Dosja “5D”/ GJKKO pranon kërkesën e SPAK, zgjatet afati i paraburgimit për ish-drejtorët Redi Molla, Mariglen Qato dhe Taulant Tusha

Sep 23, 2024 | 16:11
SHPËRNDAJE

Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e SPAK për zgjatjen e afatit të paraburgimit për ish drejtorët e Bashkisë Tiranë, Redi Molla, Mariglen Qato dhe Taulant Tusha.

dosja-5d-770x433

Sipas vendimit të marrë nga GJKKO, është zgjatur me 12 muaj afati i ri i paraburgimit për Redi Mollën dhe Mariglen Qaton, duke filluar nga data 28.03.2024 deri në datën 28.03.2025.

Ndërsa për Taulant Tushen afati i paraburgimit është zgjatur me 3 muaj, nga data 28.09.2024 deri në datën 28.12.2024”.

Në 2 korrik të këtij viti, SPAK i komunikoi akuzat “Korrupsion pasiv” dhe “mosdeklarim të pasurisë” Mollës dhe Qatos, ndërsa Tushes i komunikoi akuzën “shkelje e barazisë në tendera”. Tushe, Molla dhe Qato u arrestuan në muajin mars të këtij viti me urdhër të Prokurorisë së Posaccme Antikorrupsion, në kuadër të hetimeve për dosjen “5D”.

Tre ish drejtorët u lanë në masën “arrest në burg”, ndërsa pesë persona të tjerë në masën “detyrim paraqitje”, konkretisht Enton Punavija, Julian Zanaj, Albano Janku, Nestor Muhamellari, Deborah Kecci dhe Englatina Zere. Sipas Spak, Qato dhe Molla janë pronarë de facto të kompanisë “5D”, e cila sipas hetimeve, ka rezultuar fituese në disa tendera pranë bashkisë.

Bëhet fjalë për 11 procedura tenderimi në harkun kohorë të 6 viteve, nga 2016 deri në 2022. Kompania njihet dhe me dy emra të ndryshëm “Igor Electric” dhe “Vas construcion”. Me akuzën e re Mollës dhe Qatos i zgjatet afati hetimor edhe një vit, ndërsa Tushes i përfundon pas tre muajsh.

NJOFTIM PËR MEDIAT

1.Pala kërkuese Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me datë 03.09.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt:

1.Të caktohet ndaj shtetasit Redi Molla afati i ri i paraburgimit prej 12 ( dymbëdhjetë) muaj duke filluar nga data 28.03.2024;

2.Të caktohet ndaj shtetasit Mariglen Qato afati i ri i paraburgimit prej 12 ( dymbëdhjetë) muaj duke filluar nga data 28.03.2024;

3.Të zgjatet afati i paraburgimit për shtetasin Taulant Tusha për 3 (tre) muaj, nga data 28.09.2024 deri në datën 28.12.2024”.

  1. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Irena Gjoka, bazuar në nenet 112, 263/1 gërmat b) dhe c), 263, pikat 6 dhe 7, 264/2 të Kodit të Procedurës Penale; me vendimin Nr. 508, datë 23.09.2024, vendosi:
  2. Pranimin e kërkesës së paraqitur nga pala kërkuese, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
  3. Caktimin e afatit të ri të paraburgimit prej 12 (dymbëdhjetë) muajsh, duke filluar nga data 28.03.2024 deri në datën 28.03.2025, ndaj shtetasit nën hetim Redi Molla, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në 7 (shtatë) raste, nga këto 4 (katër) raste të kryera në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 259 dhe 25 të Kodit Penal, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021, datë 23.03.2021; “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rreme i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të kryer në 5 (pesë) raste, të parashikuar nga neni 257/a/ 2 i Kodit Penal; “Pastrimi i produkukteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal.
  4. Caktimin e afatit të ri të paraburgimit prej 12 (dymbëdhjetë) muajsh, duke filluar nga data 28.03.2024 deri në datën 28.03.2025, ndaj shtetasit nën hetim Mariglen Qato, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në 4 (katër) raste, të kryera në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 259 dhe 25 të Kodit Penal, sipas përmbajtjes REPUBLIKA E SHQIPËRISË GJYKATA E POSAÇME E SHKALLËS SË PARË PËR KORRUPSIONIN DHE KRIMIN E ORGANIZUAR së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021, datë 23.03.2021;”Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rreme i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal;“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal.
  5. Zgjatjen e afatit të paraburgimit, edhe për një periudhë 3 (tre) mujore për shtetasin nën hetim Taulant Tusha, duke filluar nga data 28.09.2024 deri në datën 28.12.2024, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 258 dhe 25 i Kodit Penal, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021, datë 23.03.2021 dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryer në bashkëpunim, e kryer dy herë, të parashikuar nga neni 258/2 dhe 25 i Kodit Penal.
  6. Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 5 (pesë) ditëve, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Tiranë, më datë 23.09.2024

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura