Dinamo ka dhënë spektakël në stadiumin “Besa” të Kavajës, teksa përmes një pokeri golash ka mbijetuar në Kategorinë Superiore.Por pak minuta më vonë presidenti, Besnik Sulaj, ka dhënë dorëheqjen. Atëherë kur të gjithë menduan se kjo Dinamo u dorëzua përballë golit të Likës, në të 36′, blutë ndryshojnë faqe dhe më pas janë zotë të fushës. Besëlidhja, teksa e dinte se çfarë kundërshtari kishte përballë, asnjë moment nuk bëri diferencë në fushën e lojës, por u përpoq që nëpërmjet kundërsulmi ta godiste Dinamon. Dhe në fakt e ka arritur vetëm për një moment, kur më pas thuajse nuk ekziston në fushën e lojës. Besëlidhja pati dëshirën që t’u kundërvihej bluve, por e kishte të pamundur, sepse individët e saj ishin larg nivelit të dinamovitëve. Shkurt, nuk arriti të rivalizonte, ashtu siç pati parashikuar më parë trajneri i Besëlidhjes, Ridvan Kulli.
Ndërkaq, disa minuta më vonë, Besnik Sulaj ka pohuar se nuk do të jetë më presidenti i Dinamos. Sulaj, pas 12 vjet financim të Dinamos, ka vendosur të tërhiqet, duke kërkuar më shumë kohë impenjative për biznesin e tij. “Nuk do të jem më presidenti i Dinamos. Më vjen mirë që skuadrën po e lë në Kategorinë Superiore, pikërisht atje ku e mora në vitin 1999. Por, po jap dorëheqjen, sepse jam i zënë me të tjera impenjime, që lidhen më tepër me biznesin tim. Që do të thotë se do t’i përkushtohem më shumë atij. Sigurisht që nuk më vjen mirë që po largohem. Por, megjithatë, ka dhe një moment që duhet thënë mjaft, sepse unë nuk do të dilja në pension si financues i futbollit. Kështu që, duhet hapur rruga dhe për të tjerë. Normalisht mund të kishim bërë dhe gjëra më të mira, por, gjithsesi, ajo që më qetëson, të paktën dhe për tifozët e Dinamos, është fakti se po e lë skuadrën në elitën e futbollit shqiptar”, ka pohuar Sulaj.
Sulaj ka ardhur në krye të bluve në vitin 1999 dhe ka qëndruar deri më 2002-n. Më pas u shkëput për dy vjet për t’u kthyer në krye të Dinamos më 2004-n dhe deri tani. Ndërkaq, i pyetur për akuzat e ish-trajneri Blanko për trukim ndeshjesh, ish-presidenti i Dinamos ka pohuar: “S’më intereson fare se çfarë thotë Blanko nëpër gazetat e vendit të tij. Ai ka ikur për mungesë të rezultateve dhe, nëse kërkon të justifikojë punën e tij jo të mirë me skuadrën tonë me këto akuza, është çështje e tij. Unë po ju them që për sa kohë isha unë presidenti i Dinamos nuk ka pasur asnjëherë shitje të ndeshjes. Se çfarë do të ndodhë më tej, këtë nuk e di. Por unë jam i pastër, sepse Dinamo asnjëherë nuk ka shitur ndeshje”, ka përfunduar Sulaj.
Dinamo-Besëlidhja 4-1
Golat: Ferraj 37′, Martinena 43′, Allmuça 55′, Vila 63’/Lika 36′
Kartonë të verdhë: Peqini/ Gruda, Asllani
Gjyqtarë: L.Jemini, D.Rexha, E.Barushi (Tiranë)
Dinamo: Hoxha, Peqini, Miloviç (Imami 81′), Malakarne, Ferraj, Vila, Allmuça, Orelesi, Opoku, Bërkiç (Daja 67′), Martinena (Lala 76′) Trajner: A.Mërgjyshi
Besëlidhja: Xhika, Shala (Noka 58′), Prela, Maho, Lika, Asllani (Halili 58′), Alcani, Gruda, Stojkoviç, Camaj (Kulli 58′), Gega Trajner: R.Kulli
Pasardhësi, Zeqo, presidenti i Dinamos?
Bashkë me dorëheqjen, të gjithë futbollistët e Dinamos, të cilët dje përfunduan sezonin 2010-2011, janë të lirë. Dhe jo pak, gjatë kësaj jave, është diskutuar për një vajtje të Vilës, Orelesit dhe Malakarnes tek Skënderbeu. Jo vetëm kaq, por Allmuça, Martinena apo dhe Opoku lakohen sa tek Flamurtari, aq dhe tek Vllaznia. Ashtu sikurse dhe Malota e Sekseni për tek Kastrioti. Por cili do të jetë pasardhësi i tij? Këtë do ta vendosi Asambleja e Shoqatës, e cila funksionon që nga 15 maji i 2003-t, ndonëse zërat thonë dhe për një ardhje të presidentit të Skënderbeut, Agim Zeqo, në krye të bluve, sapo të përfundojë Liga e Kampionëve me skuadrën korçare. “Nuk di të them se kush do të jetë presidenti i ri, edhe sepse Dinamo ka vite që funksionon si shoqatë. Sigurisht, që brenda kësaj shoqate do të bëhen dhe zgjedhjet për të emëruar presidentin e ri. Por të kuptoni që përsëri Dinamo do të jetë në duar të sigurta”, ka pohuar vetë Sulaj.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al