Drejton shembjen e “Prestige”/ Fatmir Metaj ish-i dënuar me të shkuar të errët. Mjeti i vrasësve të Azem Hajdarit ishte pronë e tij

Dec 2, 2022 | 22:30
SHPËRNDAJE

Fatmir Metaj njeriu që drejton aksionin e paligjshëm të IKMT-së në “Prestige Resort” është një zyrtar që nënshtroi drejtësinë dhe përmes ndikimeve mundi të shpëtojë nga akuza e rëndë e shpërdorimit të detyrës. Ish-zyrtari i policisë së Tropojës, makina personale e të cilit u përdor në vrasjen e deputetit Azem Hajdari më 12 shtator të 1998, u vu nën akuzë për shpërdorim detyre, kryer në bashkëpunim.

Referuar vendimit të gjykatës të firmosur nga gjyqtari Sokol Pasho, që mban datën 14 dhjetor 2018, Metaj inspektor në Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, u dënua me 1 vit burgim si dhe iu hoq e drejta për të ushtruar funksione publike për 3 vite.

Meta u dënua për prishjen e katër objekteve, një prej tyre me leje ndërtimi dhe tre objekte në proces legalizimi në Tiranë dhe Vaqarr.

Objektet e prishura në kundërshtim me ligjin janë realizuar përgjatë viteve 2013-2014 dhe kanë qenë të ndërtuara në rrugën ‘Mihal Grameno’ dhe përgjatë rrugës së Vaqarrit.

Më pas, me urgjencë, drejtësia ndryshe nga sa vepron me padinë e Prestige Resort, u vu në shërbim të zyrtarit, që sot pa asnjë letër, në kundërshtim me ligjin dhe me arrogancë, ai po shkatërron një pronë e ndërtuar mbi bazën e një leje të firmosur në 2016.

Një trupë gjyqtarësh, pak javë përpara se të largoheshin nga vettingu vendosën t’i bëjnë nderin e fundit, një zyrtari që në fakt, sot duhet të ishte prapa hekurave, pasi shkatërroi shtëpitë e qytetarëve në shkelje flagrante të ligjit.

Fatmir Metaj ka edhe një të shkuar të errët të largët kur ishte kreu i komisariatit të Tropojës në vitin 1998. Emri i tij është lakuar gjithashtu në dosjen e Azem Hajdarit, pasi automjeti që u përdor në vrasjen e Hajdarit, ishte në pronësi të tij.

Ky zyrtar me këto rekorde, në vend që te jetë përballë drejtësisë, është veshur me pushtet, me të cilin sot po abuzon duke shkatërruar një pronë të ligjshme, në kundërshtim me ligjin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura