Deputetja demokrate, Ina Zhupa, tregon se ka shkuar në burgun e Fierit për të takuar nga afër ish-deputetin demokrat Ervin Salianji, i cili është burgosur nën akuzën për “kallëzim të rremë”.
Në një intervistë për emisionin “Kjo Javë” në News 24 demokratja tha se ka shkuar ta takojë në burg Salianjin, por ka preferuar që mos t’i bëjë publike takimet me të.
Sakaq ajo tha se ish-deputeti qëndron i motivuar në burg dhe se ai po bën opozitë edhe pas hekurave të qelisë.
Ina Zhupa: E kam takuar në burgun e Fierit. Salinajni është atje në mënyrën më të padrejtë të mundshme, ai ndodhet atje se ka bërë një denoncim publik. Është i motivuar… Ai bën opozitë edhe nga qelitë e burgut dhe do dali edhe më i i fortë nga atje.
Prej 26 shtatorit të këtij viti, Ervin Salianji ndodhet në burgun e Fierit, pasi Gjykata e Apelit la në fuqi dënimin me 1 vit burgim për deputetin demokrat Ervin Salianji, për akuzën e “Kallëzimit të rremë” për rastin e audio-përgjimit ku pretendohej se vëllai i ish ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, ishte përfshirë në një episod trafiku droge.
Salianji foli për një vendim politik, ndërsa më pas opozita e cilësoi vendimin si një akt lufte ndaj saj nga ana e kryeministrit Edi Rama.
Në audio përgjimin i cili u bë publik nga Salianji në maj të vitit 2018, pretendohej se po zhvillohej një bisedë mes vëllait të zotit Xhafaj dhe një ish të dënuari në Itali për trafik droge, për ta ndihmuar këtë të fundit që të sigurojë një ngarkesë me marijuanë.
Çështja në atë kohë, krijoi debate të forta politike, dhe opozita kërkoi me ngulm dorëheqjen e zotit Xhafa, ndërsa ky i fundit mohoi kategorikisht që të ishte përfshirë vëllai i tij, i cili në fillim të viteve 2000 kishte patur një dënim për trafik droge në Itali.
Hetimet e prokurorisë në atë kohë, zbuluan se biseda ishte inskenuar, dhe se rolin e vëllait të zotit Xhafaj, e kishte marrë përsipër një tjetër person.
Sipas prokurorisë Salianji ishte përfshirë në “krijimin e provave të rreme për të dëmtuar politikisht zotin Fatmir Xhafaj, në atë kohë në detyrën e ministrit të Brendshëm”.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al