Dy ditë para çeljes zyrtare të sezonit turistik në Durrës, Bashkia gjobitet me 2 milionë lekë.Kjo masë vjen pas kontrollit të Task-Forcës së ngritur ditët e fundit mbi gjendjen e plazheve dhe mbetjeve që ndotin jo vetëm bregdetin, por dhe qytetin. Veç Bashkisë së Durrësit, gjoba me një vlerë prej 1 milion lekësh kanë marrë edhe bashkitë e Krujës si dhe Fushë-Krujës, bashkë me komunat Rrashbull, Katund i Ri, Ishëm dhe Cudhi, ndërsa janë paralajmëruar 340 subjekte për ndotje të detit. Raporti problematik është kryer nga grupi i Taks-Forcës, të përbërë nga Drejtoria e Shëndetit Publik, Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, Inspektorati Mjedisor, të cilët, lidhur me problemet me ndotjen në vijën bregdetare, kanë kryer disa kontrolle në bashki, komuna e subjekte private në zonat turistike. Autoritetet e Agjencisë Rajonale të Mjedisit, gjatë monitorimit të këtyre zonave, kanë konstatuar mungesë administrimi të mbetjeve urbane, të ngurta, por edhe ndotje akustike. Drejtori i Mjedisit në Durrës, Ramazan Kalia, tregon se pas monitorimit dhe konstatimit të situatës në zonat turistike të qarkut të Durrësit janë konstatuar ndotje në nivele të larta, duke penalizuar me gjobë tre bashkitë dhe komunat, si dhe duke paralajmëruar qindra subjekte për ndotje të detit. Kalia u shpreh se kjo Drejtori ka ndëshkuar Bashkinë e Durrësit, por edhe disa komuna, për neglizhencë të kompetencave që u jep ligji. Ndërkaq, ai ka bërë përgjegjëse Bashkinë e Durrësit për mosmenaxhimin e mbetjeve urbane, përcaktimin e vendëdepozitimit të tyre, neglizhencë kjo që ka sjellë ndotje masive të plazheve, por edhe të qytetit bregdetar. Ndërkohë që, disa aktivitete të tjera private janë ndëshkuar në mënyra të ndryshme, që nga vendosja e gjobave e deri te mbyllja e veprimtarisë, masa këto që sipas drejtuesve të këtij dikasteri kanë përmirësuar gjendjen në bregdetin e Adriatikut. Sipas drejtorit të Agjencisë Rajonale të Mjedisit në Durrës, Ramazan Kalia, shuma e gjobave të vëna përgjatë muajve të fundit nga kjo Drejtori, pas monitorimit të vazhdueshëm, sidomos në zonat e plazhit të Durrësit, Golemit e Ishmit, arrin në 6 milionë lekë të reja. Ndërkaq, të njëjtat burime pohojnë se nga aksionet e fundit që kanë zhvilluar në plazhin e Golemit dhe atë të Durrësit, plazhi i Currilave, tek shëtitorja Taulantia në afërsi të Shkëmbit të Kavajës dhe një zonë tjetër në Golem, cilësohen si zonat turistike me nivelin e ndotjes tej normave të lejuara nga ujërat e zeza. Nga inspektorët e mjedisit mësojmë se po merren masa për të ndryshuar situatën në plazhet problematike, ku një javë më parë është kryer edhe një ndërhyrje, pikërisht në zonën e Shkëmbit të Kavajës, duke betonizuar tubacionet dhe kanalet që shërbenin për të shkarkuar ujërat e zeza në det.
Bashkia, në 6 muaj, 6 milionë lekë gjoba
Vetëm gjatë këtij viti, Bashkia e Durrësit është gjobitur tre herë, me një vlerë prej 6 milionë lekësh të reja, nga Drejtoria Rajonale e Mjedisit për neglizhence të kompetencave, ndërsa një vit më parë u gjobit dy herë për të njëjtin problem. Ndryshe nga vitet e kaluara, tani për vjeljen e gjobave merret institucioni i Përmbarimit, i cili duhet të garantojë ekzekutimin e tyre. Nga ana e saj, Drejtoria Rajonale e Mjedisit u ka kërkuar jo vetëm institucioneve të pushtetit vendor, por edhe subjekteve private, që të ushtrojnë si duhet kompetencat e tyre, kur bëhet fjalë për administrimin e mbetjeve urbane apo konstatimin e subjekteve që rrezikojnë shëndetin e popullatës.
Fushë-Krujë, rinis ndotja nga furrat e gëlqeres
FUSHE-KRUJE – Rindizen në zonën e Fushë-Krujës furrat e gëlqeres që shfrytëzojnë si lëndë djegëse goma automjetesh. Shkelësit e ligjit dhe ndotësit e ambientit kanë shfrytëzuar edhe apatinë e institucioneve shtetërore, për shkak të periudhës paszgjedhore për të riaktivizuar veprimtarinë. Këtë herë, si lëndë djegëse prodhuesit ilegalë të gëlqeres përdorin edhe mbetjet e fabrikave të këpucëve, që janë materiale plastike dhe shumë ndotëse, nëse digjen. Lëndët helmuese përhapen edhe në qytetet fqinje, veç Krujës dhe Fushë-Krujës, ku edhe veprojnë furrat. Disa herë organet shtetërore kanë nisur hetime dhe kane proceduar penalisht disa nga pronarët e këtyre furrave, por rezulton që asnjë të mos ketë përfunduar në burg. Inspektorati Ndërtimor, në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit, ndërmori një aksion për shkatërrimin e këtyre furrave, por ato u rindërtuan përsëri. Edhe këto ditë në qytetet e Krujës dhe Fushë-Krujës vazhdojnë të ndotin ajrin sasi të mëdha tymi, të shkaktuara nga djegia e materialeve plastike. Ndërkohë që, një pjesë e madhe e sipërfaqes pyjore është prerë për t’u përdorur si lëndë djegëse. r.n
DURRES/ LEONIDHA MUSAJ
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al