“E kam një ide mjaft të mirë se kush do të fitojë në zgjedhje”- Rama me Trupin Diplomatik: Shqipëria ka vetëm një plan, anëtarësimin në Bashkimin Evropian

Dec 24, 2024 | 18:33
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama në darkën tradicionale të fundvitit me Trupin Diplomatik të akredituar në Shqipëri dha mesazhin se Shqipëria nuk ka plan B, por ka vetëm një plan, atë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

edi rama

Në fjalën e tij, kreu i qeverisë mes batutave u shpreh se e ka një ide mjaft të mirë se kush do t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme, por përtej kësaj deklaroi se shqiptarët do të vendosin që të qëndrojnë në krah të vlerave dhe parimeve euroatlantike.

“Ndërsa i qasemi një viti të ri zgjedhor, jam i sigurt që pyetjet për zgjedhjet e përgjithshme që po vijnë, do te zene shpejt vend në shkresat e raportet tuaja. Besoj, kam një ide mjaft të mirë se kush do të dalë fitues, por, përtej shakave, mund t’ju siguroj se, pavarësisht se për kë palë politike do të votojnë shqiptarët, ata që të gjithë do të vendosin t’u qëndrojnë vlerave dhe parimeve të komunitetit euroatlantik, të nxisin arritjen e objektivit historik për t’u bërë anëtarë të mirë e krenarë të familjes së bashkuar evropiane, të mbështetin liritë individuale, shtetin e së drejtës dhe demokracinë.

Këto janë zotime të panegociueshme që shkojnë përtej moshës, gjinisë, krahinës apo bindjes politike të shqiptarëve. Shqipëria nuk ka plan B, por vetëm një plan të padevijueshëm e të padiskutueshëm, atë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Brenda kësaj dekade, do të japim gjithçka kemi, që kjo të bëhet realitet.

Sidoqoftë, është afërmendsh që duam të jemi miq, miq të mirë e besnikë, me të gjithë të tjerët rreth kësaj tryeze, të cilët jetojnë, punojnë e rrisin mirëqenien matanë kufijve të Europës demokratike, si për shembull vendet vëllazërore të Gjirit, sistemi politik i të cilave është ndryshe nga i yni, por me të cilat kemi një lidhje të fortë dhe shpresoj e lutem që të bëhet edhe më e fortë”,tha kryeministri Edi Rama.

Rama po ashtu u ndal edhe ne raportet me Shtetet e Bashkuara te Amerikës, duke theksuar se me Presidentin e ri, Donald Trump do te ketë mundësi të reja.

“Ne kremtojmë aleancën dhe miqësinë tonë të fortë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Uroj që viti i ri, i cili vjen pas fushatës më të gjatë e më të nxehtë në historinë e tyre të jashtëzakonshme të betejave demokratike dhe me një President të ri në Shtëpinë e Bardhë, të sjellë mundësi te reja për forcimin e mëtejshëm të lidhjeve tona”. u shpreh Rama.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura