe sot e kësaj dite përdoret me një konotacion të thellë simbolikometaforik, pas të cilës fshihet “të priturit dhe të shpresuarit tërë jetën për një gjë, që nuk dihet se ç’është kush do ta sjellë, dhe që nuk do të realizohet kurrë. Pas kësaj pritshmërie të parealizuar tragjikomike qëndrojnë shtresat vunerabële të shoqërisë së shekullit të XX, të cilët presin një ditë ndryshimin e jetesës së tyre, por fatkeqësisht ajo nuk erdhi kurrë. ’Godoja’, që s’erdhi kurrë, është simboli i pamundësisë së ndryshimit gjendjes ekonomike e shpirtërore të endacakëve dhe njerëzve në nevojë, të mbërthyer prej fyti nga shtypja dhe skllavërimi i pashpirt, jo vetëm dje, por edhe në kohërat e ashtuquajtura moderne dhe postmoderne. Është kjo arsyeja që kjo dramë, edhe sot e kësaj dite tingëllon më aktuale se kurrë. Nga brendia dhe mënyra se si trajtohen ngjarjet, kjo dramë, herë i ngjan një romani tronditës, me një dramacitet e humor të zi dhe herë një bestselleri të jashtëzakonshëm. Protagonistët e kësaj drame janë endacakë të rreckosur, të cilët shfaqen si një pemë e zhveshur, që presin pa fund një farë Godoje, të cilin as nuk e njihnin kush ishte, as nuk dinin: pse e prisnin, kur dhe ku do ta prisnin dhe ç’hall do t’u zgjidhte ai. Shfleton skenarin e kësaj drame, dhe të duket sikur rend mes reales dhe ireales, absurdit dhe racionales. Po, si nis brendia e kësaj drame.

Përpara skenës të shfaqen dy endacakët: Estragoni, i ulur mbi një gur që ngulmon të heq këpucën, e cila duket se e ka vrarë nga udhëtimi i gjatë. Një hall i madh e shoqëron tërë rrugës, por as vetë nuk di se ç’problem e shqetëson dhe si do ta zgjidhë atë. Pastaj, papritur hyn endacaku tjetër, Vladimiri, i cili bashkë me Estragonin nisin të vështrojnë majën e Kullës Ejfel, me ëndrrën për t’u ngjitur atje sa më parë dhe pastaj të hidhen nga maja e saj. Por, papritur kthejnë mendjen. Ata janë të vendosur të presin, me çdo kusht, Godonë. Por, se ku dhe përse do ta takojnë atë ’hije të padukshme’, nuk janë në gjendje ta kuptojnë as vetë. Si në një ëndërr të frikshme, ata kujtojnë një shelg, por në këto çaste atyre u shfaqet vetëm një trug i zhveshur, pa gjethe, gjë që u turbullon memorjen dhe u lëkund shpresën se, a do ta arrijnë atë ditë që të takojnë të shumëpriturin Godo. Prandaj përsëri, dyshimi, frika dhe ankthi nis t’i pushtojë përsëri. Ikin e rikthehen, ndahen e ribashkohen mes ëndrrash të frikshme dhe të një humori të zi, por të shumëpriturin Godo nuk e takuan kurrë. Të ndodhur mes ireales dhe reales, ëndrrës dhe frikës pyesin veten: “Po sikur të vrasim veten?!” Dhe përsëri pendohen duke i dhënë kurajë njeri-tjetrit: ’Po sikur të presim se ç’do të na thotë zoti Godo?! Edhe pse duan të largohen, këmbët ua kishte lidhur magjia e takimit me Godonë. Në këto çaste, papritur shfaqen dy njerëz të çuditshëm sejmeni Poco dhe shërbëtori i tij, Luki, ngarkuar me bagazhet e ustait të tij katil, i cili në një dorë mbante litarin që tërheq zvarrë si një qen shërbëtorin e tij fatzi dhe në dorën tjetër një kamxhik, me të cilin ai e fshikullonte egërsisht, sa herë që atë e merrte gjumi, i dërmuar nga lodhja dhe stërmundimi. Nuk kalojnë më shumë se disa sekonda nga çasti kur papritur Luki, i stërmunduar nga lodhja dhe litari që i shtrëngonte zverkun e gjakosur, trondit tokën me rrapëllimën e frikshme të bagazheve të ustait të tij, të cilat i mbante natë e ditë mbi shpinë. Të tmerruar nga kjo pamje e frikshme, dy endacakët, Vladimiri dhe Estragoni i drejtohen Pocosë, pronarit xhelat të Lukit, me këto fjalë : “Ta trajtosh njeriun në këtë mënyrë, si kafshë, është jo vetëm çnjerëzore, por edhe turp”. Ndërsa, kur ata e pyesin, se pse hamalli i tij nuk i ulte përtokë bagazhet e tij kur flinte e pushonte, ai përgjigjet plot cinizëm egoist, tepër absurd: “E gënjen mendja se, duke e treguar veten si hamall i palodhur ndaj meje, do ta mbaj në punë përgjithmonë”.(27) Në këto çaste, në skenë hyn një djalë i cili thotë, se vinte nga zoti Godo dhe se ai me vëllanë, ruanin bagëtitë e tij. Kur endacakët e pyesin se si sillej me ta zoti Godo, ai tregon se, me të sillej mirë, por vëllain e tij e rrihte shpesh. Kur ata e pyesin, nëse do të vinte një ditë zoti Godo, ai herë pohon dhe herë ngre supet. Nga ky fakt dukej, se edhe zoti Godo, të cilin ata e prisnin pafundësisht për ta takuar, s’ishte gjë tjetër veçse një Poco, i cili shfrytëzonte barbarisht, si në mesjetë hamallin e tij të mjerë. E, me gjithë atë ata vazhdonin të prisnin e të prisnin pa kufi një njeri, që nuk e kishin njohur kurrë dhe që s’kishte për të ardhur kurrë.

Akti i dytë i kësaj drame tragjikomike, që zbulon shtypjen mesjetare, në mes të Francës moderne të shekullit të XX, nis me vargjet tragjikomike: “Një qen hyri në kuzhinë/ Dhe rrëmbeu një salçiçe/ Kuzhinieri me garuzhdë/ e bëri copë e çikë/ Qentë e tjerë, që gjithçka panë/ Shpejt e shpejt në varr e kallë”. Përmes këtyre vargjeve S. Beckett kërkon të vërë shenjën e barazisë midis egërsisë instiktive të botës shtazore me atë të botës njerëzore, në të ashtuquajturën botë moderne, ku njerëzit detyrohen të kthehen në endacakë, të cilët, jo vetëm nuk ndihmohen nga askush, por edhe shfrytëzohen çnjerëzisht si kafshët nga pronarët e tyre. Ata detyrohen të bëjnë një jetë pakuptim, të humbasin memorien dhe të depersonalizohen. Ndërsa, për të mbajtur shpirtin gjallë detyrohen të lëpijnë kockat e hedhura si lëmoshë e ndyrë nga zotërinjtë e tyre të pafryrë. Ndërsa, kur u mungojnë dhe këto lëmosha, ata zbardhin sytë poshtë urave dhe pranë kazanëve të plehrave, ashtu si qentë endacakë e të braktisur.

Një nga pjesët më kuptimplote të kësaj drame është dialogu mes dy endacakëve, në çastin kur ata dëgjojnë zërin e çjerrë të zotit Poco, i cili, i rrëzuar për tokë, duke rënkuar, kërkon ndihmë. Pas dilemës, ta ndihmojmë apo jo, triumfoi shpirti human si e vetmja ndjesi njerëzore që u kishte mbetur endacakëve Vladimir dhe Estragon në atë shpërfytyrim tërësor psikologjik, mendor dhe shpirtëror që i ka shkaktuar trushpëlarja, shtypja çnjerëzore dhe shurdhmemecëria e kohës. Ja ç’i thotë Vladimiri Estragonit:”Le të bëjmë diçka tani që na jepet rasti…! Kjo thirrje, që sapo dëgjuam, i drejtohet gjithë njerëzimit. Por, në këtë vend, në këtë çast, njerëzimi jemi ne, na pëlqen apo s’na pëlqen. Le të përfitojmë, sa s’është vonë, t’i përfaqësojmë një herë të vetme denjësisht fundërrinat, me të cilat na pleksi fati i zi. Vërtet, që duke ndenjur duarkryq e duke peshuar anët e mira e të këqija, ne nderojmë vetveten…. Ç’bëjmë ne këtu?! Këtë pyetje duhet t’i bëjmë vetes.

Kemi fatin ta dimë përgjigjen. Po, në të gjithë këtë ngatërresë, një gjë është e qartë: ne po presim Godonë, ose të bjerë nata…” Kurse Estragoni ia kthen: “Ne të gjithë jemi të çmendur. Disa mbetën të tillë për gjithë jetën”. Kjo ishte shtypja e kohës që e shpërfytëronte njeriun. Shtypje, përçmim dhe shfrytëzim çnjerëzor, që e tjetërsonte njeriun në një qenie amorfe. Poco është një shtypës dhe shfrytëzues i egër mesjetar, ndaj edhe endacakët e thërrisnin me emrin ‘kain’(vëllavrasës), e megjithatë, kur janë në rrezik kërkojnë ndihmë. Pothuajse të gjithë personazhet e kësaj drame janë njerëz të çuditshëm që, ose kanë humbur çdo ndjenjë njerëzore, duke u tjetërsuar në bisha të egra, ose kanë humbur logjikën, sensin e kohës e të vendit, shijen e jetës, duke u tjetërsuar në robotë absurdë. Ata përjetojnë shijen e hidhur të jetës dhe vdekjes. Për ta nuk ka rëndësi, nëse jetojnë apo kanë vdekur. Kanë humbur kujtesën. Nuk janë në gjendje të kuptojnë ku ndodhen, ku do të shkojnë dhe çfarë duhet të bëjnë për të shpëtuar nga lagu i mjerimit. Dy endacakëve u është ngulur në kokë të presin natë e ditë Godonë, pa e ditur: kush është ai, ku dhe kur do të vijë dhe çfarë problemi do të zgjidhin me këtë pritje pa fund. Udhëtimi absurd i dy endacakëve dhe humori i tyre zi, që i shoqëron në çdo çast kthehet në një simbolikë metaforike që shpreh mungesën e shpresës për ndryshimin e realitetit të hidhur të kohës, nëpërmjet së cilës Samuel Beckett fshikullon ashpër të ashtuquajturën shoqëri moderne të shekullit të XX, që nëpërmjet skllavërimit, përbuzjes dhe përçmimit, i tjetërson njerëzit në qenie absurde, gati të çmendur. Këtë dramë tragjikomike e pësojnë, jo vetëm lypsit si Estragoni dhe Vladimiri, por edhe zoti Poco, i cili tërë jetën, shërbëtorin e tij Lukin, e trajton si kafshë, të lidhur me litar dhe të ngarkuar me bagazhet e tij natë e ditë. Por, çdo gjë të keqe që u ka bërë të tjerëve, do të vinte një ditë, që do të shkarkoheshin në kurrizin e tij. Papritur, zoti Poco shfaqet i rrëzuar në një hendek nga verbëria, i cili u lutet endacakëve ta ndihmojnë të ngrihet nga ajo humnerë. Ndërkohë, edhe hamalli i tij i mjerë Luki, i tjetërsuar në shurdhmemec, ka rënë në gjumë letargjk. Ai s’është në gjendje të ngrejë veten dhe jo të shpëtojë pronarin e tij katil, i cili për ta zgjuar nga gjumi porosit endacakët ta godasin rëndë me shkelma. Gati të gjithë karakteret e kësaj drame shfaqen si njerëz, që kanë humbur memorien. Nuk dinë se ku janë, çfarë bëjnë dhe ku do të shkojnë. Ata shfaqen, herë shurdhmemec, herë të verbër dhe herë njerëz që, në çastet kur janë “duke pritur Godonë”, vuajnë nga dilema hamletiane e Shekspirit “Të rrosh, a të mos rrosh”, të cilën ata e shprehin me dilemën:

“Të jetosh, apo të varësh veten”. Edhe çobani i zotit Godo, Alberti, i cili hyn papritur, i tillë shfaqet në skenë. Ka humbur memorien dhe orientimin. Kur endacakët e pyesin, me se merrej zoti Godo, ai jep përgjigje të tilla absurde: “… nuk merret me asgjë. Ndërsa kur ata e pyesin nëse zoti Godo do të vinte një ditë…, ai herë pohonte dhe herë mohonte. Zoti Godo, para dy endacakëve, herë u shfaqet si hije e zezë që vjen e ikën, dhe herë si mjegulla e shporrur nga furtuna e absurdit. Pas tyre shfaqet pëlhura e zezë e pamundësisë për t’u realizuar ky takim, i cili dukej, se s’kishte për t’u bërë kurrë. Ndaj dy endacakët, kur humbin shpresat, bien në kllapi të thellë. Vendosin të varin veten. Por, edhe vetvarjen nuk mund ta bënin dot, sepse u mungonte litari. Provojnë të përdorin ushkurin e pantallonave të tyre, por ai, papritur këputet. Të mundur nga stërmundimi dhe pamundësia, vendosin të ikin përsëri, pa realizuar asnjë nga planet që ua kishin përshkuar trurin si një hell i skuqur. Aq të pamundura ishin gjërat për endacakët, sa që edhe vetvarjen nuk kishin mundësi ta kryenin. E, si mund ta bënin realitet atë takim me askushin, për asgjë dhe askund, gjë që shpreh metaforikisht kotësinë e pritjes pafundësisht të një “Godoje” që s’kishte për të ardhur kurrë, mungesën e shpresës për ndryshimin e jetës së njerëzve të pambrojtur e të papërfillur në të ashtuquajturën shoqëri modern të fundshekullit XX. Përmes kësaj drame tragjikomike Nobelisti Samuel Beckett zbulon para shikuesve dhe lexuesve të kësaj vepre të rrallë faktin se në këtë fundshekull, bile dhe në shoqërinë e sotme postmoderne, për shumë njerëz të kësaj bote të keqe vazhdon të përgjojë varfëria, mjerimi dhe vdekja, nga pamundësia për ta ndryshuar jetën. Mjerimi, frika nga pasiguria, luftërat, sëmundjet e pashërueshme dhe katastrofat natyrore i ndjekin ata këmba-këmbës nga lindja dhe deri në varr. Kjo egërsi totale, që në këtë dramë shprehet nga autori edhe nëpërmjet një humori të zi, endacakët si Estragoni dhe Vladimiri, të cilët presin në pafundësi “Godonë” metaforik, i cili s’erdhi kurrë, Lukin që mbahet lidhur për fyti si kafshët dhe kainin “Poco”, i cili me fundin e tij të pashmangshëm tragjikomik korr frutet e hidhura të barbarisë së tij të pashpirt. Brendia e kësaj vepre tingëllon aktuale edhe sot e kësaj dite, jo vetëm për problemin që trajton, por edhe mesazhin që përçon tek gjithë njerëzit e sotëm të globit, të cilët, për të ndryshuar jetën e tyre të mbytur nga ligësia, shtypja dhe padrejtësia”, presin pa kufi “Godonë” metaforik./Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura