EMISIONI VETTING
Akuzat politike për mbetjet toksike
Nga momenti i shpërthimit të skandalit për eksportin e mbetjeve nga Porti i Durrësit është prodhuar një rrëmujë për shkak të përplasjeve politike.
Akuzat politike lidhen me faktin se kompania koncesionare që administron pjesën lindore të portit e ka lidhur kontratën gjatë kohës që Partia Demokratike ka qenë në pushtet, duke iu ngarkuar përgjegjësia nga Mazhoranca, por edhe nga institucionet që janë në varësi të saj.
Ish-zv-Komandati i Forcës Detare, Artur Meçollari është shprehur se: “Transporti në përgjegjësi dhe transporti i mallrave të rrezikshme, në territorin e portit të Durrësit është përgjegjësi direkte e Autoritetit Portual të Durrësit dhe vet kompanitë që kanë marrë me koncesion pjesë të vet porti të Durrësit, ato kanë marrë aktivitetin dhe në kontratat e tyre është e shënuar që kontrata është e vlefshme për aq kohë sa zbatohet legjislacioni kombëtar dhe ai ndërkombëtar.”
Porti i Durrësit është në ngarkim të Autoritetit Portual Durrës, i cili menaxhohet nga bordi drejtues. Ky bord është i përbërë nga 7 persona, dy përfaqësues nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, kryetar dhe zv.kryetar të Bordit, një anëtar nga Ministria e Kulturës dhe Inovacionit, një përfaqësues nga prefektura Durrës dhe një nga Bashkia Durrës, si dhe dy përfaqësues nga sektori privat.
Më 23 dhjetor 2021, Bordi Drejtues i Autoritetit ka aprovuar vendimin nr. 16 përsa i përket Rregullores për trajtimin e mbetjeve të rrezikshme në Portin e Durrësit.
“Vetting” kërkoi të zbulonte përmbajtjen e kësaj rregullore, e cila nuk është publikuar në faqen zyrtare të Autoritetit duke shkelur ligjin për të Drejtën e Informimit, pasi vendime të tilla duhet të jenë të publikuara automatikisht.
“Ky është një rast specifik, ku për transportin e mbetjeve të rrezikshme, mbetjeve industriale, pikërisht është shkelur legjislacioni dhe më e keqja është që këto mbetje janë depozituar fillimisht në portin e Durrësit si mall rifuxho në tokë dhe më pas janë transportuar nëpërmjet kontejnerit. Kontejnerët janë mbushur në portin e Durrësit”- shprehet Artur Meçollari
Nga pamjet e siguruara në terren gjenden masive të mëdha materiali, të cilat janë të njëjtat produkte, për të cilat organizata mjedisore me qendër në Bazel ka ngritur dyshime se janë mbetje të rrezikshme.
Jim Puckett tha për Vetting se: “Jam shumë i shqetësuar për situatën në Portin e Durrësit sepse ruhen materiale në mot të hapur, nën elementet e shiut dhe të erës, një material i panjohur në formë pluhuri.
Kështu që do të përhapet dhe askush nuk duket se kujdeset për këtë gjë, pa kufizues, pa kontenierë dhe pa çati mbi materialin. Pra, thjesht do të hyjë në port dhe do të përhapet. Ky nuk është menaxhimi i duhur i çdo lloj materiali si ky, por edhe i të gjitha materialeve nëse janë mbetje të rrezikshme.
Na kanë thënë se kjo vjen nga fabrikat e çelikut, teknikisht nga Kurumi në Shqipëri dhe nëse vjen nga shumë fabrika që prodhojnë çelik, duhet të jetë mbetje dhe logjikisht do të jetë e rrezikshme dhe ka shumë të ngjarë që të jetë e paligjshme të eksportohet në këtë mënyrë.”
Jim Puckett shprehet se ka dyshime se ky aktivitet ka kohë që zhvillohet rregullisht në Portin e Durrësit dhe beson se gjithë ajo sasi e madhe mbetjesh nuk mund të vijë vetëm nga KURUMI, por edhe nga vende të tjera në Europë.
Sipas ekspertëve të mjedisit, mbetjet e rrezikshme duhet të trajtohen në procedura strikte dhe të kontrolluara. “Këto mbetje duhet të jenë gjithmonë nën kontroll strikt dhe rigoroz, përsa i takon qoftë trajtimit të tyre, por edhe magazinimit apo depozitimit të tyre në rast se ato janë për t’u transportuar në një vend tjetër, sikundër edhe transporti i tyre bëhet në kushte të veçanta. Pra, jo në oraret e pikut, jo në akset ku qarkullimi është më i madh dhe më i dendur.”- tha Rodion Gjoka.
Në maj 2013, qeveria shqiptare lidhi kontratën koncesionare “Për menaxhimin dhe Operimin e Terminalit Lindor në Portin e Durrësit” ndërmjet Ministrisë së Transporteve dhe operatorit “EMS Shipping and Trading GMBH”. Pra, koncesionari ka rol në ngarkimin dhe shkarkimin e mallrave rifuxho siç janë mineralet, pikërisht në pjesën ku dyshohet se akoma gjenden mbetje të rrezikshme. Nga filmimet me dron shihen thasët e ngarkuar, por edhe materialet e shpërndara në kalatën lindore të Portit.
Por pas akuzave nga Ministria për transportin e mbetjeve të rrezikshme doli lajmi se koncesionari i ishte shitur kompanisë kroate “SCAPHA D.O.O.”.
Në vendimin e aksionerëve, që është depozituar në Qendrën e Biznesit më 26 gusht 2024, deklarohet se kompania EMS e ka nënshkruar marrëveshjen për shitjen e të gjitha aksioneve me vlerë rreth 13 milionë euro më. Kjo kompani menaxhon edhe portin e Splitit në Kroaci dhe si përfaqësues të saj ka Rezart Spahian, ortak me ish deputetin e Partisë Demokratike, Alfred Rushaj, te kompania “Frost & Fire Consulting”.
“Vetting” kontaktoi Drejtoreshën e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Arta Dollani për ngarkesat e ekspozuara në ambient të hapur në kalatën lindore të Portit të Durrësit. Pyetjet se çfarë materialesh gjenden në këtë port dhe çfarë masash ka marrë Agjencia Kombëtare e Mjedisit pas apelit nga organizata ndërkombëtare nuk morën përgjigje.
MSC, italianët heshtin për kontejnerët
Një nga kompanitë që kanë ndenjur në hije është kompania e kontejnerëve që është marrë me ngarkesat që supozoheshin të shkonin në Tajlandë. Kur janë nisur në fillim të korrikut nga Porti i Durrësit, këto ngarkesa janë shkarkuar në Portin e Triestes dhe janë ngarkuar te anijet e nënkontraktuar nga MAERSK nëpërmjet kontejnerëve që i përkisnin kompanisë italo-zviceriane “MSC Mediterranean Shipping Company SA.”
Roli i Portit të Triestes dhe administratës italiane, e cila është anëtare e Bashkimit Europian i ka shpëtuar doganave, ku është bërë shkarkimi dhe ngarkimi përsëri i kontenierëve.
“Vetting” kontaktoi Drejtorin në Portin e Triestes, Antonio Cantani, për ngarkesën e rrezikshme nga Porti i Durrësit, por drejtuesi italian ishte i paarritshëm në linjë telefonike.
Sipas Ahmet Mehmeti: “Kjo historia me mbetjet është përsëritur edhe në vendet fqinje me Shqipërinë, në Itali e në vende të tjera. Pra, kanë spekulluar me mbetjet dhe italianët janë një shembull. Janë një përvojë që ne të mos e përsërisim atë gjë.”
Ajo që e bën më komplekse situatën është fakti se në shumicën e medias është raportuar për 100 kontenierë. Madje në komunikatën me përfaqësuesit e opozitës shqiptare, Partisë Demokratike, Autoriteti Portual i Durrësit ka deklaruar se nuk ka informacion për 100 kontenierët.
Në fakt janë 102 kontenierë që janë ngarkuar nëpërmjet dy anijeve “MAERSK”, të cilat kanë patur kontenierët 40+1 dhe 60+1.
Sipas Jim Puckett, ngarkesa të tjera mund të kenë ardhur nga Europa Lindore nëpërmjet kamionave drejt e në Portin e Durrësit, duke dhënë shpjegime nëse te kontejnerët mund të ketë mbetje radioaktive.
Drejtori Ekzekutiv i BAN, Jim Puckett tha per Vetting se: “Kjo nuk do të thotë se ky material nuk mund të jetë radioaktiv, disa nga kontejnerët apo të gjithë, thjesht nuk kemi prova për këtë. Mendoj se ka shumë mundësi që ky lloj materiali të jetë mbetje toksike dhe sipas ligjit ndërkombëtar nuk duhet të ishte larguar kurrë nga porti i Shqipërisë, pa pëlqimin e të gjitha vendeve të përfshira, veçanërisht pëlqimin dhe lejen e shtetit të Tajlandës. Tajlanda është shprehur se ata kurrë nuk kanë dhënë leje që kjo ngarkesë të vinte në vendin e tyre”.
Të njëjtin shqetësim me drejtorin e BAN Basel ndan dhe kryetari i shoqatës ekologjike në Elbasan.
“Ato mund të jenë grumbulluar në të gjithë Europën, në Itali ose në ndonjë vend tjetër, se kështu të lë të mendosh vetë fakti, vet kjo nebulozë e njoftimeve që vinë nga të katra anët e botës. Që atje hyn derri e dosa, dmth edhe nuk dihet ku janë. S’janë ato vetëm të KURUMIT, ose rrezik s’mund të ketë pjesë as KURUMI m.q.s ka çuar herë pas here, del për këto. Nuk dihet, nuk ka informacion sepse ne nuk bëjmë punën tonë, Autoriteti Portual e ka detyrë, bën vaki e ka marrë koncesionari?”.- tha Ahmet Ahmeti.
Por kush është MSC dhe cila është historia me rajonin e Ballkanit?
MSC është në pronësi të Gianluigi Ponte. Në fillim të vitit 2019, autoritetet doganore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të bllokonin anijen “GAYANE” në pronësi të MSC-së, pasi do të zbulonin në brendësi të saj sasinë më të madhe të kokainës të trafikuar në SHBA prej rreth 20 tonësh me vlerë 1 miliardë dollarë.
Nga investigimet rezultonte se më shumë se 1/3 e stafit të MSC-së kishte ndihmuar në transportin e kokainës te motorskafet e vogla dhe kjo nuk ishte hera e parë. Brenda 6 mujorit të parë, autoritetet amerikane sekuestruan 3 ngarkesa të ndryshme kokaine nga Kolumbia për të njëjtin grup kriminal nga Mali i Zi dhe të treja anijet kanë qenë në pronësi MSC-së, “MSC Charlotta” në Neë York, MSC Desiree dhe MSC Gayene në Portin e Filadelfias.
Për të zbuluar më tepër, “Vetting” kontaktoi administratorin e degës së MSC Albania, Mediterranean Shipping Company Albania, Artur Paço i cili refuzoi t’ju përgjigjej pyetjeve për përmbajtjen e kontejnerëve, duke na adresuar te zyrat qendrore.
Të njëjtin qëndrim pati edhe drejtuesi i zyrës qendrore të MSC-së për komunikimet globale, Giles Read duke shtuar më shumë pikëpyetjet për rolin e kompanisë globale në sektorin e kontenierëve.
Sipas ekspertit të mjedisit Ahmet Mehmeti: “Ne nuk zbatojmë rregullat dhe ligjet. Autoriteti Portual duhet të kishte zbatuar rregullat dhe ligjet, të kontrollonte kush hyn e kush del brenda kufirit shqiptar. Të dijë çfarë futet, si mund të vijnë të na futen lëndë radioaktive e ne s’e dimë? Na futen helmet dhe mbeturinat e të gjithë botës dhe ne nuk e dimë, jemi bërë koshi i Europës…”.
Sipas raportit nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, vetëm vitin e kaluar, Shqipëria ka prodhuar 39 mijë tonë mbetjesh të rrezikshme, duke përjashtuar mbetjet e rrezikshme spitalore.
Aktualisht vendi ynë nuk ka impiant incenerimi për mbetje te rrezikshme dhe ligji e ndalon importin e mbetjeve të rrezikshme.
LEXO EDHE:
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al