Afrim Imaj- Gazeta Panorama.al/ Bullgaria komuniste e mrekullive pa fund nuk kishte qenë ajo që promovohej mediatikisht. As ajo që turmetonte Tirana e Enverit. ”Kur regjimin e shkela në kallo dhe fillova të denoncoj dhunën e tij, më hoqën nga detyra menjëherë dhe më përplasën në çmendinë.
VIJON NGA NUMRI I KALUAR (LEXO KETU)
Madje, në psikiatrinë e Sofjes më bënë kavie eksperimentale!” Përtej këtij momenti që përcakton fillimin e dramës të ish-prokurores së Bullgarisë me kombësi shqiptare, në numrin e djeshëm gazeta publikoi kujtimet e Agllaia Zotos nga ditë-netët kur gjurmohej nga KGB-ja dhe shërbimi sekret i Sofjes për t’u ekzekutuar sipas vendimit të Gjykatës Ushtarake Bullgare.
Ndërkaq, ajo çfarë ndodhi me të gjatë kohës kur jetonte në Paris dhe mbështetja që gjeti aty nga personalitetet më në zë të Francës, përbëjnë pjesën më interesante të retrospektivës së panjohur nga opinioni shqiptar. Ndërkaq, Zoto zbulon për herë të parë mënyrën dhe rrethanat si është divorcuar me prokurorin Dhimtër Zdravçevin, duke kujtuar misionin e Kadri Hazbiut në Sofje, i cili i transmetoi urdhrin e Enverit për ndërprerjen e kësaj lidhje të bekuar prej tij.
Pjesa në vijim e kujtimeve të Zotos fokusohet te drama që ka përjetuar ajo kur është rikthyer pas shumë peripecive në Shqipëri. Pikërisht atëherë kur mendoi se fitoi lirinë e vërtetë, u ndesh me tjetër rrebesh nga regjimi i Tiranës. Akoma pa u rehatuar mirë në shtëpinë e nënës tek “Ali Demi”, autoritetet e policisë sekrete do ta befasonin me njoftimin zyrtar për t’u nisur menjëherë në Lushnjë. “Për ironi të fatit, shprehet Agllaia, urdhrin e çuditshëm me firmën e Enverit ma komunikoi djali i Gogo Nushit, shokut tim të viteve të luftës”. Prej këtej gruaja, që kishte kaluar tri dekada jashtë vendit, përfundoi në Lushnjë. Izolimi për të ishte total.
Tri herë në ditë duhej të paraqitej te shefi i policisë. Në asnjë rast nuk duhej të largohej nga banesa pa lejen e tij. Asnjë kontakt me të afërmit dhe miqtë pa miratimin e zyrtarëve, etj. Këto ishin vetëm një pjesë e atij kalvari dhjetëvjeçar, që rëndonin përditë e më shumë shëndetin e gruas, e cila e kaloi pjesën më të madhe të jetës në Parisin e mrekullive. Po si e përshkruan Zoto këtë histori të vrazhdë në bllokun e kujtimeve të saj…
Në Francë, edhe pse ndihesha mirë, përsëri mendjen e kisha nga Shqipëria. Ishte kjo arsyeja që 10 vite me radhë kërkoja të vija pranë njerëzve të mi. Komunikimin me ta deri atëherë e mbaja vetëm me letra. Dita-ditës këmbëngulja dhe shpresoja për t’u rikthyer. Mirëpo, Enveri me gjithë përkrahjen e veçantë që më ka dhënë për problemet jetike që kam pasur, nuk më jepte vizë për të parë nënën që po shkonte 100 vjeçe. Madje, as nënë Uranisë nuk i jepte vizë për të ardhur në Paris. I kishte kapur frika e propagandës që bëja unë në Perëndim kundër regjimeve totalitare komuniste. Kishin frikë se do të shkruaja dhe për Shqipërinë.
As e kisha çuar kurrë në mëndje diçka të tillë. Lajmet nga Tirana në Francë ishin fare të pakta e të pakuptueshme. Sa herë nisja të shkruaja diçka për vendin tim, e konsultoja me shkrimtarin më të madh francez të asaj kohe, Zhylbert Pyry, i cili ishte intelektual i spikatur i së majtës. Ai më thoshte se Shqipërinë e njihte shumë mirë dhe ishte mik i ngushtë i Enver Hoxhës. Në fakt, unë kisha bindjen se i vetmi vend në botë që u qëndronte besnik idealeve dhe premtimeve tona të kohës së luftës ishte Shqipëria, ndërkohë që ajo ishte burgu më i madh, regjimi më çnjerëzor, më i ashpër, më i egër, më i pamoralshëm…
NJË VIZË PËR NË SHQIPËRI
Saga e vizës për të ardhur në Shqipëri ka qenë një histori e dhimbshme, që më ka bërë të vuaj për shumë kohë. Sa e sa herë jam takuar me ambasadorin Dhimitër Lamani dhe me Javer Malon dhe gjithnjë merrja të njëjtën përgjigje: “Për ne, si zyrtarë të ambasadës, duhet të pajisesh sa më parë me vizë, por nuk e dimë arsyen pse nuk miratohet kërkesa jonë nga autoritetet e Tiranës”. U bënë kohë të tëra që si ambasadori dhe konsulli qëndronin në të njëjtin argument. Vetëm kur erdhi një sekretar i ri në Ambasadë, Nendret Hoxha e quanin, gjërat filluan të lëvizin për mirë.
Një ditë, ai më thirri dhe më tha se kërkesa ime ishte marrë parasysh. Pastaj kur më përcolli, diku afër portës, më ndaloi dhe filloi të më porositë: “Agllai, Shqipëria nuk është ajo që mendon ti. Ta them këtë në koefidencë për ta pasur parasysh. Kur të shkosh aty, duhet të kesh kujdes që mos të mburrësh asgjë nga Perëndimi. Nuk duhet të tregosh asnjë konsideratë pozitive për Perëndimin. E para kjo. Tjetra, jo që në fillim të kërkosh për të botuar libra. Le të kalojë ca kohë dhe kur ata të shikojnë që ti nuk je influencuar nga Perëndimi, po vazhdon të jetosh ditët e tua modeste si ish-luftëtarja e dikurshme, jashtë të gjitha influencave të huaja, me siguri që kanë për të t’i ofruar të gjitha mundësitë e nevojshme”.
E dëgjova me shqetësim dhe aty për aty i thashë se mos jeni provokator. “Ua, ç’thua moj Agllai, unë provokator? Qëllimi im është krejt dashamirës, në mënyrë që kur të jesh aty, të mos befasohesh me situatën…”. Dhe ndodhi që erdha, duke bërë realitet ëndrrën e shumë viteve, atë që e kisha dëshiruar prej kohësh. Pas gjithë atyre peripecive që kisha kaluar, mendova se mund të qetësohesha, por isha gabuar.
RIATDHESIMI NË VITIN 1978
Ka qenë një ditë vere e vitit 1978 kur rikthehesha në Tiranë pas shumë dekadash. Pritja në Rinas ishte e bukur, e ngrohtë, me dhurata, me lule nga miqtë dhe familjarët. Shkova te shtëpia ime në lagjen “Ali Demi”, në një apartament të mrekullueshëm ku jetonte nëna me njërin nga vëllezërit. U kënaqa që konditat në Shqipëri ishin të mira, që nuk ekzistonin më ato shtëpitë e ulëta e të ngushta. Kështu kaluan ditët e para, ku ndihesha e lumtur në ngrohtësinë e miqve dhe familjarëve. Në krye të tri javëve më thirrën në Drejtorinë e Punëve të Brendshme.
Zyrtari që më priti ishte djali i Gogo Nushit, me të cilin bisedova lirisht. Duke më folur, ai më komunikoi se sipas rregullit njerëzit që vijnë nga jashtë për t’u riatdhesuar,(si rasti im), duhej të shkonin disa kohë jashtë Tiranës për t’u ambientuar dhe pastaj të ktheheshin në kryeqytet. Mirë, i thashë, të bëhet si është rregulli zyrtar. Më tha se do të shkoja në Lushnjë. Mos më çoni aty, i thashë, pasi unë kur isha partizane kam qenë në Lushnjë, ashtu siç kam qenë dhe në Mesaplik, në Fier e në të gjitha këto zona. Do t’u kërkoja të më çonit në Krujë, që është një zonë malore dhe më bën mirë për shëndetin. “Do ta bënim me gjithë qejf, më tha djali i Gogo Nushit, por për njerëzit që riatdhesohen dhe duhet të ambientohen, është përcaktuar zyrtarisht qyteti i Lushnjës”.
Desha nuk desha pranova. Pas një muaj erdhi dhe dokumenti me vendimin e Komitetit të Internim Dëbimeve. Si tani e mbaj mënd tekstin e tij: “Vendim Numër 11 janar 1979. Agllaia Zoto internohet në Lushnjë me detyrimin e paraqitjes tri herë në ditë në Degën e Punëve të Brendshme, në mëngjes ora 07, në drekë ora 12 dhe në darkë ora 21”. Motivacionin ma komunikuan me gojë dhe, sipas tij, bëhej fjalë se kisha shkruar libra dhe kisha bërë propagandë në Perëndim kundra Regjimit Totalitar Komunist. Në datën e caktuar shkova në Lushnjë.
Autoritetet më sqaruan për gjithçka dhe më caktuan banesën, e cila ishte në një pallat në qendër të qytetit. Në përgjithësi kushtet ishin të mira. Po kështu dhe komshinjtë. Një pjesë të tyre, siç e mora vesh më vonë, policia sekrete i kishte porositur që të bënin kujdes për të parë se ku shkoja, me kë flisja, kush më hynte e më delte nga shtëpia etj. Kjo më befasoi pa masë. U tmerrova. Më dukej një gjë e paimagjinueshme. Po gjithsesi u pajtova…
NË LUSHNJË SI ARMIKE E POPULLIT
Jetesa në Lushnjë ishte e vështirë, sidomos për mua që isha e vetme dhe pa të ardhura. Veç kësaj, raportet me degën e brendshme që m’i impononte rregulli, më rëndonin edhe më tepër. Desha nuk desha, iu nënshtrova kushteve si m’u imponuan. Nuk kisha si të sillesha ndryshe. Kam qenë shumë korrekte me të gjitha kërkesat zyrtare. Komisari i Degës, Shefqet Zerdelia, qysh ditën e parë që më thirri në zyrë dhe m’u drejtua me një ton brutal: “Ti armikja e popullit, në qoftë se do të vonohesh qoftë dhe trI minuta nga orari i caktuar për t’u paraqitur në degë, do degdisesh në fshatrat ku mushkonjat janë sa një aeroplan!”. Fjala e tij ishte ligj. Ashtu dhe vetëm ashtu duhej bërë patjetër.
Ky ritual përsëritej tri herë në ditë. Madje, unë shkoja 5-10 minuta përpara. Kur binte shi, futesha brenda në ndërtesën e policisë. Më njihnin të gjithë. Pesë vjet rresht jam paraqitur 10998 herë te sporteli i policisë. Gjatë verës dhe në ditë me diell shkoja, ose me motorin e vogël, ose me biçikletën time. Më problem kisha paraqitjen në mbrëmje, sidomos në dimër kur errësohej shpejt. Teksa kthehesha për të shkuar në shtëpi, më merrnin qentë nga pas, më grisnin pantallonat dhe më kafshonin nga kofshët. Ende kam në këmbë gjurmët e dhëmbëve të qenve të Lushnjës. Sa absurd dhe tronditës ky rregulli për t’i shkuar shefit të policisë tri herë në ditë në zyrë.
Kisha njohur vërtet realitete të vështira të shoqërive totalitare, madje kisha bërë libra për to, por diçka e tillë nuk më kishte shkuar në mendje. Kisha përjetuar dhunën e reprezaljet e Regjimit Komunist në Bullgari, në Beograd e gjetkë, por ajo çfarë përjetohej këtu ishte përtej imagjinatës njerëzore. U plagosa shpirtërisht, aq sa zemra më kullonte vrer nga marazi. Autoritetet vetëm nga dyshimi se mos shkruaja libra kundër Regjimit dhe Shqipërisë, më izoluan dhe më gjurmonin gjithandej. Nuk bëhej fjalë fare për lirinë e shumëdëshiruar, për të cilën kisha shkruar me mijëra faqe gjatë viteve kur jetoja në Paris.
Një jetë krejt tjetër bëja në Lushnjë. Aty, pa frikë, mund të them se përjetova ferrin e vërtetë. Po sidoqoftë, kam mbresat më të mira për banorët e thjeshtë të qytetit. Me aq sa kishin mundësi, ata e shprehnin hapur respektin dhe mirësinë ndaj meje. Veçanërisht fqinjët kishin krijuar marrëdhënie të mrekullueshme. Sa herë më shikonin në radhë në sportelet e dyqaneve (në atë kohë radhët e gjata dominonin në të gjitha objektet e shërbimeve publike), tërhiqeshin dhe i thoshin shitëses “jepi, jepi Agllaisë, se ne presim”. Kam përjetuar një dashuri të sinqertë nga gjithë qytetarët që më njihnin.
Ashtu zvarrë-zvarrë në atë kalvar të pafundmë vuajtjesh mbaroi periudha pesëvjeçare e internimit që ishte me ligj. Ditën që u mbushën plotë 5 vite, më thirri kryetari i Degës së Punëve të Brendshme. M’u duk disi më ndryshe çehreje e tij këtë radhë. “Kemi urdhër personal nga Ministri i Punëve të Brendshme, Hekuran Isai, më tha, të të komunikojmë përfundimin e kohës së izolimit dhe të të përgëzojmë për disiplinën korrekte që ke treguar.
Gjatë tërë kohës nuk je vonuar asnjë minutë në oraret e paraqitjes dhe nuk ke krijuar as më të voglin shqetësim për autoritet zyrtare dhe qytetarët e Lushnjës. Tani mund të udhëtosh pa leje nëpër Shqipëri”. Kaq ishte komunikimi i tij dhe si më dha dorën, u fut në zyrë. Sakaq, unë mora rrugën për në banesë, tanimë e lirë. Ecja duke u çapitur si e përgjumur dhe kujtoja ditënetët e vështira në izolim. Një jetë që nuk e kisha menduar kurrë.
Çuditërisht, aty askush nuk më kërkoi të shkoja diku për punë. Jetoja me dollarët që kisha sjellë nga Parisi. I kisha depozituar në Bankën e Shtetit dhe i merrja pjesë, aq sa i lejonte rregulli i asaj kohe. Ndërkaq, shteti shumë shpejt filloi të më japë edhe pensionin e luftës si ishpartizane e Lëvizjes Antifashiste që arrinte 1000 lekë të vjetra në muaj. Këtu është edhe kontradikta e madhe e sjelljes së Regjimit me mua: E dënuar politike e sistemit socialist dhe njëherazi përfituese e statusit të veteranes së luftës!
TRI LETRA ENVERIT DHE ASNJË PËRGJIGJE
Raportet me Enver Hoxhën kanë qenë një kapitull më vete. Gjatë pesë viteve të izolimit i kam shkruar 2-3 letra, me anën e të cilave i kërkoja një takim për t’i sqaruar nga afër çështjen time. Nga Enver Hoxha nuk po më vinte asnjë lloj reagimi, derisa aty nga mezi i periudhës së internimit më erdhi në banesë Leka Shkurti, një këshilltar i tij dhe më shpjegoi për porosinë personale të Enverit, i cili ishte interesuar për kushtet ku jetoja.
Pa pritur t’i rrëfeja unë çka mendoja, Leka Shkurti, nisi ligjëratën e tij, në formë monologu: “Me sa konstatojmë, tha ai, konditat i ke të mira, shtëpinë shumë të mirë, statusin e luftës e merr, nënë Urania përfiton pension nga Franca, koha e internimit po ikën, sa ta mbarosh, do vish në Tiranë”. Kaq ishte i tërë mesazhi, që me sa dukej vinte nga Enveri. Më ngrohu paksa, por kjo kishte qenë thjesht një demagogji sa për të kaluar radhën. Përfundimisht, Enveri më kishte hedhur në koshin e elementëve antiparti. Kishte lënë pas gjithçka nga marrëdhëniet e dikurshme dhe më kishte shpallur person të padëshirueshëm.
Me sa duket, librat e mi me denoncime për rrezikshmërinë e Regjimeve Komuniste ndaj lirive dhe të drejtave të njeriut, i kishin djegur Enverit. Haraçi kuptohet pastaj. Sidoqoftë, pas atij komunikimi ogurmirë të shefit të Degës në Lushnjë, mora rrugën për në Tiranë. Po nuk kishte qenë e thënë të rehatohesha. Sa mbërrita në Tiranë, më thirrën prapë në Lushnjë. Me sa dukej, kisha mbaruar kohën e izolimit, për të cilën paraqitesha ti herë në degë, por jo internimin. Dega e policisë së qytetit më qortoi që lëviza pa lejen e saj. “Ç’është kështu, u thosha, çfarë ndodh me mua”. “E do ligji, e do rregullorja”, më sqaronin me ftohtësi. “Ky është terrorizëm, është marrëzi”, ua ktheja unë e indinjuar. Po ata vazhdonin në të tyren: “Ti nuk do të lëvizësh nga Lushnja, po qe se nuk të themi ne këput qafën!”.
INCIDENTI ME HEKURAN ISAIN TE MINISTRIA E BRENDSHME
Deri në vitin ’90 vazhdoja të qëndroja në Lushnjë. E detyruar, madje me përcaktim për çdo lëvizje jashtë qytetit. Ishte koha kur filluan të jepnin pasaportat. Kërkova dhe unë ta merrja. Po kush të më dëgjonte. Trokita disa herë në degën e policisë dhe fjala binte në vesh të shurdhër. Atëherë i dhashë fund durimit dhe thashë të sillem si rrugaçe. Pa pyetur për pasojat, u nisa pa leje në Tiranë. I hipa një autostopi dhe u nisa. Vendosa të takoja me çdo kusht ministrin e Brendshëm, Hekuran Isain.
Ishte e pamundur t’i afrohesha zyrtarisht. Te hyrja e ministrisë, policët e shërbimit as të linin të afroheshe, pa le të të krijonin mundësinë të takoje Hekuran Isain. Bëra, ç’bëra dhe ia dhashë britmës një moment kur kaloi ai te porta. Me sa duket, ai më dëgjoi dhe pyeti rojet çfarë ndodhte. Ata i raportuan përse bëhej fjalë dhe ministri i urdhëroi të më çonin në zyrën e tij. Hekurani, sa i tregova historinë, ngriti telefonin dhe kërkoi kryetarin e policisë së Lushnjës. Kryetar në këtë kohë ishte një bukurosh nga Shkodra që më shikonte mua sikur të isha një terroriste botërore. Në prezencën time e urdhëroi të më jepte menjëherë pasaportën dhe si më përshëndeti, u largova.
Ndjeva një lloj lehtësimi dhe të nesërmen u paraqita në zyrën e kryetarit të Lushnjës. Mendova se nuk do të kishte më vështirësi, por nuk ishte e thënë. “Po ti moj bushtër, pse e shqetëson udhëheqjen!.”, më priti ai me një zhargon të pambarimtë fyerjesh e sharjesh. E pashë që ishte e kotë të flisja me të dhe e revoltuar dola jashtë, duke bërtitur se do të shkoja prapë te ministri. Sakaq, ai u çua në këmbë dhe më tha të merrja pasaportën që ma kishte bërë gati. Sa mora pasaportën, u nisa në Greqi. Doja shumë të isha në Atdheun tim. Kam dhënë aq sa të kem një fole në tokën time ku të këndojë për Shqipërinë…
* Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.
LEXO KETU: