E ëndërrojnë të gjithë klubet e mëdha, Çabi Alonso mund të bëhet pasardhësi i Guardiolës te Siti

Oct 17, 2024 | 23:31
SHPËRNDAJE

Pep Guardiola mund t’i japë lamtumirën Mançester Sitit në fund të këtij sezoni, pasi i përfundon kontrata që ka me klubin anglez. Vetë trajneri nuk ka lënë të kuptohet nëse po kërkon apo jo një rinovim dhe kjo ka shtyrë Sitin që të fillojë të mendojë për një emër që të vijojë punën e shkëlqyer të spanjollit.

guardiola-alonso

Drejtori i ri sportiv i “qytetarëve”, Hugo Viana, raportohet se që tani ka gjetur atë që është kandidati më i përshtatshëm për të vijuar në gjurmët e Guardiolës. “The Athletic “ bën të ditur se Çabi Alonso është emri i përzgjedhur që do të tentohet me çdo kusht që të afrohet te Siti nëse Guardiola i jep lamtumirën klubit në fund të këtij edicioni.

Trajneri aktual i Bajer Leverkusen është një nga emrat më të kërkuar në Europë, me klube si Real Madrid, Bajern Mynih apo Liverpul që e ndjekin me interes pasi e njohin edhe falë kontributit që ka dhënë si futbollist në radhët e tyre. Megjithatë, Mançester Siti do t’i ofronte një skuadër konkurruese të niveleve më të larta të gatshme dhe mundësinë për të treguar se jo më kot cilësohet nga të gjithë si pasardhësi i denjë i Guardiolës.

“Qytetarët” kishin kërkuar të afronin Alonson edhe katër vite më parë. Por asokohe, emri i tij kishte qarkulluar në klub vetëm si një ndihmës i Guardiolës, me teknikun i cili zgjodhi që të punonte me ekipet e të rinjve dhe jo të ishte pjesë e stafit të klubit anglez.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura