Vazhdon “mallkimi” me dëmtimet te Juventusi. Tiago Motës, por edhe të gjithë botës bardhezi i ndodh ajo që i druheshin më shumë. Dushan Vlahoviç është dëmtuar. Sulmuesi serb i shtohet listës së gjatë të lojtarëve që janë të dëmtuar te Juventusi, por për fatin e mirë të bardhezinjve, dëmtimi nuk është serioz, edhe pse do të humbasë ndeshjet me Milanin dhe Aston Vilën.
Vlahoviç u detyrua të largohej nga fusha e lojës në sfidën Serbi-Danimarkë, ku në minutën e 88-të ndjeu dhimbje dhe u zëvendësua nga Nadeljkoviç. Kështu, ndalesa e kombëtareve i jep një tjetër “shuplakë” Juventusit. Numri 9 i bardhezinjve kërkoi zëvendësimin pasi ndjeu se kishte një tërheqje muskulare. Trajneri Stojkoviç e zëvendësoi menjëherë, por te Juvja ranë kambanat e alarmit.
SITUATA- Menjëherë pas dëmtimit, Dushan Vlahoviç u rikthye në Torino për të kryer vizitat e nevojshme për të parë seriozitetin e dëmtimit. Lajm i mirë për bardhezinjtë në këtë rast pasi dëmtimi ka rezultuar i lehtë, edhe pse sulmuesi serb duhet të bëjë disa ndeshje pushim. Ai nuk do të jetë i gatshëm për “Zonjën e Vjetër” në supersfidën e së shtunës përballë Milanit, duke e lënë sulmin në emergjencë totale. Pas transfertës në San Siro kundër Milanit, Juvja do të luajë edhe në shtëpinë e Aston Vilës. Në të dyja këto përballje, Vlahoviç nuk do të jetë pjesë edhe pse për bardhezinjtë kanë një rëndësi shumë të madhe duke parë situatën e pikëve që ndodhet dhe peshën.
EMERGJENCA- Në repartin e sulmit, Tiago Mota nuk ka qenë kurrë në një emergjencë kaq të madhe sa është tani. Aktualisht trajneri bardhezi nuk ka më asnjë alternativë për qendrën e sulmit. Vlahoviç ishte numri i vetëm 9 i gatshëm, pasi Arkadiuzh Milik vazhdon të jetë i dëmtuar. Për këtë arsye, Tiago Mota është në kërkim të një zgjidhjeje sa më parë, provizore, por që i duhet për dy sfida shumë të rëndësishme. Ajo që është e sigurt deri më tani është se Dushan Vlahoviç nuk do të jetë në dispozicion të Motës të paktën për dy ndeshje edhe pse nuk përjashtohet mundësia që dëmtimi të zgjasë edhe më shumë duke shtyrë edhe emergjencën bardhezi.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al