‘Do ndërtohen 10 mijë apartamente’/ Skema për familjet e pastreha pas tërmetit, nga 1 janari nis…

Dec 4, 2019 | 9:46
SHPËRNDAJE

ben ahmetaj

Me apo pa miratimin e familjeve të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, qeveria e ka tashmë një skenar për strehimin e tyre. Deri në fund të vitit, familjet e mbetura në qiell të hapur do të vijojnë të qëndrojnë në strukturat akomoduese ku janë aktualisht.

Ndërkohë, prej 1 janarit, atyre do t’u ofrohet një bonus i përmuajshëm, vlera e të cilit ende nuk është përcaktuar, me të cilin do të përballojnë edhe qiranë.

Duke qenë se një pjesë jo e paktë e familjeve të dëmtuara janë në zonat rurale, strehimi i tyre i përkohshëm do të bëhet në shtëpi ekologjike.

AHMETAJ 

Ishte kryetari i Komitetit të Rindërtimit, Arben Ahmetaj, i cili dje dha detaje mbi planin e strehimit. “Pjesë e hapit të parë të rindërtimit është edhe rrëzimi i pallateve që mund të përbëjnë rrezikshmëri, pra jo vetëm pastrimi i inerteve.

Faza e dytë nis më 1 janar, ka të bëjë me bonusin e strehimit për qytetarët që nuk kthehen dot në shtëpitë e tyre, për shkak të dëmtimit në atë masë ku banesat janë të pabanueshme. Ndërsa për pjesën rurale, do të ofrojmë edhe shtëpi ekologjike, që janë strehim i përkohshëm”. Në një dalje të posaçme për mediat, Ahmetaj tha se qëllimi është ndërtimi i 10 mijë apartamenteve. Projekti do të shtrihet fillimisht në Durrës, ku edhe do të ndërtohen 5 mijë apartamente për të vijuar më pas në zonat e tjera, siç janë Tirana dhe Lezha.

“Objektivi afatgjatë i qeverisë është ndërtimi i 10 mijë apartamenteve në qyteza urbane specifike, të veçanta. Mendohet që një qytezë do ndërtohet në Durrës, fillojnë me 5 mijë apartamente, një ndërtim i ri në Thumanë, dy ndërtime në Tiranë, bëhet fjalë për ndoshta te zona e ish-autotraktorëve dhe mbase në Kombinat, dy qyteza urbane të reja edhe në Lezhë e të tjera”, theksoi Ahmetaj.

KOSTOJA 

Një javë pas tërmetit, qeveria ende nuk ka një faturë zyrtare të dëmeve të shkaktuara. Janë mbi 10 mijë ndërtesa të dëmtuara, përfshirë këtu edhe disa institucione arsimore. Bilanci pritet të rritet, duke qenë se vijon procesi i vlerësimit nga ekspertët. Në këto kushte, nuk dihet ende sesa do të jetë kostoja për rindërtimin e këtyre banesave.

“Është shpejt për të folur për koston. Programi i rindërtimit do të jetë një program më vete. Kostoja do të vijë pas vlerësimeve finale të bëra nga institucione të specializuara”, tha më tej Ahmetaj. Ndërkohë në mbledhjen e djeshme, Kryeministri Rama tha se për vitin që vjen do të alokohet 0.4 për qind e prodhimit të brendshëm bruto, thënë kjo ndryshe rreth 59 milionë euro.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura