Sot 6 janar besimtarët e krishterë festojnë Ditën e Ujit të Bekuar.
Ashtu sikur se çdo vit, edhe këtë 6 janar besimtarët e krishterë sfiduan temperaturat dhe u hodhën në ujë për të kapur kryqin e shenjtë.
Si e festua kjo ditë e shenjtë për të krishterët në rrethe?
Shtatë të rinj u hodhën sot në ujërat e akullta të Osumit në Berat.
Kryqi u kap për të dytin vit radhazi nga 16-vjeçari Kostandin Boçi,i cili uroi besimtarët në këtë ditë të shënuar.
Ceremonia e kësaj dite të shenjtë, si çdo vit, edhe sot filloi herët në mëngjes në Kishën e Shën Dhimitrit në qendër të qytetit, ku pasi u kryen të gjitha ritet fetare, Mitropoliti i Beratit, Imzot Asti, me kryqin në dorë dhe nën goditjen e kambanave të Kishës, i’u drejtua lumit Osum, për të hedhur kryqin, simbol të kësaj feste.
7 të rinj nga të gjitha lagjet e qytetit të Beratit, u hodhën në ujin e ftohtë të lumit për të pritur hedhjen e kryqit. Kryqi u kap nga 16-vjeçari Kostandin Boç,banues në lagjen “Goriricë” në Berat.
Si çdo vit, për të riun që kap Kryqin e Ujit të Bekuar, Kisha dhe Mitropolia i dhurojnë në shenjë simbolike 200 mijë lekë (të vjetra).
Më pas, ai shkoi me kryqin në dorë në çdo shtëpi të lagjeve: Goricë, Mangalem e Kala, banorët e të cilave “dorovisin” kryqin e bekuar që mban në dorë i riu.
Dita e Ujit të Bekuar nga besimtarët ortodoksë të Korçës.
Kremtimi i festës nisi prej mëngjesit me celebrimin e meshës hyjnore drejtuar nga Imzot Johani për të gjithë besimtarët në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”.
Dhe më pas qytetarët iu drejtuan shatërvanit te lulishtja ”Vangjush Mio”, ku është zhvilluar gjithnjë ceremonia e hedhjes së kryqit në ujë. Kryqin e kapi për herë te dytë 23 vjeçari nga Korça, Elvis Rakipi.
Ortodoksët në Elbasan morën pjesë në ritin e hedhjes së kryqit në pishinë
Dita e Ujit të Bekuar është kremtuar këtë 6 Janar edhe nga besimtarët ortodoksë të Elbasan.
Si fillim u mbajt mesha në kishë e më pas besimtarët morë pjesë në ceremoninë e hedhjes së Kryqit e cila është bërë si zakonisht në një nga pishinat private të këtij qyteti gjatë paradites së kësaj fillim jave.
Për nxjerrjen e Kryqit të shenjtë në pishinë u hodhën disa të rinj edhe pse temperatura ishte shumë e ulët.
Pas një gare të fortë që nuk zgjati shumë për nxjerrjen e Kryqit, ai u gjet dhe u nxor nga uji nga i riu Emanuel Sholla 14 vjeç nga shkolla Bardhyl Popa, ndërsa ceremonia u mbajt nga Imzot Andoni, Mitropoliti i Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit i cili uroi gjithë besimtarët në ditën e ujit të bekuar.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al