PANORAMA PLUS/ Sot është 14 Marsi, Dita e Verës, një nga festat më të vjetra dhe gjithëpërfshirëse në vendin tonë, dhe të shumta janë eventet që organizohen kudo, me Elbasanin që kthehet në “kryeqytet” të Shqipërisë.
Përse festohet “Dita e Verës”?
Kjo festë është një festë pagane mijëra vjeçare, e cila ka për synim t’i falet natyrës, ardhjes së stinëve të ngrohta, rigjallërimit të jetës në tokë. Duke qenë se në antikitet viti niste me muajin mars (duke ju referuar kalendarit Julian), atëherë sapo hynte marsi festohej ardhja e pranverës. Kësisoj, brez pas brezi shqiptarët kanë përcjellë festën, duke e sjellë atë deri në ditët e sotme.
Elbasani
Ballokumja
Çdokush e di se kjo ditë lidhet me ballokumen, një ëmbëlsirë e shijshme tradicionale që ka formën e diellit, që shpjegon dhe arsyen se përse është simboli i festës. Ballokumja është një biskotë e madhe që prodhohet me miell gruri ose misri me një përbërje të konsiderueshme sheqeri. Përgatitja është një sfidë e vërtetë për amvisat, të cilat duhet të respektojnë rigorozisht një rradhë të përzierjes së përbërësve që në shumicën e rasteve bashkohen vetëm me lugë druri në një enë që tradita e kërkon të jetë prej metalit të bakrit. Nëse keni të njohur nga Elbasani, mos harroni t’i kërkoni ndonjë ballokume, pasi vetëm kështu mund të kuptoni se si e kanë ngritur në art përgatitjen e kësaj ëmbëlsire amvisat elbasanllie.
Verore
Dita e Verës ishte dita e verojkave (ose veroreve). Nëse i referohemi “Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe” (viti 1980, faqe 2135), verojka ishte një gjalmë i përgatitur me fije të kuqe e të bardha që ua lidhnin fëmijëve në duar apo në qafë në Ditën e Verës (verojka, verore, nga verë). Por, me verore rrethoheshin edhe degët e thanave, dëllinjave, dafinave apo shelgjeve. Në shumë raste në Ditën e Verës thureshin kurora dhe i varnin në portat e shtëpisë, për të sjellë fat.
Kopshtaret e luleve dhe këngët e traditës
Dita e Verës nuk ka kuptim pa lulet dhe këngët. Prej kohësh elbasanasit njihen si kopshtarë me nam dhe këngëtarë të shpirtit. Lulet më karakteristike në Elbasan janë jasemini, karafili, trëndafili, zymbyli, karakaftet etj. Kultivuesit kujdesen për lulet në mënyrë që ato të shpërthejnë Ditën e Verës.
Gjatë natës dhe Ditën e Verës këndohen me pasion të veçantë këngët e mjeshtrit të muzikës popullore qytetare Isuf Myzyrit. Kënge të tilla si ; “Një lulishte me trëndafila”, “Ç’u dëshiruesh me të pa”, “Ma mirë n’pyll se sa n’qytet, “Si bilbili në pranverë” etj., këndohen jo vetëm nga elbasanasit, por në mbarë trojet shqiptare.
Nata e Verës
Përveç Ditës së Verës, shumë qytete festojnë dhe Natën e Verës ku gjithë qyteti duket sikur e ka pushtuar djalli me zjarret e ndezur. Ku fëmijët e vegjël bëjnë parapërgatitje 1 vit përpara duke mbledhur goma qe pikërisht të ndizen Natën e Verës!
Pas kësaj vjen dhe më e bukura, ku njerëzit bëhen te gjithë rebelë për një natë duke u mbyllur dyert e shtëpive në qytet dhe fshatra. Të nesërmen është dita kur thyhen me mijëra vezë derisa të dal veza fituese më e forta nga të gjitha!
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al