Disa teori se përse dhe kush mund ta ketë vrarë Presidentin John Kennedy! Çfarë ndodhi në Dallas më 22 nëntor 1963?

Nov 23, 2024 | 14:57
SHPËRNDAJE

EDMOND SPAHO/ Më 22 nëntor 2024 mbushen 61 vjet nga vrasja e Presidentit të 35 të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Kennedy. Vrasja e Kennedy përben një nga ngjarjet më të rëndësishme të Luftës së Ftohtë, me efekte të mëdha jo vetëm në historinë e SHBA-ve, por të gjithë botës. Ajo ka përcaktuar drejtimin e zhvillimeve më të rëndësishme politike, ekonomike e sociale të viteve 1960-‘70 dhe më vonë. Gjurmët e këtyre zhvillimeve i gjen edhe sot në fushëbetejat e dy-tri zgjedhjeve të fundit presidenciale në SHBA, përfshirë tentativat për vrasjen e Donald Trump. Asnjë zhvillim i rëndësishëm në politikën amerikane dhe asnjë mekanizëm mbi të cilin ajo funksionon, nuk mund të kuptohen tërësisht pa njohur vrasjen në Dallas dhe të ashtuquajturin skandal i Watergate. Për të hedhur dritë mbi vrasjen e Kennedy u ngritën dy komisione hetimore.

john kennedy2

I pari, i njohur me emrin Komisioni “Warren” (I emërtuar pas Earl Warren, kryetari i Gjykatës së Lartë dhe kryesues i komisionit) u ngrit menjëherë pas vrasjes së Presidentit Kennedy për të zbuluar të vërtetën dhe paraqitur versionin zyrtar të ngjarjes tronditëse. Ai përbëhej nga 5 kongresmenë të shquar të të dyja krahëve të politikës amerikane Richard Russell, John Mccoy, Gerald Ford, Sherman Cooper, Hale Boggs dhe ish-drejtori i CIAS, Alan Dulles, shkarkuar nga Kennedy pas ngjarjeve në Gjirin e Derrave. Raporti i Komisionit iu paraqit Presidentit të SHBA-ve, Lyndon Johnson më 24 shtator 1964 dhe konkludonte se vrasësi Lee Harvey Oswald veproi i vetëm dhe pa mbështetje. Një kryqëzatë e tërë u organizua në shtyp dhe TV për të mbështetur këtë konkluzion, përfshirë gazetarin më të shquar të kohës, Walter Cronkite. Faktet dhe dokumentet që u publikuan më vonë e bënë këtë konkluzion shumë të goditshëm. Në qarqet jozyrtare, historianë, gazetarë, njerëz të zbatimit të ligjit dhe të drejtësisë, të cilët ndër vite e kanë hetuar këtë ngjarje, sundon mendimi që Komisioni “Warren” ishte një aleancë politike për të fshehur të vërtetën e vrasjes së Presidentit Kennedy.(1)

Në vitin 1967, prokurori i New Orleans, Jim Garrison, arrestoi biznesmenin Clay Shaw dhe e akuzoi se në bashkëpunim me Lee Harvey Oswald, David Ferrie dhe të tjerë bashkëpunëtorë të CIA-s e emigrantë kubanë kishin komplotuar dhe vrarë Presidentin Kennedy.(2) Clay Shaw u gjykua dhe megjithëse gjykata pranoi ekzistencën e konspiracionit për të vrarë Presidentin Kennedy, Shaw u shpall i pafajshëm. Prokurori Jim Garrison nuk mundi të vërtetojë në mënyrë të qartë dhe të pamohueshme lidhjet e Clay Shaw me CIA.(3) Disa vite më vonë, Victor Marchetti, ndihmës i Richard Helms, drejtor i Operacioneve Klandestine në CIA dhe më vonë drejtor i CIA, shkroi një artikull ku shprehej se një eksponent i rëndësishëm i CIA, Howard Hunt (Në vitin 1972 i arrestuar në ndërhyrjen në hotelin “Watergate”) në 22 nëntor 1963 ishte në Dallas në sheshin ku u vra Kennedy. Hunt në dëshminë që kishte dhënë para Komisionit “Warren” e kishte mohuar kategorikisht që kishte qenë në Dallas në 22 nëntor.

Në gjyqin që Hunt hapi kundër Marchetti në vitin 1984, (Gjykata e Lartë e Floridas e nxori Marchettin të pafajshëm) deponoi edhe ish-drejtori i CIA, Richard Helms. Gjatë deponimit, ai zbuloi që Clay Shaw ishte bashkëpunëtor i CIA, fakt që u konfirmua nga ai në dëshminë e një gjyqi të ngjashëm të Hunt kundër gazetarit Weberman në vitin 1979. Clay Shaw kishte ndërruar jetë 10 vjet më parë, në vitin 1974.(4) Faktet dhe dokumentet që u zbuluan në dhjetëvjeçarin e parë pas vrasjes së Presidentit Kennedy nxitën shumë zëra në shoqërinë amerikane për nevojën e një hetimi të ri. Teoria e vrasësit të vetëm ishte pak, ose aspak bindëse për opinionin e gjerë, pavarësisht se në mbrojtje të saj ishin ngritur dhe shkruan shumë njerëz të shquar të politikës, drejtësisë dhe medias. I ndodhur para presionit në rritje, Senati i SHBA-ve në vitin 1976 miratoi Rezolutën 1540 dhe në 15 shtator 1976 u ngrit Komisioni i Posaçëm i Senatit të Shteteve të Bashkuara (HSCA ose Komisioni Schweiker sipas senatorit që e kryesonte) për të hetuar vrasjet e John Kennedy në vitin 1963 dhe dr. Martin Luther King Jr në 1968. Hetimet e Komisionit u mbyllën më 3 janar 1979 kur u paraqit raporti final.

Konkluzioni i Komisionit ishte që “Kennedy ndoshta ishte vrarë si rezultat i një konspiracioni, por Komisioni nuk ishte në gjendje të identifikonte qitësit e tjerë dhe madhësinë e konspiracionit”.(5) Komisioni gjithashtu deklaroi që në konspiracion nuk janë të përfshira Qeveritë e Kubës dhe BRSS, FBI, CIA, grupet anti-Castro apo grupe të krimit të organizuar. Pas këtij konkluzioni me të drejtë ngrihet pyetja: Nëse nuk e kanë vrarë këta, kush tjetër mbetet të ketë mundësinë dhe mjetet për të vrarë Presidentin Kennedy? Për vrasjen e Presidentit Kennedy janë shkruar qindra libra, mijëra artikuj, filma, dokumentare, ese, dhjetëra raporte etj.. Shumica e autorëve e drejtojnë gishtin tek Deep State i SHBA, që nënkupton, korporatat, industrinë ushtarake, Pentagonin, CIA, FBI, Shërbimin Sekret. Për këtë qëllim ata përdoren edhe grupet anti-Castro në Miami si dhe mafian.(6) Më poshtë do përpiqem të përmbledh arsyet dhe faktet që kanë paraqitur autorë të ndryshëm duke cituar si referencë më të rëndësishmit e tyre:

1. INDUSTRIA USHTARAKE DHE PENTAGONI

a) Industria ushtarake është kontribuuesja dhe punëdhënësja më e madhe e ekonomisë amerikane. Konfliktet nëpër botë ose tensionet për konflikte dhe prodhimi i armëve të reja janë ushqimi i saj kryesor. Në vitin 1959, nën drejtimin e Zv.Presidentit Nixon, të administratës së Eisenhower, po përgatitej një plan për të ndërhyrë në Kubë dhe rrëzuar Fidel Kastron. Plani parashikonte ndërhyrje në Gjirin e Derrave të rreth 1400 kubanezëve anti-Castro të stërvitur nga CIA. Ata formonin brigadë 2506. Sapo desantet të zbarkonin në tokë, do mbështeteshin nga aviacioni amerikan me tri valë goditjesh ndaj trupave dhe objekteve të ushtrisë kubane. Nixon i humbi zgjedhjet e vitit 1960 dhe Kennedy erdhi në pushtet. CIA i paraqiti planin e ndërhyrjes në Gjirin e Derrave dhe Kennedy e miratoi atë, por pa qenë i qartë plotësisht për shkallën e angazhimit amerikan. Një nga planifikuesit dhe drejtuesit më të rëndësishëm të ndërhyrjes në Gjirin e Derrave ishte Howard Hunt, eksponent i CIA, i cili pas disa vitesh, drejtoi ndërhyrjen në hotelin “Watergate”, ku u arrestua e u dënua me burg.

Ndërhyrja në Gjirin e Derrave u realizua në prill të vitit 1961. Trupat kubane zbarkuan dhe kërkuan mbështetje nga ajri. Kennedy kuptoi që kishte rënë në kurth dhe për rrjedhojë mbështeti formalisht nga ajri me numër shumë të reduktuar avionësh dhe vetëm një sulm ajror. Ligjet e SHBAve dhe ato ndërkombëtare nuk i lejonin atij të ndërhynte në Kubë pa miratimin e Kongresit. Pavarësisht kësaj, Pentagoni dhe CIA dëshironin të ndërhynin me trupa tokësore dhe ta pushtonin Kubën, por Kennedy refuzoi. Operacioni në Gjirin e Derrave rezultoi një katastrofë e plotë. 200 kubanezë u vranë dhe rreth 1100 u kapën rob. Të tjerët ikën nga sytë këmbët. Kubanezët anti-Castro këtë e quajtën tradhti dhe ajo shënoi çarjen e parë të madhe të Kennedy me drejtuesit e ushtrisë, CIA dhe emigracionin kubanez në Miami. Kujtojmë që Kennedy gjatë fushatës elektorale të vitit 1960 ishte shprehur që do të mbante qëndrim të ashpër ndaj Kubës dhe do ta zgjidhte çështjen e saj.(7)

B) KRIZA E RAKETAVE

Në tetor 1962, amerikanët zbuluan nëpërmjet fotografive të marra nga aeroplanët U2, se në përgjigje të dislokimit të raketave amerikane në Itali dhe Turqi, sovjetikët kishin dislokuar raketa në Kubë, të afta të godisnin dhe shkatërronin çdo qytet të SHBA. Ky zhvillim kaq dramatik erdhi në kushtet kur Kennedy dhe rrethi i tij i ngushtë po bisedonin për të nënshkruar traktatin e ndalimit të përhapjes së armëve bërthamore me BRSS si dhe shtensionimin në përgjithësi të marrëdhënieve amerikano-sovjetike, në përputhje me doktrinën e bashkekzistencës paqësore. Departamenti i Mbrojtjes dhe Pentagoni kërkuan goditjen e Kubës dhe pushtimin e saj me çdo çmim. Kennedy i druhej fillimit të luftës së tretë botërore, e cila do të ishte nukleare dhe mund të çonte në fundin e civilizimit. Përgjegjësia ishte e madhe dhe si fillim, ai urdhëroi bllokimin e hapësirës detare të Kubes. Paralelisht iu kërkua sovjetikëve të hiqnin urgjent raketat nga Kuba. Përveç sa dukej mbi sipërfaqe, nën surdinë, u vendosën shumë kontakte dhe u zhvilluan bisedime me ndërmjetës të tretë, ku i përfshirë ishte edhe Robert Kennedy, vëllai i Presidentit Kennedy. Disa historianë janë shprehur se Krushchev u paralajmërua që nëse nuk tërheq raketat, ushtarakët amerikanë mund të organizojnë grusht shteti për të rrëzuar Kennedy dhe lufta do ishte e pashmangshme. Përfundimisht sovjetikët vendosën të tërheqin raketat nga Kuba, Kennedy deklaroi që nuk do ta pushtojnë Kubën në asnjë rast dhe tërhoqi si kompensim disa raketa nga Turqia. Zemërimi i ushtarakëve amerikanë ishte i pashoq. Ata e konsideruan marrëveshjen të turpshme për SHBA dhe Kennedy si frikacak, që po dobëson Amerikën e forcon sovjetikët dhe komunizmin global. (8) (9)

C) KUR KENNEDY ERDHI NË PUSHTET, SITUATA NË VIETNAMIN E JUGUT ISHTE SHUMË E TRAZUAR

Amerikanët kishin në terren rreth 20 mijë këshilltarë ushtarakë, të cilët ndihmonin ushtrinë dhe qeverinë e Vietnamit të Jugut. Pentagoni, CIA dhe Departamenti i Mbrojtjes dëshironin që të ndërhynin në Vietnam me trupa tokësore, sepse vetëm kështu mund të pengohej përhapja e komunizmit në Azinë Juglindore. Kennedy kishte tjetër mendim, ai ishte kundër luftërave, dëshironte paqe kudo në botë. Me një vendim të tijin, të cilin e bëri publik më 5 tetor 1963, Kennedy deklaroi se deri në vitin 1965 të gjithë këshilltarët amerikanë në Vietnamin e Jugut do të ktheheshin në shtëpi. 1000 këshilltarët e parë do të tërhiqeshin deri në fund të dhjetorit 1963.

Ky deklarim zemëroi së tepërmi ushtarakët amerikanë, Pentagonin, CIA dhe korporatat e industrisë së luftës. Kjo ishte edhe gozhda e fundit në kofinin e Kennedy. Në 22 nëntor 1963, pas më pak se dy muaj nga ky vendim, Kennedy u vra ne Dallas. Më 26 nëntor 1963, katër ditë pas vrasjes së Kennedy, Presidenti Johnson që e zëvendësoi atë, anuloi vendimin e Kennedy dhe gradualisht dërgoi rreth 500 mijë trupa tokësorë në Vietnamin e Jugut.(10)

2.CIA

Raportet e Kennedy me CIA, megjithëse ajo e ndihmoi të fitojë zgjedhjet e vitit 1960, u përkeqësuan që në muajt e parë të pushtetit, për shkak të dështimit në Gjirin e Derrave. Kennedy krijoi mendimin që CIA e futi në një aventurë që dihej se do dështonte, në mënyrë që më pas të ndërhyhej ushtarakisht në Kubë. Kennedy nuk pranoi të ndërhynte në Kubë, pasi ndërhyrja do binte në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar. Pasi aventura në Gjirin e Derrave dështoi, Kennedy shkarkoi drejtorin e CIA-s Alan Dulles, Zv.Drejtorin Charles Cabell dhe drejtorin e operacioneve klandestine Richard Bissell. Në një bisedë me vëllain e tij Robert, Presidenti Kennedy u shpreh se do ta griste CIA si letër në një milion copa dhe do t’i hidhte nga dritarja. Shpejt ai reduktoi kompetencat e CIA dhe zvogëloi buxhetin e Agjencisë me 25%. Kjo vendosi edhe një gozhdë tjetër në kofinin e Kennedy. Pas vrasjes së Kennedy, Alan Dullës u caktua anëtar i Komisionit “Warren”. Shumë historianë janë të mendimit që ai u caktua në Komision për të fshehur të vërtetën dhe jo për ta zbuluar atë. (11)(12)

3.FBI

Në rrethet politike në Washington ishte e njohur urrejtja e John Edgar Hoover, drejtori legjendar i FBI për vëllezërit Kennedy. Me ardhjen në pushtet, Kennedy donte ta zëvendësonte Hoover, por ngurroi ta bënte, sepse u frikësohej dosjeve që Hoover mund të kishte e mund t’i bënte publike për lidhjet e tij me femrat dhe mafien. Marrëdhëniet midis tyre u përkeqësuan pas Gjirit të Derrave dhe krizës së raketave, pasi Kennedy mendonte që Hoover nuk ndante me të informacione të rëndësishme për sigurinë kombëtare.(13)

4. KORPORATAT E NAFTËS E GAZIT, VEÇANËRISHT ATO TË TEKSAS

Sapo Kennedy erdhi në pushtet, ashtu si Nikson rreth 10 vjet më vonë, deklaroi që do të hiqte subvencionin prej 25% të kostos së nxjerrjes së naftës dhe që përfitohej nga korporatat e naftës. Ky subvencion jepej për të përballuar konkurrencën e vendeve të Gjirit. Heqja e subvencioneve do prekte ndjeshëm fitimet e korporatave të naftës dhe gazit, sidomos atyre me bazë në Teksas. Kennedy deklaroi planin e tij për heqjen e subvencioneve në fund të vitit 1963, por nuk arriti ta realizonte atë, sepse po atë vit u vra në Dallas të Teksasit.(14)

5. EMIGRANTËT KUBANË

Kubanezët e vendosur në Miami patën shumë pritshmëri nga Kennedy për rrëzimin e regjimit të Castros. Dështimi i ndërhyrjes në Gjirin e Derrave e ktheu dashurinë në urrejtje. Kjo e fundit u kombinua me urrejtjen e oficerëve të CIA, të cilët kishin trajnuar trupat e emigrantëve dhe kishin planifikuar e zbatuar ndërhyrjen në Gjirin e Derrave. Pas krizës së raketave Kennedy, në zbatim të marrëveshjes me sovjetikët, ndaloi aktivitetin subversiv kundër Castros të kubanezëve në Miami. Disa nga udhëheqësit kubane në Miami si Pepe San Roman, Erneido Oliva, Felix Rodrigues, Manuel Artime, Antonio Veciana etj. jo vetëm që kundërshtuan ndalimin e aksioneve, por i vazhduan ato dhe disa prej drejtuesve rezulton se ishin të përfshirë në ngjarjet ne Dallas (15)

6. MAFIA

Në fushatën e vitit 1960 për zgjedhjet presidenciale, Kennedy pati marrëdhënie të mira me disa nga kokat e mafies në Amerikë. Kjo kryesisht për shkak të lidhjeve që kishte krijuar i ati i tij, Joseph Kennedy. Madje Richard Nixon bën fajtor mafien për humbjen e tij shumë të ngushtë, ndaj Kennedy në Texas dhe Michigan në vitin 1960, humbje që atij i kushtoi presidencën. Pasi erdhi në pushtet, Kennedy emëroi prokuror të përgjithshëm vëllain e tij, Robert Kennedy. Ai pa vonesë nisi kryqëzatë të pamëshirshme ndaj mafies. Kjo mjaftoi që edhe mafia të kthehej në një armike po aq të egër ndaj vëllezërve Kennedy. Sipas Robert Blakey, ish-Prokuror i Departamentit të Drejtësisë dhe kryetari i Këshilltarëve të Komisionit të Senatit për hetimin e vrasjes së John Kennedy, krerë të mafies si Carlos Marcello, Santo Trafficante dhe Sam Giancana bashkëpunuan me forca të tjera për ta vrarë Presidentin në Dallas.(16)(17)

ÇFARË NDODHI NË DALLAS MË 22 NËNTOR?

Tri vite para ngjarjeve në Dallas, CIA kishte miratuar dhe ngritur një grup qitësish, të cilët stërviteshin për atentat ndaj Fidel Castro. Operacioni njihet si operacioni “Mongoose”. Qitësit stërviteshin duke goditur në distancë shalqinj të vendosur në vetura që lëviznin me shpejtësi. Pas ca kohësh, grupi e ndërroi objektivin. Objektivi i ri ishte Presidenti Kennedy. Për vrasjen e Kennedy, sipas historianëve që e kanë hulumtuar atë, janë bërë tri tentativa midis periudhës shtator-nëntor 1963. Fillimisht u tentua ta vrisnin gjatë vizitës së Kennedy në Çikago, por forcat e sigurisë të Presidentit u paralajmëruan për komplotin. Tentativa e dytë u bë në Tampa, por karvani i Presidentit ndërroi rrugën për të shkuar në vendin e konferencës ku ai do merrte pjesë.

Tentativa e tretë u be në Dallas. Në të vërtetë, shumë njerëz të ngushtë të Kennedy e paralajmëruan të mos shkonte në Dallas, pasi ky qytet ishte qendra e së djathtës ekstreme. Ekstremistët kishin kërcënuar që do ta vrisnin Presidentin nëse do të vinte në Dallas. Kennedy kishte dyshime, por vendosi të mos ta anulojë vizitën, pasi kishte shumë muaj që kishte premtuar që do shkonte në Dallas. Me faktet që janë zbuluar sot, askush me mend në kokë, nuk pranon që Kennedy e vau Lee Harvey Oswald, së paku jo i vetëm. Shumë autorë mendojnë që ai as nuk shtiu. Ai u përdor nga organizatorët për të mbuluar autorët e vërtetë të vrasjes. Madje Oswald kur u arrestua u shpreh që: “Nuk e kam vrarë unë, unë jam vetëm një ‘patsy’” (mbuluesi i përdorur nga të tjerët për të mos u zbuluar) (18). Një nga autorët më të besueshëm, juristi dhe këshilltari i Komisionit të Senatit për hetimin e vrasjes së Presidentit Kennedy, Gaeton Fonzi, pretendon që ka zbuluar ata të cilët qëlluan. Sipas tij, kubanezët Virgilio Gonzales e Eugenio Martinez si dhe agjentët e CIA Bernard Barker e Frank Sturgis, goditën nga kati i gjashtë i depos së librave shkollore dhe gardhi i zonës me bar përballë karvanit të veturave. Operacioni drejtohej nga Howard Hunt, përgjegjës i CIA për ndërhyrjen në Gjirin e Derrave.

Të pestë kanë qenë operativë të CIA dhe së bashku me James Mccord, hynë në hotelin “Watergate”, në atë që njihet si skandali “Watergate” ku u arrestuan dhe dënuan.(19) Dy autorë të tjerë, Rob Rainer dhe Dick Russell, në podcastin “Kush e vrau Kennedy”, episodi i 10, thonë se ata që qëlluan ishin kubanezi Herminio Dias Garcia, John Soutre, vrasës francez që tentoi të vrasë Presidentin francez De Gaulle, Charles Nicoletti, vrasës mafioz nga Chicago (Nicoletti e vranë pak para se të dëshmonte në Komisionin e Senatit që hetonte vrasjen e Presidentit Kennedy) Jack Cannon, operativ i CIA. Operacioni u drejtua nga Bill Harvey, zyrtar i lartë i CIA, i cili ishte përgjegjës i operacionit “Mongoose” për vrasjen e Fidel Castros, por që më pas ndërroi objektiv duke u fokusuar te Presidenti Kennedy.(20) Autorë të tjerë seriozë si gazetari Anthony Summers dhe historiani John Newman cilësojnë CIA si organizatore dhe ekzekutuese e vrasjes së Kennedy, por pa u ndalur në emra të veçantë se kush qëlloi.(21)

Në vitin 2007, Saint John Hunt, i biri i Howard Hunt, në një intervistë në revistën “Rolling Stone”, bazuar në kujtimet e të atit, identifikoi si organizatorë të vrasjes se Presidentit Kennedy, Zëvendëspresidentin Lindon Johnson, numrin tre të CIA, Cord Meyer, tre zyrtarë të lartë të CIA, David Atley Phillips, Bill Harvey dhe David Morales së bashku me një nga drejtuesit e emigrantëve kubanezë në Miami, Antonio Venciana. Hunt Jr. u shpreh se i ati Howard Hunt, kur ishte në shtratin e vdekjes pranoi që më 22 nëntor 1963 kishte qenë në Dallas. Kjo gjë deri atëherë ishte mohuar vazhdimisht nga Howard Hunt, madje duke hedhur në gjyq dy revista amerikane, që e akuzonin atë se kishte qenë në Dallas në 22 nëntor 1963.(22) Gjatë hetimeve të Komisionit “Warren”, mediat publikuan një foto të tre këmbësorëve të arrestuar dhe shoqëruar nga një polic i Dallas më 22 nëntor 1963. Brenda ditës ata u liruan. John Craig dhe Phillip Rogers në vitin 1992, në librin e tyre “The Man on the Grassy Knoll”, i identifikuan ata si agjenti i dyfishtë i CIA dhe Mafias Charles Harrelson si dhe dy operativë të CIA Charles Rogers dhe Chauncey Holt.(23) Në vitin 1974, kërkuesi investigativ Allen Weberman nëpërmjet analizave shkencore fotografike identifikoi dy prej tyre si Howard Hunt dhe Frank Sturgis.(24) Pas vrasjes se Kennedy, një mori individësh me lidhje me këtë vrasje, në rrethana mjaft të çuditshme u vranë, pësuan atak kardiak ose kancer akut.

CIA punonte prej kohësh në programe për eliminimin e kundërshtarëve të saj nëpërmjet stimulimit të atakut kardiak ose shkaktimit të kancerit akut. Disa nga personat që patën këtë fakt janë: Manuel Artime, drejtues i grupit kubanez “Alfa 66”, vdiq nga kanceri akut disa ditë para se të dëshmonte në Komisionin e Senatit Schweiker. Baroni De Morenshield, kontingjent i CIA dhe kujdestari i Lee Harvey Oswald pasi u kthye nga BRSS, vdiq nga kanceri akut. Mary Mayers, shkrimtare, piktore, gruaja e Cord Meyer, numri tre i CIA dhe e dashura e John Kennedy. U vra teksa vraponte në rrethinat e Washington DC. Ditarin që ajo mbante, ia rrëmbyen nga shtëpia kunati i saj, Bill Bradly, drejtor ekzekutiv i gazetës “Washington Post”, së bashku me drejtorin e Kundërzbulimit në CIA James Engleton. Sam Giankana, drejtues i mafies, u vra në shtëpinë e tij pak ditë para se të dëshmonte në Komisionin Schweiker.

Johny Rosselli, një nga krerët e mafies në SHBA, u vra pak ditë pasi dëshmoi në Komisionin Schweiker për tentativat e CIA për vrasjen e Fidel Castro. Trupi iu gjet i prerë në copa futur në një fuçi që lundronte në afërsi të Miami. Vincent Scott, shefi i CIA në Meksikë, organizoi operacionin e një fake Lee Harvey Oswald, i cili u paraqit në ambasadat e BRSS dhe Kubës në Meksikë, dy muaj para se të vritej Presidenti Kennedy. Pasi përfundoi detyrën e tij në Meksikë, vendosi që kundër vullnetit të CIA të botonte kujtimet e tij. Vdiq nga ataku kardiak. Kujtimet e tij ia rrëmbeu nga shtëpia drejtori i kundërzbulimit i CIA, James Engleton. Charles Nicoletti, vrasës mafioz dhe kontingjent i CIA, u vra pak para se të dëshmonte në Komisionin “Schwaiker”. Sot pak njerëz kanë dyshim që vrasja e Presidentit Kennedy ishte një konspiracion i institucioneve dhe individëve më të rëndësishëm të kohës në SHBA. Identifikimi i hollësishëm i tyre ndoshta pret publikimin e dokumenteve, që ende mbahen sekret shtetëror. Mundësia tjetër është që të vërteten se çfarë ë ngjau në Dallas më 22 nëntor 1963 të mos e mësojmë kurrë.

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura