“Ditë historike”- Themeluesi i WikiLeaks, Julian Assange kthehet në shtëpi pas 14 vitesh beteja ligjore!

Jun 26, 2024 | 8:07
SHPËRNDAJE

“Pas 14 vitesh beteja ligjore, Julian Assange është i lirë të shkojë në shtëpi”, u tha gazetarëve avokatja Jennifer Robinson jashtë gjykatës në ishullin Saipan, ku u mbajt marrëveshja e themeluesit të WikiLeaks me drejtësinë amerikane.

Julian Assange

Gjykatësja Ramona Manglona pranoi deklarimin e tij të fajësisë për komplot për marrjen dhe zbulimin e dokumenteve të fshehta të sigurisë kombëtare të SHBA-së dhe e liroi atë për shkak të kohës që ai kishte shërbyer tashmë në një burg britanik.

Gjatë seancës dëgjimore tre-orëshe, Julian Assange u deklarua fajtor siç kërkohet nga marrëveshja: “Duke punuar si gazetar, inkurajova burimin tim të jepte informacione që pretendohej se ishin të klasifikuara për t’i bërë publike,” tha ai në gjykatë.

“Unë besoja se Amendamenti i Parë e mbronte këtë aktivitet, por e pranoj se ishte … shkelje e Aktit të Spiunazhit,” shtoi Assange.

Themeluesi i WikiLeaks qëndroi i burgosur për pesë vjet në burgun e sigurisë maksimale në Belmars, pasi i kaloi 7 vite në ambasadën e Ekuadorit në Londër.

52-vjeçari Assange do të largohet nga Saipan me avion privat për në Canberra, Australi, i shoqëruar nga ambasadorët australianë në SHBA dhe Britani.

“Sot është një ditë historike”, tha avokatja mbrojtëse Jennifer Robinson. “Është një lehtësim i madh për Julian Assange… për miqtë e tij, familjen, mbështetësit e tij, për ne, për këdo që beson në fjalën e lirë në mbarë botën… që ai tani mund të kthehet në Australi dhe të ribashkohet me familjen”, shtoi ajo.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura