Dy dekada në shërbim të së vërtetës, kryeredaktori i “Panorama”, Aristir Lumezi u nda nga jeta pas një sëmundje të rëndë! I jepet sot lamtumira e fundit

Jul 11, 2024 | 7:45
SHPËRNDAJE

Në moshën 57-vjeçare ndërroi jetë dje kryeredaktori i gazetës “Panorama” dhe gazetari i njohur, Aristir Lumezi, pasi prej disa kohësh vuante nga një sëmundje e rëndë.

aristir lumezi

Lumezi nuk mundi ta fitonte betejën me sëmundjen e rëndë që i preu jetën në mes në moshën 57-vjeçare. Pavarësisht se luftoi me gjithë forcat e tij për të mposhtur sëmundjen, ai i mbylli sytë përgjithmonë, duke lënë pas pikëllim të thellë. Më një përvojë të gjatë prej dy dekadash, Aristir Lumezi ka dhënë një kontribut të vyer në median e shkruar shqiptare dhe atë vizive.

Lumezi ka qenë gazetar i politikës për dy dekada dhe ka mbajtur postin e kryeredaktorit të gazetës “Panorama”. Lumezi nuk u nda kurrë nga pasioni i tij më i madh, të shkruarit dhe letërsia. Ai ndoqi studimet e larta në universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, përgjatë viteve 1985-1989, ku u diplomua për letërsi.

Më pas, rrugëtimi i tij u ndërlidh ngushtë me shtypin e shkruar dhe gazetarinë. Ai gjithashtu ua transmetoi njohuritë dhe pasionin e tij studentëve të gazetarisë gjatë kohës që punoi si pedagog i jashtëm në Universitetin e Elbasanit. Paralelisht ai vijonte punën në media, ku për shkak të angazhimit dhe profesionalizmit të treguar arriti të ngjiste shkallët e karrierës, duke mbajtur edhe poste drejtuese në shtypin e shkruar dhe median ‘online’, si kryeredaktor i gazetës “Panorama”.

Gazetari Aristir Lumezi kishte një eksperiencë prej më shumë se dy dekadash dhe ka dhënë një kontribut të vyer në median e shkruar shqiptare dhe atë vizive. Ai ka mbajtur detyra të rëndësishme në median e shkruar dhe ishte një nga profesionistët më të shquar të gazetarisë. Lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta e dhanë vetë familjarët e tij, të cilët tanimë do mundohen të vazhdojnë jetën pa prezencën e njeriut të tyre të dashur.

Përcjellja për në banesën e fundit do të bëhet ditën e enjte, më 11 korrik, në orën 12:00, ndërsa ceremonia mortore do të zhvillohet në ambientet e “Funeral Home Parajsa”, në rrugën “Muhedin Llagani”. Trupi i pajetë i gazetarit do të prehet përgjithmonë në varrezat e Sharrës, në Tiranë. Pritjet për ngushëllime do të zhvillohen po tek “Funeral Home Parajsa” në datat 12 dhe 13 korrik nga pra 10:00-13:00 dhe nga ora 17:00-20:00. “Panorama Group” dhe “Focus Media” i shprehin ngushëllimet familjes për ndarjen para kohë nga jeta. Për ikjen e parakohshme të tij reagoi dje Unioni i Gazetarëve Shqiptarë.

“Pas një kohe vuajtjesh nga një sëmundje e rëndë, është ndarë nga jeta kolegu ynë i dashur, një ndër modelet njerëzore të komunitetit tonë, kryeredaktori i gazetës ‘Panorama’, Aristir Lumezi. Ikja e tij nga jeta në moshën 57 vjeç ka pikëlluar rëndë familjarët e tij, miqtë, kolegët dhe krejt organizatën tonë, pjesëtar i së cilës ishte qysh në vitin e parë të themelimit të saj. Gazetari Aristir Lumezi spikati si reporter i politikës në shtypin shqiptar përgjatë 20 viteve të fundit. Ai drejtoi me maturi dhe profesionalizëm disa redaksi të të përditshmeve kryesore në vend dhe për disa vite u dallua si zëvendëskryeredaktor dhe kryeredaktor i së përditshmes kryesore në vend, gazetës “Panorama”. Kolegu ynë i nderuar, Lumezi, ishte prind dhe familjar i shkëlqyer, një profesionist i karakterizuar në çdo moment nga përgjegjësia dhe ndërgjegjja e lartë morale dhe profesionale. Ai ndau njohje të shumta profesionale e njerëzore dhe meritoi një simpati publike si gazetar dhe pjesëtar i editorit të “Panoramës”.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë shpreh dhimbjen e anëtarëve për humbjen e parakohshme të kolegut dhe mikut tonë të respektuar dhe përcjell ngushëllimet pranë familjes Lumezi! I paharruar do të mbetet mes nesh kolegu dhe miku ynë i urtësishëm! Zyra Informuese”, – shprehet Unioni i Gazetarëve Shqiptarë.

Ulsi Manja: Lamtumirë, mik i vërtetë!

Kreu i dikasterit të Drejtësisë, Ulsi Manja, shprehet i keqardhur për ndarjen para kohë nga jeta të Aristir Lumezit. Ministri Manja e konsideron gazetarin Lumezi si një mik të vërtetë, ndërsa lajmi i ndarjes nga jeta e kapi në befasi.

Ministri i Drejtësisë teksa vlerëson personalitetin e Aristir Lumezit, kujton bisedën e fundit më te, që siç shprehet Ulsi Manja “ishin gjithmonë për të më përgëzuar apo për të më dhënë ndonjë këshillë për komunikimin tim publik, por kurrë për hallet ose punët e tij”.

“Lajmi për ndarjen nga jeta të Aristir Lumezit më kapi në befasi! Nuk mbaj mend se kur ka qenë telefonata ime e fundit me Aristirin, pasi i kisha rënë disa herë kohët e fundit për ta pyetur për diçka, thelbi i së cilës ka humbur nga ritmi i shpejtë i ditëve…! Nuk mu përgjigj në telefon, mesa duket sëmundja nuk ia paska lejuar të rrokë telefonin në dorë. Se gatishmëria e tij për t’u përgjigjur në çdo orë të natës apo ditës ishte shembullore. Nuk e trazova më! Dhe sot mora lajmin e trishtë për ndarjen e tij nga kjo botë e zhurmshme, të cilës ai i qëndroi larg me atë qetësinë tipike, që ishte pjesë e qenësishme e karakterit të tij.

Megjithatë, përmbajtjen e bisedës së fundit me të e mbaj mend mirë, sepse Aristiri, si burrë fisnik që ishte, gjithnjë interesohej për hallet e të tjerëve. Telefonatat e tij ishin gjithmonë për të më përgëzuar apo për të më dhënë ndonjë këshillë për komunikimin tim publik, por kurrë për hallet ose punët e tij! Ky ishte Aristir Lumezi, specie në zhdukje e gazetarisë korrekte dhe e lajmit ‘lajm’, pa cenuar askënd në nder e dinjitet dhe gjithmonë besnik i mbrojtjes së interesit publik dhe të vërtetës! Dhimbja dhe mungesa më e madhe është e familjes, por jo pak do të na mungosh edhe neve, miqve dhe shokëve të shumtë që kishe, i dashur Aristir. Megjithatë, jam i bindur që më së shumti do t’i mungosh gazetarisë së ndershme dhe të vërtetë, që ti i dhe më të mirën tënde! Lamtumirë, mik i mirë, mik i vërtetë!”, – shprehet Manja.

Balla: Mik i mirë dhe një gazetar korrekt!

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të kryeredaktorit të gazetës “Panorama”, Aristir Lumezi. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Balla e përshkruan gazetarin Lumezi si një mik të mirë dhe korrekt në profesion.

Një mik i mirë dhe një gazetar korrekt si Aristir Lumezi nuk ia doli dot në betejën me një sëmundje të rëndë. U prehsh në paqe Aristir!”, – shkruan ministri i Brendshëm, Taulant Balla.

Gjekmarkaj: Lumezi, profesionist i rangut të lartë dhe gazetar europian!

Nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj shprehu dje ngushëllimet për ndarjen nga jeta të kryeredaktorit të gazetës “Panorama”, Aristir Lumezi. Teksa vlerëson figurën e tij, deputeti demokrat thotë se Lumezi ka qenë një profesionist i rangut të lartë.

Gjekmarkaj thotë se gazetari Lumezi ka qenë gjithmonë i qetë, i durueshëm për të dëgjuar dhe i sakte në përfundime. Sipas tij, Aristir Lumezi ka qenë një gazetar evropian në performancën e tij, modern dhe urban në këndvështrim.

“Me keqardhje të thellë mësova për ndarjen nga jeta të njërit prej lajmëtareve më cilësore të Shqipërisë, Aristir Lumezit, Kryeredaktorit të gazetës “Panorama”. Një njeri i ndershëm, një profesionist i rangut të lartë, një ndërgjegje analitike, do t’i mungojë familjes, medias e në veçanti gazetës ‘Panorama’, por edhe vendit. Kam pasur fatin të bashkëpunoj me të si një bashkëpunëtor i hershem i këtij organi dhe t’ia njoh përkushtimin e tij për të vërteten, gjykimet e tij mbi ngjarjet dhe personazhet, rëndësinë që i jepte lajmit me dashuri të madhe për punën dhe kodet e saj etike.

Larg nevojës për protagonizëm, por afër çdo ngjarjeje që shënonte jetën e shoqërisë, politikes dhe shtetit tonë! Gjithmonë i qetë, gjithmonë i durueshëm për të dëgjuar dhe i saktë në përfundime. Ishte një gazetar shqiptar e evropian në performancën e tij, modern e urban në këndvështrim, njohës i mirë i mentaliteteve dhe territorit. Lumezi mbetet një shembull për të gjithë ata që duan të bëhen gazetarë, por edhe qytetarë model. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij”, – shprehet Gjekmarkaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura