Në Ditën Botërore të Pyjeve, Tirana mbolli pemën e 100 mijtë. Aksioni i Bashkisë së Tiranës, të cilit për disa muaj iu bashkuan me qindra donatorë dhe qytetarë e u shtri në të gjitha rrugët, lagjet dhe parqet e kryeqytetit, shënoi nisjen e gjelbërimit të Tiranës, por edhe krijimin e gjurmës për Pyllin Orbital.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe përfaqësues të bizneseve të ndryshme mbollën sot edhe 800 pemë të tjera në Mjull-Bathore. Ai njoftoi për shkak të kërkesës së madhe të donatorëve për t’u bërë pjesë e këtij projekti, aksioni i mbjelljes së pemëve mund të zgjatet edhe me disa ditë.
“Kemi pasur një fushatë me energji fantastike për Tiranën, e cila nisi thuajse si një lojë, duke mbjellë një pemë këtu e një atje, por siç gur-gur bëhet mur, edhe pemë-pemë bëhen 100 mijë pemë. Sot e kemi kaluar me disa dhjetëra pemë qëllimin tonë për 100 mijë pemët. Falenderoj të madh e të vogël: patëm donatorë që dhuruan nga 3 mijë pemë, por edhe fëmijë që dhuruan një pemë për ditëlindjen e tyre”, tha kryebashkiaku Veliaj.
Ai theksoi se falë këtij aksioni Tirana ka sot, jo vetëm më shumë gjelbërim dhe ajër të pastër, por ka ndryshuar edhe mentalitetin e qytetarëve.
“Ndryshimi më i madh nuk është në relievin e qytetit, pavarësisht se është shtuar hijeshia dhe oksigjeni. Ndryshimi më i madh është ajo që kemi mbjellë në mentalitetin e qytetit tonë. Një qytet, i cili nuk i shikon gjërat e ndara, veç punët private, veç ato të qytetit, po ku secili e kupton që, para se të jetë biznesmen, para se të punojë në telekomunikacion, para se të bëjë një shërbesë fetare apo para se të jetë një bankier, ka detyrën e qytetarit. Kjo është puna jonë me kohë të plotë, të qënit qytetar”, tha ai.
Kryebashkiaku theksoi se për shkak të interesit të madh të kompanive dhe qytetarëve që duan t’i dhurojnë pemë qytetit, Bashkia e Tiranës po vlerëson shtyrjen e këtij aksioni mbjelljesh edhe me një muaj tjetër.
“Duke qenë se kemi mbi 100 subjekte dhe mbi 1 mijë individë që janë ende në listë pritje për të dhuruar pemë, po mendojmë ta shtyjmë me disa ditë afatin dhe fushatën e mbjelljeve. Kështu, nesër pasi të bëjmë një bilanc të 100 mijë pemëve, do të deklarojmë datën e fushatës së re”, tha Veliaj.
Ai falenderoi të gjithë ata donatorë, figura publike, qytetarë të thjeshtë dhe të gjitha institucionet shtetërore, duke filluar nga çerdhet dhe për të përfunduar me shkollat e Tiranës, që sipas mënyrës dhe mundësive të tyre, kontribuuan në këtë aksion masiv mbjelljesh.
“Ne e dimë fare mirë që ju nuk e keni as detyrë, as detyrim, por fakti që gjithmonë i jepni mbrapsht diçka qytetit, na bën pafundësisht mirënjohës dhe unë e vlerësoj jashtë mase. Shumë nisma të tjera si ajo e banesave me kredi të buta, bëhen realitet falë bashkëpunimit ideal që kemi dhe dua që në emër të bashkisë dhe të të gjithë qytetarëve t’ju falenderoj pafundësisht”, u shpreh kreu i Bashkisë së Tiranës.
Në mënyrë simbolike, për ditëlindjen e tij, Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra, mbolli pemën e 100 mijtë.
“Dua t’i uroj mikut tim, Imamit të Tiranës, Ylli Gurrës, Gëzuar Ditëlindjen! E vlerësoj jashtë mase që zgjodhe ta kalosh ditëlindjen me ne dhe në mënyrë simbolike, mbolle pemën tonë të 100 mijtë. Të falenderoj për këto 95 pemë që dhuruat nga xhamitë e Tiranës për 95 vjetorin e KMSH-së”, përfundoi Veliaj.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al