Ditëlindja e Stalinit dhe “21 Dhjetori” në Tiranë, zanafilla e emërtimit në diktaturë! Pse duhet ndryshuar emri

Dec 4, 2024 | 15:07
SHPËRNDAJE

NGA PROF. DR. ELMAS LECI

Te i quajturi “21 dhjetori”, kanë vënë edhe një “memorial” të madh, nuk e di pushteti vendor apo privati, ku shkruhet me germa të mëdha e të bukura, “21 dhjetori”.

Se çfarë është e çfarë përfaqëson 21 dhjetori, njerëzit sot përgjithësisht nuk e dinë dhe po të mos ndodhte kështu që ne e kemi mes nesh memorialin e madh 21 dhjetori, as nuk kanë përse ta dinë e nuk ka se çfarë t’iu duhet ta dinë!

Megjithatë me që është tema, po ua kujtoj që në fillim, 21 dhjetori është ditëlindja e Stalinit, ku e ka zanafillën edhe emërtimi i 21 dhjetorit, pasi aty ishte Ndërmarrja e Ndërtimeve, që regjimi komunist i kishte vënë emrin sipas ditëlindjes së Stalinit, 21 dhjetori.

MixCollage-03-Dec-2024-12-49-PM-7462

Disa të moshuar edhe sot e mbajnë mend mirë atë vend apo kryqëzim rrugësh UnazëKombinat, si vendin e Ndërmarrjes së Ndërtimeve të kohës së socializmit, po me të njëjtin emër, “21 dhjetori”. Ish-regjimi komunist ia vuri emrin ndërmarrjes apo kombinatit të ndërtimeve “21 dhjetori”, për nder të ditëlindjes së Stalinit.

Dhe kur e kujtojnë tani, mendoj se përsëri njerëzit masivisht mendojnë se po flasin po për atë, për ndërmarrjen e ndërtimeve, duke nënvleftësuar emërtimin special, 21 dhjetori. Por jo! Ata kur thonë “21 dhjetori” po përkujtojnë çdo ditë e çdo minutë, madje aq herë sa ata shprehen “21 dhjetori” po përkujtojnë (dashje pa dashje) tjetër gjë, po përkujtojnë Stalinin sepse nuk e dinë (ka edhe që e dinë, ata të vjetrit) se po përkujtojnë atë, diktatorin e xhelatin më të madh të historisë njerëzore, Josif Visarionoviç Stalinin, përbindëshin që vrau më se 20 milionë njerëz dhe persekutoi miliona të tjerë në stepat e Rusisë, madje edhe ne na bëri këtu në Shqipëri, me eksperimentin e tij socializëm, që të arrijmë te tolloni e të hanim bar.

Të gjithë kur shkojnë për në Kombinat, e kur duan të ndalojnë aty te kryqëzimi i Unazës, të thonë “te 21 dhjetori”. Aty afër kryqëzimit ka qenë Ndërmarrja e dikurshme e Ndërtimeve e kohës së socializmit, që mbante emërtimin e ditëlindjes se Stalinit, 21 dhjetor. Tashmë Bashkia (përgjegjësit e saj) e ka evidentuar më shumë, i ka vënë edhe një si memorial, siç ka bërë me “Ali Demin” te ulliri rruga e Shkozës, me “Bërrylin” te kryqëzimi i unazës me Bulevardin “Bajram Curri” etj. etj.

O njerëz, 21 dhjetori është ditë thagmë e popujve, është ditëlindja e atij që mohoi liritë dhe të drejtat e njeriut e nuk duhet përkujtuar, madje as përmendur fare. Ajo është ditëzeza jonë, ditëlindja e “të madhit Stalin”, e gogolit të njerëzimit. Edhe sa do të vazhdojmë ta kujtojmë xhelatin Stalin, me zhargonin e mos dijes se çfarë është “21 dhjetori””?! Kudo bustet e tij ja kemi rrëzuar, madje nga të parët. Kujtoni Shkodrën që ishte e para!

E para që e rrezoi bustin e tij në ’90-n, bustin e diktatorit të ish-Bashkimit Sovjetik e të popujve mbarë. Mirëpo, ndonëse bustin ia kemi rrëzuar, ende ditëlindjen e tij e kujtojmë 100 a 1000 herë në ditë, duke thënë e përmendur “21 dhjetori”, kjo më shumë për faj të qeverisjes vendore. Se ç’faj ka populli që thotë, te “21 dhjetori”?!

Se mos qeverisja vendore vuri një emërtim tjetër që ta mundë atë “21 dhjetorin” dhe populli nuk e përkrahu! Pa pretenduar se shtypi jep direktiva, qeverisja vendore duhet ta zgjidhe këtë çështje, eliminimin e ditëlindjes se despotit Stalin. Po si?! Le të gjejë e vendosë një emër tjetër mbi atë 21 dhjetorin, emër që të ngjisë, që të ketë peshë më të madhe në opinion, që ta eliminojë datëlindjen e të keqit. Po përmend një shembull se si ngjit.

Në fshatin Kullë të Durrësit, para 50-60 vjetësh, një kthese rruge, atje njerëzit i thoshin “te shtëpia e xha Hasanit”, se xha Hasani kishte zbritur nga malësia e Tiranës me 5 fëmijët jetimë nga nëna dhe kishte ngritur aty te kthesa e rrugës kryesore të asaj zone, kasollen apo shtëpinë e tij. Ajo u bë pikë orientuese dhe njerëzit e zonës e ngado, për lokalizim vendi, thoshin “te shtëpia e xha Hasanit” që ishte kthesa e rrugës.

Mirëpo një ditë vijnë aty romët me ariun kërcimtarë dhe u ranë dajreve e ariu “kërcente”. Njerëzit me kuç e me mace dolën te kthesa dhe u mblodhën rreth e rrotull dhe qe nga ai moment u eliminua te “kthesa e xha Hasanit” e u thirr dhe i mbeti vendit edhe sot e kësaj dite te “kthesa e ariut”, sepse ngjiti. Kështu që të ngjisë, kjo është e rëndësishme dhe domosdoshmëri, ndaj Bashkia (nëse ndodh) duhet ta mendojë mirë për “21 dhjetorin”, që të gjejë një emër që të ngjisë dhe të harrohet përfundimisht ditëlindja e Stalinit.

Autori: Drejtor Ekzekutiv Instituti i Sigurisë dhe Mbrojtjes

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura