Presidenti Donald Trump tha të shtunën se ishte në bisedime me shumë individë për blerjen e platformës TikTok dhe ka të ngjarë të marrë një vendim për të ardhmen e aplikacionit në 30 ditët e ardhshme.
“Kam folur me shumë njerëz për (aplikacionin) TikTok dhe ka interes të madh për TikTok-un,” u tha zoti Trump gazetarëve në bordin e avionit presidencial ‘Air Force One’ gjatë një fluturimi për në Florida.
Më herët të shtunën, agjencia e lajmeve Reuters, raportoi se dy persona që janë në dijeni të bisedimeve, thanë se administrata e zotit Trump po punon mbi një plan për të shpëtuar aplikacionin TikTok që përfshin kompaninë amerikane të teknologjisë kompjuterike ‘Oracle’.
Sipas marrëveshjes që po negociohet nga Shtëpia e Bardhë, kompania mëmë e rrjetit TikTok, ByteDance do të vazhdonte të kishte rol, por mbledhja e të dhënave dhe përditësimi i rrjetit do të mbikqyrej nga kompania amerikane ‘Oracle’, që aktualisht mundëson infrastrukturën për funksionimin e TikTok-ut në Shtetet e Bashkuara.
Sidoqoftë, në komentet e tij për gazetarët, zoti Trump tha se nuk kishte biseduar me shefin e kompanisë Oracle, Larry Ellison, për blerjen e aplikacionit. I pyetur nëse po synohej një marrëveshje me ‘Oracle’ dhe invesitorë të tjerë për të shpëtuar aplikacionin zotit Trump tha se “Jo nuk është ‘Oracle’. Ka shumë njerëz që po flasin me mua, njerëz të rëndësishëm, mbi mundësinë për ta blerë dhe ka të ngjarë që të marr vendim në 30 ditët e ardhshme. Kongresi ka dhënë 90 ditë. Nëse mund ta shpëtoj Tiktok-un mendoj se do të ishte diçka e mirë”, tha zoti Trump./VOA
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al