Dinamika/ Sherri në Palasë për karafilat, u nisën për te këngëtari, por ranë në tavolinën e të kërkuarit! Biznesmeni Koçeku ishte me familjarë, ndërsa Fatmir Bejo dhe grupi të shoqëruar me femra

Aug 29, 2024 | 8:34
SHPËRNDAJE

NIKOLETA KOVAÇI/ Përleshja e dhunshme në resortin luksoz në Palasë ende nuk është zbardhur e po ashtu, ende policia nuk ka vënë në pranga asnjë nga personat dhunues.

Kur kanë kaluar 4 ditë nga ngjarja e rëndë, policia lokale ankohet se nuk ka mundur të sigurojë DVR-në, pasi pajisja nuk është gjendur në vendin ku ka qenë. Por pamjet filmike në fakt kanë dalë dhe janë me dhjetëra dëshmitarë okularë të asaj përleshjeje të dhunshme, që për pak i kushtoi jetën një personi.

Ndonëse i plagosuri rëndë dhe shoku i tij kanë refuzuar të bëjnë kallëzim në polici, është edhe prokuroria që ankohet për veprimet e ngadalta dhe të vonuara të policisë në lidhje me mbledhjen e fakteve dhe prangosjen e personave të përfshirë në konfliktin e dhunshëm.

Sipas të dhënave të pakta që kanë dalë nga grupi hetimor, mësohet se biznesmeni i ndërtimit ka qenë në tavolinën e tij bashkë me shokun që u plagos dhe me dy njerëz të familjes së tij. Ndërkohë grupi prej katër personave, mes të cilëve edhe një i shumëkërkuar për pengmarrje dhe plagosje, si dhe i dy personave të tjerë të paidentifikuar ende nga policia, kanë qenë të shoqëruar me disa femra.

Nga tavolina në të cilën qëndronte biznesmeni me njerëzit e familjes dhe Fatbardh Aliajn bëhet me dije se janë hedhur disa karafila në drejtim të skenës, ku këndonte këngëtari grek. Por karafilat nuk kanë mbërritur dot deri te këngëtari, por kanë rënë në tavolinën ku qëndronte Fatmir Bejo me grupin e shokëve dhe të femrave. Po ashtu në pije e sipër është hapur edhe shishja e shampanjës, që me sa duket ka lagur personat që gjendeshin në tavolinën e personave të shpallur në kërkim. Aty ka nisur edhe sherri, ku sipas të dhënave, dyshohet se shkak kanë qenë karafilat që kanë rënë në tavolinën ku kanë qenë djemtë e shoqëruar edhe me femra.

Megjithatë, do të jetë prokuroria që tashmë duhet të hedhë dritë mbi shkakun real, nëse është ai i vërteti apo mes personave ka edhe probleme të tjera që mund të gjenerojnë përplasje edhe më të rënda. Dy të plagosurit, të cilët për fat kanë mundur të shpëtojnë pa dëmtime serioze, kanë pranuar para grupit hetimor se kanë qenë të pirë dhe se djemtë i njihnin, duke mos pranuar që të depozitojnë një kallëzim, ndërsa policia tashmë ka 4 emra, jo të panjohur, të shpallur në kërkim për ngjarjen, që u bë e njohur falë publikimit të pamjeve të dhunës, publikim që bëri policinë e Vlorës të lëshonte tri deklarata të ndryshme për ngjarjen, pa mundur të specifikonte saktë dhe qartë se çfarë kishte ndodhur në resortin luksoz, në të cilin këndonte këngëtari grek!

PAMJET QË “TRADHTUAN” POLICINË

Sherri me grushte në Palasë, në klubin “Sin”, është shoqëruar me shpalljen në kërkim të 4 personave, të cilët sipas burimeve nga policia, rezultojnë me precedentë të mëparshëm kriminalë.

Në mbrëmjen e 25 gushtit, në klubin “Sin”, në Palasë, ku po këndonte këngëtari grek Kostandinos Argios, shtetasit Xhoni Spaho, Genti Baleci, Fatmir Bejo dhe Klajdi Cerri janë konfliktuar fizikisht me shtetasin Luçiano Koçeku, i njohur si Artur Koçeku, i cili nga goditjet ka humbur ndjenjat. Në pamjet e siguruara nga “Panorama.al”, gjatë konfliktit shihet shtetasi Fatbardh Aliaj, cili tenton të largojë agresorët, por dhunohet nga të rinjtë me grushte dhe shkelma.

Ndërkohë që miku i tij, Artur Koçeku dergjet në tokë dhe ndihmohet nga disa persona duke i hedhur ujë. Në video shihen dhe dy të afërmit e biznesmenit Koçeku, Abedinin dhe Ervin Koçeku, të cilët tentojnë të ndalojnë konfliktin fizik. Në pamjet e siguruara pas konfliktit të dhunshëm, biznesmeni shihet që dergjet në tokë, jashtë ambienteve të lokalit “Sin”, në Palasë.

PERSONAZHET

Luçiano (Artur) Koçeku rezulton të jetë i përfshirë në fushën e ndërtimit, ku emri i tij figuron si fitues apo ortak në disa leje ndërtimi të kullave dhe paneleve diellore. Po ashtu, ai zotëron lokale dhe kompani ndërtimi. Luçiano Koçeku dhe Fatbardh Aliaj janë sulmuar nga katër të rinjtë, të shpallur në kërkim, Genti Baleci, Xhon Spaho, Klajdi Cerri dhe Fatmir Bejo. Genti Baleci, 49 vjeç, banues në Durrës, është një personazh me rekorde të mëparshme kriminale. Ai rezulton se është akuzuar për vrasjen e Fatmir Delijajt në Belgjikë dhe për këtë vepër ai është dënuar me 25 vite burg.

Ndërkohë që Xhoni Spaho rezulton të ketë qenë kandidat për deputet në zgjedhjet e vitit 2021 nga radhët e Partisë “Aleanca për Demokracinë e Re”. Ndërkaq, Fatmir Bejo, 30 vjeç, rezulton i përfshirë në plagosjen me thikë të një personi, Mirel Ishka në shkurt të këtij viti në një lokal te “Komuna e Parisit” dhe në dhunimin e peng marrjen për disa orë në prill të 2023 të biznesmenit të ndërtimit, Gjergji Fela, për një borxh të pretenduar prej 25 mijë euro./Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura