Dilemat në mërgim

Nov 18, 2024 | 7:42
SHPËRNDAJE

ANETA WOLTERANETA WOLTER

Erik H. Erikson, një psikoanalist gjermano-amerikan, citohet shpesh për thënien: “Identiteti është pikërisht pikëtakimi i asaj që një person dëshiron të jetë dhe asaj që bota i lejon atij të jetë”. Unë mendoj se kërkimi i identitetit në vetvete, kudo qoftë dhe në çdo aspekt, nuk është thjesht diçka e mirë apo e keqe. Ai është një shprehje e dëshirës njerëzore për të përjetuar ndjenjën e përkatësisë, të kuptimit të vetvetes dhe të jetës. Një përvojë kjo shpesh e pashmangshme, veçanërisht për njerëzit që gjenden në një fazë tranzicioni ose ndryshimi, siç ndodh rëndom tek emigrantët. Deri këtu, teoria.

Në një vështrim të shpejtë të situatës së emigrantëve shqiptarë duket se ata e kanë gjetur veten në mërgim në forma të ndryshme: disa në rrafshin personal, social, disa në atë familjar, financiar, profesional apo edhe politik. Është gjithashtu e dukshme se shumica dërrmuese e tyre e kanë bërë këtë pa mbështetje të rëndësishme ekonomike, diplomatike, mediatike apo politike nga shteti amë, shpeshherë kur ende mbanin pasaporta shqiptare. Kjo popullsi e madhe e larguar, sot shumë diverse, si dhe indiferenca e gjatë e shtetit amë ndaj qytetarëve me nënshtetësi apo origjinë shqiptare në mërgim, padyshim e ka dobësuar Shqipërinë në shumë aspekte. Kjo është një temë që kërkon analizë dhe vëmendje të vazhdueshme nga autoritetet shqiptare për të minimizuar pasojat negative. Derisa të arrijmë aty, mendoj se ka ardhur koha që indiferenca e shtetit amë të zëvendësohet me një vizion kombëtar afatgjatë, të ndërtuar mbi pragmatizëm dhe dobishmëri për të dyja palët. Shqipëria ka nevojë për diasporën dhe po ashtu, diaspora ka nevojë për Shqipërinë në shumë aspekte.

Nga përvoja e di që kjo marrëdhënie nuk është e lehtë, bile është komplekse, edhe sepse jeta në mërgim të ndryshon, të “riformaton” dhe bën që diaspora, në disa aspekte, të veprojë dhe mendojë ndryshe nga bashkëkombësit në Shqipëri, të cilët, ashtu si vetë Shqipëria, kanë pësuar ndryshimet e tyre. Kjo është një sfidë, por edhe një shans për të dyja palët. Por, a ka diaspora interes real për Shqipërinë? Dhe anasjellas, a ka Shqipëria interes për diasporën? Të paktën për trasenë diasporë-Shqipëri, jam e bindur që po. Vërej se ky interes ushqehet jo vetëm nga kërkesat e tregut, por edhe nga lidhjet e brendshme, nga dilemat e identitetit sipas Eriksonit, apo edhe nga atdhedashuria. Padyshim që ka motive shumë objektive në vendimet e emigranteve kur kthehen, por ato subjektivet që përmenda më sipër janë shume motivuese në mërgim kur marrim vendime që kanë të bëjnë me angazhimin apo kthimin në Shqipëri. Pasi për të lënë infrastrukturën shumëfunksionale të jetës në vendet ku jetojmë, nuk mjafton vetëm plani i biznesit.

Edhe sociologjia, përveç identitetit individual “Unë si njeri” njeh edhe atë kolektiv, si identiteti kombëtar, kulturor apo etnik. Por a dëshirojnë emigrantët një identitet “dyvendësh”? Dhe a u mungon atyre diçka në vendet e huaja? Për shumë emigrantë që njoh, përgjigjja për të dyja pyetjet është “po”. Për sa i përket trasesë Shqipëri-Diasporë, mendoj se ajo është ende në fillesat e saj. Kryeministri i Shqipërisë përmendi me të drejtë taksat, çka është një argument dhe motiv shumë i rëndësishëm, porse nevojitet më shumë se kaq. Për të funksionuar, kjo trase duhet të konceptohet në disa rrafshe: ekonomik, politik, kulturor dhe përtej këtyre, në atë që na lidh si shqiptarë, kudo që ndodhemi – identitetin tonë kombëtar, qoftë ky edhe i pjesshëm. Tingëllon ndoshta e çuditshme, por ne na motivon dhe lumturon shumë edhe flamuri kuq e zi që valëvitet kur dikush na viziton nga Shqipëria./Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura