“Donin ta shpallnin organizatë kriminale”- Si e penguan jugosllavët marrëveshjen e Enverit me Ballin Kombëtar! Ja masakra më e madhe gjatë luftës civile, ç’ndodhi natën e Shën Bartolemeut

Nov 14, 2023 | 14:02
SHPËRNDAJE

AKADEMIK, PROF. DR. BEQIR META/ Studiuesi Uran Butka ka një meritë të veçantë në studimin e fenomenit të Luftës Civile në Shqipëri gjatë Luftës së II Botërore. Botimet e tij të mëparshme rreth kësaj teme shumë thelbësore për historinë e kësaj periudhe dhe jo vetëm, kanë luajtur një rol me rëndësi në informimin dhe formimin e lexuesit të gjerë shqiptar por edhe në shkrimin e historisë së shqiptarëve përgjatë shekullit XX.

enver hoxha

Ky botim i plotësuar është pasuruar me fakte e argumente të reja historike, të hulumtuara në arkivat shqiptare e të huaja, por edhe me një literaturë të bollshme historiografike dhe me ditarë e kujtime të pashfrytëzuara më parë. Ç’ka është më e rëndësishmja në këtë botim ka plot analiza të reja dhe koncepte të reja mbi luftën civile, të cilat unë do të përpiqem t’i evidentoj më poshtë: Së pari, autori ka bërë me qartësi dallimin midis luftës çlirimtare antifashiste të popullit shqiptar, duke dhënë me realizëm e në mënyrë të argumentuar grupet politike-ushtarake që e zhvilluan atë, dhe luftës civile.

Ai argumenton faktin se rezistencën antifashiste e nisën së pari intelektualët atdhetarë dhe studentët shqiptarë, ndërsa luftën e armatosur e filluan atdhetarët jokomuistë si A. Kupi, M. Ulqinaku, Gafur Jegeni, Myftar Jegeni, Nazif Mero etj., që i pritën pushtuesit italianë me armë në portet shqiptare dhe e vazhduan nacionalistët M. Peza, Ismail Agë Petrela, Shyqyri Peza, Muharrem Bajraktari, Gani Kryeziu, Hysni Lepenica, Mustafa Gjinishi, Mestan Ujaniku, etj., përpara se të dilte në skenë lëvizja nacionalçlirimtare. Autori ka meritën se e ka dokumentuar luftën civile në këtë botim gjerësisht me dokumente nga arkivat shqiptare, italiane, gjermane, britanike, amerikane, jugosllave, greke, etj., me mbi1.500 referenca burimore. Shumë e rëndësishme është edhe metodologjia që ka përdorur autori.

Ai vendos në themel të analizës historike, objektivitetin shkencor me synimin që të njihet sa më saktësisht lufta civile. Ai e konsideron këtë një mision qytetar “për të reflektuar ndaj saj, duke kapërcyer mosmarrëveshjet, mitet e rreme, urrejtjen ndaj njëri-tjetrit, shfaqjet e reminishencat e frikshme që ajo ende rrezaton, për t’i bërë ballë si qytetarë plotësisht të lirë e me vetëdije të qartë të nesërmes”. Përcaktimi i këtij misioni, që është detyra e një historiani serioz, ka qenë premisë dhe shtysë për të na dhënë edhe një vepër serioze dhe të shkruar me ndershmëri. Një kapitull interesant që i është shtuar botimit të ri është ai kushtuar “Mirëkuptimit”.

Këtu analizohet me saktësi edhe Konferenca e Pezës me anët pozitive dhe kufizimet e saj. Në këtë kuadër risi përbën qëndrimi i disa nacionalistëve si S. Muço, Azis Çami, Ramazan Jarani, Halim Begeja, etj., të cilët e panë me rezerva konferencën e Pezës, dhe nuk e nënshkruan marrëveshjen pasi e kuptuan se ajo donte t’i hidhte njerëzit në prehrin e komunizmit, siç shkruante më vonë Midhat Frashëri. Autori zbulon se në mars-prill 1943, drejtuesit kryesorë komunistë përfshirë edhe E. Hoxhën i jepnin rendësi bisedimeve për marrëveshje me Ballin Kombëtar, dhe ende nuk e kishin bërë të tyren direktivën e të dërguarve jugosllavë për të demaskuar kryesinë e Ballit Kombëtar si reaksionare e tradhtare.

Qysh në këtë kohë, jugosllavët nxitonin ta shpallnin BK si një organizatë reaksionare e tradhtare dhe përpiqeshin që të dështonin bisedimet me të, gjithashtu nxitonin të bënin fakt formimin e Ushtrisë NÇL dhe të komandës së lartë të saj, për të fituar supremaci mbi BK dhe për të sabotuar marrëveshjen midis dy palëve(f. 22). Autori shpjegon se ndonëse në Labinot në mars 1943 u vendos për bisedime e koordinim me BK, ndërhyrja e jugosllavëve e pengoi vullnetin e drejtuesve të PKSH për të ngjizur marrëveshjen me BK, por nuk arriti të pengojë vullnetin e bazës për marrëveshje e koordinim lokal në luftën kundër pushtuesve. Autori na ka dhënë në këtë studim gjithë arkitekturën dhe kronologjinë e lutës civile dhe është me shumë rëndësi se si qysh në fillim të vitit 1943, ai evidenton sabotimin e një marrëveshjeje të hershme kombëtare nga jugosllavët si një premisë për ta penguar bashkimin dhe stimuluar konfliktin.

Ai zbulon me mprehtësi edhe ekzistencën e një “krahu ekstremist terrorist” brenda PKSH, që i nxitur nga emisarët jugosllavë, bëri çmos, madje edhe me vrasje, për të penguar arritjen e një marrëveshje midis dy palëve, dhe shpjegon se deri në verën e vitit 1943, ky krah nuk ishte dominues, por u bë i tillë vetëm pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes (f. 29). U. Butka zbulon me fakte edhe me argumente konkrete anatominë e PKSH, si dhe evoluimin e saj në këtë drejtim. Me interes është argumentimi i rolit të përbashkuesit midis dy forcave që mori A. Kupi në verën e vitit 1943 (f. 44).

Autori ka ndjekur hap pas hapi situatën dhe evoluimin e ngjarjeve duke renditur pas mirëkuptimit që ekzistonte në një trajtë disi fluide në pranverë-verën e vitit 1943, Marrëveshjen e Mukjes, fazën e ndërmjetme para fillimit të luftës civile e cila përshkohej nga bashkëpunim dhe përplasje; dhe më tej rrëshqitjen drejt luftës së hapur. Ai argumenton taktikën djallëzore të disa udhëheqësve të çetave komuniste, të cilat godisnin ushtrinë gjermane afër fshatrave që nuk i mbështesnin ato, me qëllim që gjermanët të kryenin reprezalje mbi popullsinë. Autori analizon përpjekjet e komunistëve për ta penguar bashkëpunimin e BK me Aleatët.

Një rast i tillë ishte goditja e batalionit “Hakmarrja” që drejtohej nga Petrit Dume më 20 gusht e një çete të Safet Butkës që po shkonte në Vithkuq e Shtyllë për t’u takuar me majorin Maklin (f. 73), si edhe raste të tjera të shumta ne gjithë Shqiperinë. Butka ka meritën që ka dhënë gjithë veprimet e përbashkëta të partizanëve e të nacionalistëve kundër pushtuesve italianë e gjermanë deri në fund të shtatorit 1943, po kështu edhe aksionet e veçanta të nacionalistëve. Një analizë e plotë, e saktë dhe e gjithanshme i bëhet Marrëveshjes së Mukjes, prishjes së saj, shkaqeve dhe pasojave të prishjes. Një analizë dhe argumentim i qartë i bëhet bolshevizmit dhe komunistizimit të luftës dhe UNÇSH. Një trajtim po kaq i imët dhe i argumentuar i bëhet fazës përgatitore të lutës civile. Këtu ka analiza me interes se si E. Hoxha dhe emisarët jugosllavë e përgatitën luftën civile politikisht dhe ushtarakisht, ku nënvizohet propaganda shpifëse e denigruese ndaj BK për ta demaskuar atë.

Autori e argumenton fillimin e luftës civile edhe me prishjen e denigrimin e besëlidhjeve që ishin arritur në Veri në frymën e Mukjes si ajo e Lurës (27 gusht) e 61 prijësve të Veriut dhe Marrëveshja e Peshkopisë (14-15 shtator) si dhe gjithë marrëveshjet e tjera lokale ku PSH ishte pjesëmarrëse (f.122). Autori ka shpjeguar fenomenin e terrorizmit si paraprijës dhe komponent të Luftës Civile. Ai ka bërë një anatomi dhe antologji të plotë e të dokumentuar të terrorit komunist duke dhënë metodat, format, qëllimet, etj. Ai argumenton se terrori u përdor gjerësisht kundër anëtarëve të PKSH e pjesëtarëve të LNÇ që konsideroheshin të padëshirueshëm nga E. Hoxha e drejtuesit jugosllavë, kundër njerëzve të thjeshtë që nuk pranonin vijën e PKSH dhe nacionalistëve që e luftonin atë.

Një trajtesë e plotë dhe tepër e detajuar dhe e argumentuar bëhet ngjarjeve të muajit shtator 1943, i cili konsiderohet me saktësi si prologu i luftës civile. Ka rëndësi edhe pasqyrimi në botim i biografisë së shkurtër të nacionalistëve të vrarë nga forcat komuniste, për të kuptuar edhe më mirë se kundër kujt zhvillohej kjo luftë. Shumë interesante janë shpjegimet e autorit për arsyet e nacionalistëve shqiptarë që pranuan të marrin pjesë në regjencën dhe në qeverinë nën gjermanët. Ai jep edhe argumentet e pohimet e tyre të cilat janë të sinqerta e me interes për lexuesin.

Argumentohen veprimet dhe dobia e kësaj qeverie në ato rrethana të rënda si dhe kufizimet e saj, ku spikat vendosja e administratës shqiptare, organizimi i jetës shtetërore e civile, hapja e shkollave ne Kosove dhe dërgimi atje i mësuesve, juristeve, nëpunësve nga Shqipëria, mbrojtje e popullsisë shqiptare nga sulmet e çetnikëve serbo-malazezë në Kosovë, mbrojtja e hebrenjve, etj.. Autori jep një shpjegim interesant e përse nacionalistët e BK, Legalitetit, etj., ishin më tolerantë ndaj administratës dhe qeverisë shqiptare dhe pse disa prej tyre bashkëpunuan me të (f. 201).

Ai jep të dokumentuar edhe persekutimin e disa anëtarëve të BK në Kosovë e Shqipëri nga qeveria, me urdhrat e Xh. Devës etj. (f. 202). Jepet me objektivitet fenomeni i oportunizmit dhe kolaboracionizmit ndaj gjermanëve, duke dhënë dimensionet e tij në të gjitha krahët e politikës shqiptare të kohës, përfshirë këtu edhe komunistët (f. 203-210). Ai e ka zgjeruar konceptin e kolaboracionizmit duke pasqyruar edhe bashkëpunimin midis LNC dhe partizanëve serbë e maqedonas si rasti në Peshkopi, Kukës e Dibër e Kosovë, etj.

Ka zbuluar e argumentuar mirë pjesëmarrjen e mbeturinave të ushtrisë italiane pas kapitullimit në lutën civile përkrah komunistëve dhe efektivitetin e tyre. Një risi përbën trajtesa mbi shtrirjen e luftës civile në Kosovë, ku autori përmes shumë dokumenteve të zbuluara rishtazi sjell një informacion e analizë interesante mbi veprimet kundër forcave nacionaliste shqiptare që synonin të pengonin ripushtimin serb të Kosovës e të trojeve të tjera shqiptare. Pasqyrohen gjerësisht veprimet luftarake të forcave të UNÇSH kundër nacionalistëve shqiptarë si dhe krimet e kryera kundër tyre. Divizionet shqiptare qëndruan në Kosovë deri në dhjetor 1945, për të shtypur çdo rezistencë të Kosovës ndaj ripushtimit serb dhe për të ndihmuar konsolidimin e tij.

Vlerë të veçantë kanë faktet dhe dokumentet që sillen në botim ku pasqyrohen përpjekjet e M. Frashërit dhe krerëve të tjerë të BK për të ndaluar luftën civile gjatë tetorit 1943. Thirrja e M. Frashërit për të ndaluar vëllavrasjen dhe për të bashkëpunuar si vëllezër është vërtetë prekëse por që dëshmon qarte karakterin patriotik dhe human të tij dhe drejtuesve të tjerë të BK, i cili ishte në kontrast të plotë me personalitetin dhe botëkuptimin e skajshëm konfliktual të drejtuesve komunistë me në krye E. Hoxhën.

Argumentohet me saktësi se thirrja e Mit’hatit e 7 tetorit 193, për pezullimin e veprimeve luftarake kundër gjermanëve, nuk ishte akt bashkëpunimi me ta, siç është përpjekur ta denigrojë historiografia komuniste. Autori, përmes argumenteve të M. Frashërit, shpjegon edhe dilemat e BK në fillesat e luftës civile. Analiza të thukta bëhen në lidhje me raportet e BK me misionet britanike, ku vërtetohet politika kombëtare e demokratike e BK, si dhe arsyet se pse britanikët ndihmuan kryesisht LNÇ.

Në këtë pasqyrohet spiralja e luftës civile (f. 265), ku jepen luftimet e masakrat gjatë fundit të tetorit e më mbrapa. Një trajtim i ri i bëhet masakrës në Malin me Gropa (f. 269) , ku M. Shehu pushkatoi 20 oficerë e 120 karabinierë italianë në fund të tetorit 1943; trajtohet beteja frontale e Grybecit të Gorës më 16 tetor 1943 (f. 271); intensifikimi i luftës civile në nëntor 1943 (f. 275), ku theksohet se më 7 nëntor 1943 BK mori vendim të përfshihej zyrtarisht në luftën civile (f. 276).

Këtu trajtohet me gjerësi lufta e Dukatit 30 nëntor, analizohen dhe fenomene të luftës e vrasjeve brenda familjes e fisit, ku spikat rasti i Halim Xhelos që donte të vriste babanë e tij, etj. (f. 285). Evidentohet lufta civile në Kolonjë, e cila vlerësohet si veçanërisht e ashpër (f. 288); jepen rastet e braktisjes së PKSH e LNÇ nga shumë individë të shquar e të rinj si rezultat i fillimit të luftës vëllavrasëse (f. 301); pasqyrohet në veçanti lufta e Postencës (Skrapar). Butka pohon se gjatë dimrit 1943-1944 lufta civile nuk qe aq intensive dhe e gjerë sa në muajt tetor -nëntor 1943, sepse u zhvillua operacioni gjerman i dimrit.

Kjo është një analizë e re e cila e plotëson kuadrin e luftës civile dhe që provon se komunistët, jo vetëm e filluan luftën civile, por ishin ata forca që e zhvillonte më me forcë dhe vendosmëri atë. Analizohet edhe Kongresi i I i BK, ku fitoi vija e luftës kundër komunizmit (f. 343); argumentohet ndarja e BK në dy rryma, një e moderuar e tjetra e vijës së ashpër në luftën kundër komunistëve (f. 345). Pasqyrohet marrëveshja e Kalishtit 2 shkurt -12 shkurt 1944, me përfaqësues të krahinave të Veriut, për luftën kundër gjermanëve e cila konsiderohet nga autori si Kuvendi i Mukjes për Shqipërinë e Veriut (f. 349). Viti 1944 cilësohet si viti i luftës frontale civile në gjithë Shqipërinë, ku ajo zhvillohet sidomos në Shqipërinë e Veriut e të Mesme.

Theksohet se në fillim të këtij viti lufta ishte më e pranishme në Shqipërinë e Jugut, ku jepen episodet, viktimat dhe pasojat e saj. Shpjegohet e dokumentohet edhe masakra e 4 shkurtit në Tiranë, si dhe shkaqet e saj (f. 376). Analizohet faza e re e luftës civile në pranverë 1944, ku LNÇ u rikuperua dhe rifilloi me furi luftën civile, pasqyrohet Masakra e Dunicës (Mokër) 5 mars 1944; masakra e Martaneshit(5 mars 1944) (f. 383). Pasqyrohet fenomeni i grabitjes masive të pasurive nga komunistët, lufta e Starovës (21 prill 1944) e cila u shkatërrua plotësisht.

Autori ka analizuar edhe dimensionin tjetër të luftës civile ku viktima u bënë edhe qindra njerëz të pafajshëm (f. 404). Gjithashtu pasqyrohet shtrirja e luftës civile në Shqipërinë e Mesme në qershor 1944 (f. 424), ku jepet një tablo e gjerë, konkrete por edhe shumë e dhimbshme e saj. Argumentohet se lufta në Shqipërinë e Mesme dhe të Veriut ishte luftë e pastër civile dhe pati fare pak ose aspak veprime kundër gjermanëve. Një syth më vete përbën lufta e forcave të LNÇ kundër legalistëve.

Analizohet qëndrimi i paangazhuar i Kupit dhe se si komunistët e sulmuan atë, pikërisht kur ai tentoi dhe filloi luftën kundër gjermanëve me mbështetjen e udhëzimet e britanikëve.Analizohet edhe tentativa e tyre për të bashkuar krerët e Veriut, arritja e marrëveshjes për të sulmuar gjermanët, dhe sulmi i rrufeshëm i forcave UNÇSH kundër zogistëve që e bëri të pamundur vijimin e jetësimin e saj. Pasqyrohet mësymja kundër forcave zogiste kur zhvillohej kuvendi i Lurës (4-5 korrik 1944) dhe pasojat e tij.

Trajtohet refuzimi i vendosur i E. Hoxhë për të pranuar kërkesën e britanikëve që ai të ndalonte luftën civile (f. 463). Trajtohet lufta civile në Mat e në Dibër (Beteja e Sinës, beteja e Dibrës). Analizohet manifesti që M. Frashëri dhe A. Ermenji i dërguan qeverisë britanike në korrik 1944, ku kërkonin ndërhyrjen e tyre në Shqipëri, kritikonin ata emisarë britanikë që kishin mbështetur e po mbështesnin verbërisht LNÇ, shprehej gatishmëria e nacionalistëve për t’i dhënë fund luftës civile, etj.. Analizohet faza e dytë e ofensivës së forcave partizane kundër zogistëve (6 gusht 1944), (f. 486).

Me vlerë janë argumentet që jepen lidhur me përpjekjet e A. Kupit për t’u bashkuar me forcat e tjera nacionaliste për të përballuar ofensivën komuniste në gusht 1944, si dhe politika e dështuar britanike ndaj LNÇSH, dhe për ndaljen e luftës civile. Në një frymë objektive analizohet edhe takimi midis disa përfaqësuesve të nacionalistëve shqiptarë dhe Napoleon Zervës (1-4 maj 1944), kur ky ende nuk kishte filluar masakrat në Çamëri. Trajtohet edhe konferenca e forcave nacionaliste në Prezë më 7 shtator 1944, për luftë të përbashkët kundër gjermanëve e cila me saktësi cilësohet si një përpjekje e vonuar dhe e sforcuar (f. 525).

Por këtu pasqyrohen edhe veprimet e forcave të BK dhe Legalitetit kundër gjermanëve ë shtator 1944, si dhe sulmi i 2000 forcave komuniste kundër këtyre forcave nacionaliste në Prezë në shtator, etj. (f. 530). Përpjekja e fundit e forcave nacionaliste më 22 shtator në Fang të Mirditës për t’u bashkuar e luftuar kundër gjermanëve (f. 536), ndërkohë që komunistët sulmuan dhe i vunë ata para rrezikut të asgjësimit. Po ashtu, dështoi edhe përpjekja e fundit e delegacionit të BK të dërguar në Bari për të siguruar ndërhyrjen Aleate në Shqipëri dhe për të penguar ardhjen e komunistëve në pushtet.

Lufta civile në Lurë është një kapitull tjetër interesant dhe i dhimbshëm. Ndërsa paraqitja e luftës kundër lëvizjes Kryeziu që luftonte kundër gjermanëve, vërtetoi edhe më mirë karakteri dhe synimet e luftës civile që zhvilloni komunistët. Po kështu, në të njëjtën mënyrë analizohet edhe goditja e forcave të M. Bajraktarit nga aradhet komuniste, kur ai luftonte kundër gjermanëve. Në libër pasqyrohet edhe terrori e masakra në Tiranë, ku jepen emrat dhe biografitë e intelektualëve nacionalistë dhe ushtarakëve të vrarë nga forcat komuniste. Spikat trajtimi i natës së 12 nëntorit e cila është cilësuar edhe si nata e Shën Bartolemeut, pasi u bë masakra më e madhe. Rezistenca kundër forcave komuniste në Shkodër ka një trajtim të veçantë e të dokumentuar, terrori i egër komunist në Shkodër në fund të nëntorit, në dhjetor e më tej, si dhe lufta civile në Nikaj-Mërtur në nëntor 1944 dhe qëndresa në Mirditë (tetor 1944-dhjetor 1945).Nënshtrimi i Dukagjinit (janar-shkurt 1945).

Lufta civile në Malësinë e Madhe ku u përqendruan forca të shumta të UNÇSH të cilat u sollën si një ushtri pushtuese dhe kryen krime pa masë. Këtu jepen edhe partizanët e vrarë në luftime me malësorët. Pasqyrohet pjesëmarrja e gjerë e popullsisë civile në luftë kundër partizanëve. Këtu evidentohet fakti se forcat partizane sulmuan Vermoshin nga territori jugosllav. Po kështu edhe masakrat dhe krimet e jashtëzakonshme që kryen forcat partizane kundër malësorëve të thjeshtë. Pasojat e luftës civile janë dhënë mjaft qartë dhe përmes një analize serioze.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura