Botimi ditët e fundit i fragmenteve nga libri i ri i Prof. Servet Pëllumbit “Përvoja ime në Partinë Socialiste” (Ditar politik 1991-1996) ka ngjallur interes tek lexuesit, por edhe reagime kontestuese nga disa emra të njohur të asaj partie që përmenden në libër. Ndër ata që kanë reaguar më ashpër kanë qenë Kastriot Islami (ish-kryetar parlamenti dhe ish deputet) si dhe Bashkim Zeneli, (ish-anëtar i kryesisë së PS-së).
Lidhur me kundërvënien që ata i bëjnë autorit të librit për ato që treg në ditarin e tij, prof. Pëllumbi thotë se nuk ndihet aspak i befasuar nga qëndrimi dhe sulmet e tyre. I kontaktuar nga ‘DITA’, Servet Pëllumbi tha:
“Nuk kam asnjë përgjigje për ta. E prisja këtë reagim të tyre dhe nuk çuditem aspak. Reagimet e tyre ngjajnë si dy pika uji me reagimet dhe sloganet tipike të Sali Berishës. Po të ndodhte e kundërta, pra që ata të reflektonin dhe të flisnin ndryshe, kjo do të më befasonte…
Në të vërtetë unë në librin tim flas konkretisht, me emra konkretë dhe për situata konkrete të njëzet e ca viteve më parë, të cilat ata nuk i mohojnë dot, sepse kështu ka ndodhur dhe unë nuk u shtoj asgjë atyre që kam shkruar në kohën kur kanë ndodhur ngjarjet. Por vëreni qëndrimin e tyre: në vend të sqarojnë sjelljen e tyre për kohën që kanë ndodhur ngjarjet, hidhen në sulme me etiketime tipike berishiste si marksist, trockist etj.
Ajo që më bëri të qesh ishte një shprehje e Zenelit dje kur thoshte se unë me këtë libër po mbroj oligarkët! Pra ata nuk merren me thelbin, me qëndrimet e tyre që i kanë sjellë dëme të mëdha partisë për vitet që unë flas, por maskohen me etiketimet kundër meje. Për shembull unë tregoj për takimet e fshehta të Bashkim Zenelit me Berishën, në një kohë që Partia Socialiste vuante nga përndjekjet dhe një luftë e hapur e Berishës kundër socialistëve, tani Zeneli nuk sqaron këto fakte që unë sjell në libër po hidhet degë më degë e thotë se unë po mbroj oligarkët!
Jo nuk ia vlen të merresh me Bashkimin e të replikosh me të, aq më pak të marr në konsideratë Kastriot Islamin që tani është ulur në prehrin e Berishës dhe flet njëlloj si ai. Jo, nuk do harxhoj kohë të merrem me ta dhe duhet të më mirëkuptoni për faktin pse unë refuzoj të replikoj me ta”.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al