Presidenti Bajram Begaj, ka uruar ditën Kombëtare të Alfabetit, duke u shprehur se sot shqiptarët festojnë thesarin e çmuar dhe simbolin më të bukur të bashkimit kombëtar.
“Dita Kombëtare e Alfabetit nuk është thjesht festa e shkronjave shqipe, por përkujtim i shekujve të qëndresës së gjuhës sonë në të shkuarën, mirënjohje për vlerat e bukurinë e saj në të tashmen dhe një zotim për ta çmuar e iu dedikuar në të ardhmen”, shkruan Begaj në një postim në Facebook.
Në 116-vjetorin e Kongresit të Manastirit, në nderim të dijetarëve shqiptarë që vendosën njësimin e alfabetit shqip, sot Presidenti takoi dhe fituesit e Konkursit Kombëtar të Gjuhës Shqipe, nxënës të shkollës “Rilindja” në qytetin e Kavajës: Ajra Bexhdili, Klevis Musa, Kejsi Teliti, Najla Vrapi dhe Kejsi Shehi, të shoqëruar nga drejtuesja e shkollës, Hamide Kariqi, mësuesja e Gjuhë-Letërsisë, Matilda Bardhi, si dhe Kryebashkiaku Fisnik Qosja, të cilët ndanë, në një bisedë të bukur, eksperiencat e konkursit dhe vlerat e tij në Vitin e Gjuhës Shqipe.
Kreu i Shtetit shprehu besimin se ky konkurs kombëtar duhet të kthehet në një traditë të përvitshme, që ndër breza ne të vijojmë të ruajmë, si edhe të pasurojmë gjuhën tonë.
“Kur ndërtohet një shtëpi, nuk bëhet e bukur çatia, bëhen themelet e forta. Këto themele të hedhura në shkollën “Rilindja” tregojnë që gjuha, rrënja jonë, gjuhë e shqiponjave, do të vazhdojë të mbijetojë. Ajo që keni treguar gjatë kësaj kohe është se përdorimi i saktë dhe i duhur i gjuhës shqipe, mbrojtja dhe promovimi i saj, patjetër dhe pasurimi, është vlerë, vlerë e kombit tonë”.
Nxënësit u shprehen se ia dolën të çojnë trofeun në Kavajë me ndihmën e mësuesve dhe në bashkëpunim të fortë si ekip.
“Secili nga ne ka një talent të ndryshëm, si copat e një puzzle që veçmas nuk kemi kuptim, por kur u bashkuam, atëherë dhe ia dolëm të fitonim”.
Presidenti i Republikës i dhuroi secilit nxënës një Fjalor të Gjuhës Shqipe si simbolikë të përkushtimit që ata kanë treguar ndaj gjuhës shqipe duke dalë fitues të konkursit ndër 900 shkolla në vend.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al