ZEF RROZHANI
Është vështirë shumë të shkruash për njerëz si Don Korodi që më shumë sakrifikojnë për të tjerë se sa për vete. Dua të shkruaj disa fjalë modeste për këtë njeri të Zotit, që ka hyrë në zemrat e njerëzve duke predikuar në emër të tij. Prifti që la Gjermaninë për t’i shërbyer Shqipërisë, lindi në shkurt të vitit 1943 në Belgjikë në një familje të krishterë me tradita kulturore. Babai i tij ishte një njeri i mirë, muzikant i pasionuar, kurse e ëma një zonjë e shkolluar që i shërbente me përkushtim komunitetit. Don Korodi kishte dhe dy vëllezër të tjerë dhe një motër, që nderonin cilindo me sjelljet e tyre. Vitet ‘40 të shekullit të kaluar ishin të vështira në gjithë Europën e pushtuar nga nazizmi, por te njerëzit humanë, vështirësitë kalisin ndjenjat më të mira, shpresën dhe vullnetin e hekurt.
Këto ndjenja u rrënjosën edhe tek Don Korodi, të cilin prindërit mes vështirësive e shkolluan atë për meshtar. Të dy prindërit punonin natë e ditë që fëmijët e tyre të bëheshin jo vetëm të shkolluar, por edhe të edukuar. Korodit të vogël i pëlqente muzika dhe në veçanti ajo kishtare, ndaj i ati ia nxiste çdo ditë dashurinë për artin. Ata shkonin shpesh në kishën e vogël të lagjes dhe mes besimtarëve këndonin këngë të shoqëruara me muzikë. Duke ndjerë dashurinë e tij për besimet fetare, vendosën që kur ishte adoleshent ta bënin prift, ndaj e regjistruan në Kolegj.
Tashmë ai merrte mësime nga profesorët që kishin studiuar në universitetet më të mira të Europës. Këtu përveçse mësohej fjala e Zotit, profesorët që ishin të gjithë eruditë u edukonin atyre një formim të përgjithshëm, një kulturë të gjerë për letërsinë, historinë e shkenca të tjera edukuese. Pas studimeve me rezultate të shkëlqyera si meshtar, Korodon e caktuan të shërbente në një kishë të qytetit të Freisingut të Gjermanisë Perëndimore. Edhe pse larg familjes dhe Atdheut të tij, ai punoi me përkushtim si një meshtar i betuar në fjalën e Zotit dhe fitoi besimin e të gjithëve. Në këtë kohë bababi i tij në atdhe kishte ndërruar jetë, kurse nëna e tij e dashur punonte natë e ditë për të mbajtur në këmbë familjen. Kaluan afro dy dekada që ai u shërbente me pasion besimtarëve në dhe’ të huaj. Ai nuk u lodh kurrë së predikuari fjalën e zotit, ndaj e donin njerëzit dhe bëri shumë miq. Vitet ’90 të shekullit të kaluar ia ndryshuan rrjedhën e jetës. Ai kishte lexuar e studiuar mjaft edhe për Shqipërinë, ku ashtu si në të gjitha vendet e tjera ballkanike, kishin ndodhur shumë ngjarje e transformime.
Ajo që ia hapi perspektivën dhe i rriti shpresën Don Korodit, ishte hapja e institucioneve e kulteve fetare edhe në Shqipëri në fillim të viteve ‘90. Edhe pse ishin shembur kulte fetare dhe ishin shkurorëzuar klerikë të lartë, ishin burgosur e përndjekur predikues të fesë, ai e ndjente se besimi fetar te mjaft shqiptarë nuk ishte çrrënjosur. Ndaj në vitin 1993 ai vendosi ta braktisi Gjermaninë dhe të kthehet në Atdheun e tij e të jepte me shërbesën e tij si meshtar ndihmën e madhe në zhvillimin e ndërgjegjes fetare te të gjithë besimtarët. Shokët u habitën për këtë vendim të tijin, të këtij prifti poliglot, me një formim të gjithanshëm fetar e shpirtëror, që të braktiste Gjermaninë e bollëkut me vendin e tij të varfër. Më e madhja ishte se ai zotëruesi i shumë gjuhëve nuk dinte asnjë fjalë shqip. Por për këtë si udhërrëfyes drejt përvetësimit serioz të shqipes, u bë fjalori. Erdhi në Shqipëri dhe u vendos të shërbente në kishën e qytetit të Fierit. Këtu bashkë me një koleg tjetër, iu vunë punës me mish e me shpirt të ndihmonin me fjalën e Zotit njerëzit hallexhi, pasi varfëria sundonte kudo. Ndjente një vështirësi në komunikim me njerëzit, ndaj iu përvesh punës me vullnet dhe e mësoi shumë shpejt gjuhën shqipe. Një ditë tek po bisedonte me një grup nxënësish, pa se disa të tjerë moshatarë të tyre rrinin si të mënjanuar.
-Po, ata atje përse nuk afrohen këtu?-pyeti bashkëbiseduesin don Korodo.
-Janë myslimanë – i dha përgjigjen ai.
-Afrohuni të gjithë këtu – i thirri ai me dashamirësi. S’ka dallim në myslimanë e të krishterë, Zoti është i të gjithëve dhe ne të gjithë jemi shërbëtor të Zotit pa dallime fetare”
Parimi i tij ishte që njerëzit të trajtoheshin të barabartë para Zotit edhe materialisht, ndaj duke parë varfërinë që zotëronte vendosi t’i ndihmojë ata sa të mundte. Kështu, ai ndërhyri te Karitasi dhe siguroi ndihma të bollshme në ushqime e veshje dhe i shpërndau ato në popull pa dallime fetare. Një ditë rastësisht, kur o kalonte para një shtëpie të rrënuar, pa të dalin prej saj tre fëmijë të leckosur. I erdhi shumë keq dhe i kërkoi të vëllait mjek që banonte në Belgjikë t’i dërgonte ndihma apostafat për fëmijë dhe ilaçe të ndryshme për t’i ndihmuar këta familje. Dhe nëpërmjet të vëllait siguroi ndihma të ndryshme, edhe financiare dhe me anë të tyre u riparuan 156 shtëpi të tjera të lagjes e u ndihmuan me ilaçe dhjetëra të sëmurë. Një kontribut të veçantë dha Korodo në ndihmë të kosovarëve të dëbuar nga vendlindja e tyre, duke iu gjetur pranë me ç’nevoja patën.
Nga Fieri, Don Korordi më vonë u transferua në zemër të Kamzës, ku gjeti një mjedis të mrekullueshëm e mikpritës. Edhe këtu nuk e ndali për asnjë çast predikimin e fjalës së Zotit dhe ndihmën e sinqertë ndaj njerëzve të thjeshtë. Tani prifti Don Korodo shërben në Katredralen e Shën Palit në Tiranë. Mban tetë dekada jetë mbi shpinë dhe mbi një gjysmëshekulli punë të ndershme në shërbim të njerëzve, por nuk e mposht lodhja. Ai kremton meshë dhe u mbush zemrat njerëzve me dashurinë për zotin. Arqipeshkvi i Dioqezës Tiranë–Durrës, Monsinjor Arjan Dodaj, flet me konsideratë të veçantë për Don Korodin, për zemrën e tij të madhe dhe lidhjet shpirtërore që mban ai me njerëzit. Veçanërisht vlerëson punën e tij të përkushtuar në Korin e kishës, duke përgatitur me ndjenjën e besimit fetar njerëz të moshave të ndryshme, të cilët kanë vënë në skenë edhe shfaqje artistike nën drejtimin e tij. Në kishën e Shën Palit vijnë vizitorë të ndryshëm, turistë të huaj dhe banorë nga vise të ndryshme të Shqipërisë dhe kënaqen nga mesha plot pasion e mençuri e Don Korodit. Si zotërues i shumë gjuhëve, ai i njeh vizitorët me rrugën që ka ndjekur Shqipëria në rrugën e bekuar të Zotit e të përparimit dhe kushdo del i kënaqur nga dera e kësaj kishe. Mund të flasësh shumë për priftin Don Korodo, por mjafton një fjali sintezë: është prifti që braktisi Gjermaninë e pasur për t’i shërbyer vendit të tij të bukur, por të varfër Shqipërisë.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al