Dy fjalë për gratë dhe politikën në Shqipëri

Dec 18, 2024 | 7:52
SHPËRNDAJE

BELINA BEDINIBELINA BEDINI

Nëse ka një indeks me të cilin Shqipëria krenohet, është pjesëmarrja e grave në politikë. Vendi ynë është mbi mesataren europiane përsa i përket pjesëmarrjes së grave në qeveri, sepse në qeveri kemi 57% gra. Në këshillat bashkiak gratë zënë 44% të vendeve, ndërsa në Parlament ato përbëjnë 35% të anëtarësisë. Këtu mund të shtojmë edhe faktin se Kuvendi drejtohet prej vitesh nga një grua. Gjithashtu, pozicione kyçe si ai i zëvendëskryeministrit, apo kryenegociatorit për integrimin europian, Avokati i Popullit, mbahen nga gra.

Në pamje të parë, rezultati është mbresëlënës. Sigurisht, përsa i përket qeverisë, duhet pranuar se ky rezultat vjen si pasojë e vizionit të kryeministrit, i cili publikisht shpeshherë e ka vlerësuar punën e grave në administratë dhe qeverisje. Ndërsa, rezultati i pjesëmarrjes së grave në organet vendimmarrëse si Parlament, këshilla bashkiakë ka ardhur si pasojë e vendosjes së ashtuquajturave kuota rozë në Kodin Elektoral, ku në nenin 4 të tij përcaktohet se partitë politike duhet të përfshijnë deri në masën 30% gjininë më pak të përfaqësuar, që në rastin tonë janë gratë. Ky ndryshim pati impakt, sepse në vitin 2000 anëtaret femra të parlamentit ishin vetëm 7%, ndërsa që nga 2017-ta, menjëherë situata ndryshoi dhe arriti në shifrën 35%. Megjithatë, përfaqësimi i grave në Parlament prej 35% nuk ka ndryshuar më që prej vitit 2017. Ndryshe ndodh në vendet e tjera të rajonit, ku Serbia ka arritur në kuotën 38%, ndërsa Maqedonia e Veriut është në nivelin 40% gra parlamentare.

Në qeverisjen lokale, në Shqipëri, kemi vetëm 13% gra si kryetare bashkish, ndërsa kryetarët e 61 këshillave bashkiakë janë burra. Çfarë ka ndryshuar në politikën shqiptare me përfshirjen e grave në politikë? Për t’i kthyer përgjigje kësaj pyetjeje duhet të vërejmë pse janë përfshirë gratë në vendimmarrjen politike dhe çfarë ndryshimi cilësor ka ndodhur, përtej vendit tonë. Pas Deklaratës Universale e të Drejtave të Njeriut, ku në nenin 21 përcaktohet e drejta e barabartë mes gjinive për të marrë pjesë në qeverisje, në 1979 në Konventën për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Kundrejt Grave CEDAW, shtetet u angazhuan për të luftuar pabarazitë në qeverisje. Ky angazhim u forcua në 1995 me Deklaratën e Pekinit të OKB-së, ku shteteve iu rekomandua të zbatojnë iniciativa të diskriminimit pozitiv si sistemi elektoral me kuotat rozë. Kështu, në 20 vitet e fundit në 118 shtete, përfshirë Shqipërinë u zbatuan kuotat rozë. Pse u vendos që gratë të nxiten dhe mbështeten për t’u bërë pjesë e politikës? Në të vërtetë, misioni i kuotave rozë deri në 30%, ishte që ky nivel të rritej gradualisht në vitet në vijim, për të arritur deri në masën 50%, që do të ishte vërtet niveli i barazisë. Pra, gratë që do të hynin në vendimmarrje duke përfituar nga këto kuota, do të motivonin dhe mbështesnin edhe gra të tjera në vitet pasuese.

Me fjalë të tjera, ato do të ishin promotori i përfshirjes së më shumë grave. Për më tepër, rekomandimet e organizatave ndërkombëtare ishin që gratë duhet të promovohen sa më shumë nga partitë, ku aderojnë duke u vënë në dispozicion fonde financiare për fushatë, duke i promovuar në media etj.. Për më tepër, Këshilli Europës ka rekomanduar në vitin 2023 vendosjen e sistemit zip, që nënkupton një burrë, pasuar nga një grua në listat e kandidaturave për zgjedhje. Përtej fakteve, shifrave, apo historikut institucional përshkruar më lart, duhet kuptuar pse duhen gratë në politikë? Studimet tregojnë se prezenca e grave në Parlament do të sillte një demokraci më cilësore, më shumë kreativitet, diversitet dhe më tepër vëmendje për politikat ndaj familjes, fëmijëve, kujdesit ndaj të moshuarve apo politikat e përgjithshme sociale për grupet e margjinalizuara. Kjo do të sillte më tepër efektivitet dhe llogaridhënie, madje ekonomistët parashikojnë edhe rritje të GDP së, sidomos në vendet në zhvillim, nëse arrihet barazia gjinore. Praktikisht, studimet kanë treguar se rritja e numrit të grave në politikë, sidomos në vendet në zhvillim, nuk ka sjellë ndryshimin e dëshiruar.

Autorë të ndryshëm shpjegojnë, se që ky ndryshim të ndodhë, duhet që gratë politikane të motivohen dhe të jenë të përgjegjshme për rolin që kanë në politikë. Ato duhen trajnuar se si të sjellin ndryshimin, si të fokusohen në çështje të buxhetit për arsimin, për luftën kundër dhunës ndaj grave, për mbështetjen e grave të tjera dhe mbi të gjitha të brezave të rinj. Pra, vendosja e kuotave është vetëm fillimi i punës, që duhet pasuar me mekanizma të tjera. Rritja reale e numrit të grave në vendimmarrjen politike nuk është qëllimi, por mjeti i cili sjellë ndryshimin. E njëjta gjë vlen edhe për realitetin shqiptar. Barazia gjinore në vendimmarrjen politike do të ndodhë kur të kemi 50% gra në Parlament, në këshilla bashkiakë dhe në postet e kryetareve të bashkive dhe të këshillave bashkiak.

E megjithatë, ndryshimi në cilësinë e demokracisë do të ndodhë kur gratë politikane të jenë të mbështetura nga partitë e tyre, të kenë akses në media, në financimet e partive ku aderojnë, kur të mbështesin vajza e gra të tjera, sidomos nga rinia për t’u bërë pjesë e politikës, kur të hartojnë e luftojnë për politika sociale për fëmijët, familjen, të moshuarit, për arsimin, për kulturën. Me fjalë të tjera, gratë në politikë do të sjellin ndryshimin cilësor, kur ato vetë të kenë kuptuar misionin e tyre të vërtetë se përse janë aty në politikë./Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura