Do të vizitonte Luginën e Preshevës, Serbia refuzon kërkesën e ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Zveçla

Dec 25, 2024 | 15:08
SHPËRNDAJE

Serbia ia ka refuzuar kërkesën ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, për të zhvilluar një vizitë dyditore në komunat në jug të Serbisë, të banuar me shqiptarë.

zvecla

Kështu bëri të ditur Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, e cila tha se Sveçla ishte paraparë që më 23 dhe 24 dhjetor të qëndronte në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc për t’u takuar me përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Luginës.

MPJD tha se kërkesa u refuzua edhe pse u ndoqën procedurat e parapara për vizita të tilla në bazë të Marrëveshjes së Brukselit për vizita zyrtare.

“Si pretekst për refuzim janë theksuar qëndrimet dhe veprimet e ministrit Sveçla, të cilat, sipas Qeverisë së Serbisë, janë të drejtuara kundër komunitetit serb në Republikën e Kosovës si dhe kundër normalizimit, paqes dhe stabilitetit”, u tha në njoftim.

Në janar të këtij viti, Serbia po ashtu kishte refuzuar kërkesën që Sveçla të qëndronte në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, komuna që njihen edhe me termin Lugina e Preshevës.

MPJD tha se në dy vjetët e fundit, Serbia rregullisht ka refuzuar vizitat e zyrtarëve të lartë qeveritarë të Kosovës, duke përmendur këtu vizitën e fundit që ishte paraparë të zhvillohej nga ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku më 19 dhjetor.

MPJD tha po ashtu se edhe drejtueses së kësaj ministrie, Donika Gërvalla, i ishte refuzuar pjesëmarrja në pritjen vjetore të pavarësisë së Kosovës që ishte organizuar nga Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi më 27 shkurt dhe vizita, sipas këtij institucioni, u refuzua “pa asnjë arsyetim të vlefshëm dhe disa orë para se znj. Gërvalla të arrinte në pikën kufitare”.

“Veprime të tilla të Qeverisë së Serbisë kanë për qëllim të qartë mbajtjen e tensioneve me Republikën e Kosovës në shkallë të lartë. Janë pjesë e provokimeve të vazhdueshme, të cilat Serbia i bën në baza të rregullta dhe me qëllim të shkaktimit të konflikteve, ku aktet terroriste në Banjska dhe Ibër-Lepenc janë manifestimi më i dukshëm i këtyre synimeve nga ana e Serbisë”, tha MPJD-ja.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura