Disa letra për veten! Shënime për romanin “Pusulla të Verdha” të Vera Bekteshit

May 7, 2022 | 7:56
SHPËRNDAJE

namirlapardhaja

NAMIR LAPARDHAJA

Në promovimin e romanit “Pusulla të Verdha”, fitues i çmimit letrar “Kadare” 2022, Vera Bekteshi citoi Floberin me thënien se “Ema Bovari jam unë”, duke dashur të vetidentifikohet me protagonistin e romanit të saj. Dhe për Bekteshin, ashtu si Floberi, nuk ka subjekte të përshtatshëm dhe të … papërshtatshëm, sepse gjithçka që i takon jetës mund të shndërrohet në vepër arti.

Këtë mekanizëm ka ndërtuar Bekteshi në “Pusulla të Verdha”, duke ngërthyer një subjekt në dukje të thjeshtë. Për lexuesin që nuk ka arritur ende të lexojë këtë roman, fabulën mund ta përmbledhim në pak fjali: Një rrëfim për një marrëdhënie të vështirë mes djalit me probleme të theksuara të bipolarizimit, për të cilin psikiatria nuk ka klasifikim të saktë, dhe nënës së tij artiste, e cila shfaqet e pafuqishme për ta ndihmuar. Mes tyre duket se mungon komunikimi, ndaj ata zgjedhin të bisedojnë nëpërmjet copëzave të letrave.

Më saktë, është djali ai që i shkruan ato dhe i ngjit në vende të ndryshme nëpër shtëpi. Ngjarjet në pjesën më të madhe zhvillohen në Tiranën e fillimviteve ‘90 dhe në të trajtohen njëkohësisht disa tema sociale. Duke lexuar romanin e Vera Bekteshit krijohet përshtypja se sa më nga afër ta shohim jetën, aq më e vështirë na duket ajo. Shoqëria shqiptare e tranzicionit nuk e ka të lehtë përballjen me hapjen e madhe dhe agresivitetin që vjen nga e panjohura.

Nga kjo gjendje nuk shpëton as Marini, që shërben në vepër si rrëfimtar dhe si protagonist, i cili vetëm 16 vjeç fillon drogën pëson një aksident dhe fillojnë t’i shfaqen simptomat e para të sëmundjes. Kemi një qenie në krizë që përjeton në mënyrë traumatike ndryshimet e kohës.

“Çfarë lloj krize? – pyet protagonisti. – Ajo ishte gjëja e fshehur në skutën më të errët të shpirtit tim, ajo gjëja pa emër që isha unë vetë…”. Personazhi-rrëfimtar shkruan në çdo moment pusulla letre si çlirim shpirtëror dhe si nevojë komunikimi. Ato shërbejnë si organizim i brendshëm kompozicional, të cilat pasurojnë rrëfimin dhe vënë në lëvizje mekanizmin e ngjarjeve dhe të personazheve.

278747067_5786161661400622_3309723635657454368_n-1068x712

Pusullat e verdha të letrave herë janë në anglisht (në rastet kur i drejtohen vetvetes) dhe herë në shqip (kur duhet t’i transmetojë diçka së ëmës). Është një gjetje stilistike që e mban kureshtjen e lexuesit ndezur, duke e shpëtuar nga gracka e monotonisë. “Qëndrimi i mëtejshëm në Shqipëri më lëndon dhe dëmton” është pusulla e verdhë në hollin e pasqyrës, që e vendos kur kthehet nga kurimi në Selanik, kështu që largohet për në Angli. Londra zë një vend të rëndësishëm në roman. Ndonëse si çdo emigrant bën një jetë të vështirë, edhe aty nis të ngjisë copëza letre. Duke qenë vetëm dhe për vete, i shkruan anglisht: “Let it Rock”.

“Gëzoje jetën, vëlla, boll ke hequr!” – pusulla e radhës në Londër, pasi ka njohur një vajzë nga Irlanda. Protagonisti është një personazh që përpiqet për të gjetur qetësinë dhe lumturinë, por duket se e ndjek ngado fataliteti. Pas vuajtjesh dhe peripecish si emigrant, pas 4 vjetësh, rikthehet sërish në Tiranë në gjendje të rënduar. Është ritakimi me vajzën irlandeze nëpërmjet telefonit, letrave, emaile-ve, çka e ndihmon të rikthehet në normalitet. Ajo i dhuron një libër të një autoreje të panjohur për të, për të cilin lexon një koment të “New York Times”: “Një memoar i paçmuar për depresionin bipolar, plot me njohuri mjekësore dhe në të njëjtën kohë thellësisht njerëzor…”.

Përveç të tjerave, nga ai libër mëson së “puna është shëruesi më i madh”. Dhe meqenëse e nisëm për lexuesin tonë me Floberin, po e vijojmë me të duke cituar një ndër letrat e tij drejtuar Luizë Kolesë, ku mes të tjerash e këshillon të lexojë, të por mos jepet pas ëndërrimeve. Të zhytet në studime të gjata e të fitojë shprehi për punën këmbëngulëse, se vetëm kjo e bën njeriun të ndihet mirë vazhdimisht…

Ai i thotë të mos lexojë si fëmijët, për t’u argëtuar, e as si lexojnë ambiciozët, për të fituar dije. Jo, të lexojë për të jetuar. Në paragrafin përmbyllës të romanit, duket se protagonisti ka fituar qetësinë e munguar, ndërsa lexuesit i mbetet të reflektojë: “Ditë pas dite, si batica që fiton terren duke ngrënë tokën, edhe Marini po pranon mendimin se brenda vetes ka aq mundësi sa ta lehtësojë jetën e saj dhe të tijën….

E di, zhurmat e ëmbla pranë sobës dhe banakut e nanurisin, sikurse atë, kur flinte në divanin e kuzhinës. Tashmë kanë ndërruar vendet.” Me romanin “Pusulla të Verdha”, Vera Bekteshi ka thyer disa tabu që kanë të bëjnë me pranimin dhe përballjen me realitetin. Krijimtaria dhe personazhet e saj nuk kanë asgjë mbinjerëzore, asnjë ekzagjerim për mirë apo për keq.

Ata janë njerëz të zakonshëm që përballen me vështirësitë e jetës dhe, si të tillë, jepen në kompleksitetin e tyre. Rrëfimi në vetën e parë nga një personazh me çrregullime psikologjike është kurajoz nga ana e autores dhe mendoj se e ka realizuar mjaft mirë.

Pa dyshim, një prurje rishtare në letrat shqipe, sa edhe një kumt i rëndësishëm në mjedisin shqiptar. Autorja, e vetëdijshme për kompleksitetin e romanit të saj, tha se “gjithsecili lexues do nxjerrë nga ky libër i vështirë mesazhet e tij, por e para do doja të ishte dashuria, dashuria dhe vëmendja e ndershme, që ne duhet t’u japim personave ndryshe; vëmendja e familjes, e shoqërisë, e mjekëve që i kurojnë, e shtetit në tërësi dhe institucioneve përkatëse në veçanti.” “Pusulla të verdha”, nga Vera Bekteshi, është tashmë në duart e lexuesit shqipfolës, ndërsa Çmimi Kadare, i mbështetur nga Universiteti Europian i Tiranës, ia doli që edhe në këtë edicion të shtatë të tij të spikasë një roman të rëndësishëm.

Namir Lapardhaja është kritik letrar dhe anëtar i jurisë së Çmimit Kadare 2022

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura