Një aktivist suedez i ekstremit të djathtë, Rasmus Paludan, u dënua sot me katër muaj burg për nxitje të urrejtjes, pasi në vitin 2022 dogji kopjet e Kuranit.
Paludan shkaktoi trazira në Suedi në vitin 2022 duke djegur kopje të Kuranit me rastin e një turneu anti-islamik në vend.
Prokurorët e kishin vënë në gjyq për “shqetësim të një grupi etnik” gjatë një demonstrate në Malmö në prill 2022, kur ai përdhosi Kuranin duke e djegur atë dhe bëri komente nënçmuese për muslimanët.
Ai ishte gjithashtu në gjyq për fyerje të arabëve dhe afrikanëve.
Gjykata e Qarkut në Malmö vlerësoi se Paludan “kishte shprehur përbuzje për myslimanet, ndër të tjera, gjatë mitingjeve dhe se veprimet e tij nuk mund të perceptoheshin si kritikë ndaj Islamit ose një fushatë politike”.
“Kritika publike, për shembull, ndaj Islamit, madje edhe ndaj myslimanëve, është e lejuar, por përbuzja për një grup njerëzish nuk duhet të kalojë kufijtë e fjalës së kujdesshme dhe të përgjegjshme”, tha në një deklaratë gjyqtari Niklas Söderberg.
“Në këto raste nuk ka pasur asnjë fjalim të asaj natyre. Në vend të kësaj, deklaratat thjesht kishin për qëllim shpifjen dhe fyerjen e myslimanëve”, shtoi ai.
Prandaj, Paludani u shpall fajtor dhe u dënua me katër muaj burg.
Aktivisti i mohoi akuzat, duke thënë se ai po bënte fushatë për partinë e tij të vogël Stram Kurs dhe thjesht po kritikonte Islamin.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al