GAZETA PANORAMA.al /”Fakti që Nexhmije Hoxha tregoi dhe e vendosi veten në dispozicion të mbrojtjes së Enver Hoxhës, kjo nuk është pak. I dhashë dorën.
-Si je?… – Shumë mirë, si në burg, ku ka më mirë…
Qeshi me qesëndi.
– Qenke mirë me shëndet… Mbahu e fortë! Po fëmijët si janë?
– Valbona me Shpatin sot, ose nesër do t’i takoj, janë kthyer, kurse Dritani, jo. Po ti, a i mbarove hetimet? – më pyeti.
Dialogu është i shkëputur nga faqet e ditarit të Sulo Gradecit, kur u takua me Nexhmije Hoxhën në burgun 313 në vitin 1993. Pikërisht në atë kohë kur të gjitha fatet ishin përmbysur, kur krerët e dikurshëm qëndronin pas hekurave të qelive, ndërsa ata të tjerët, që ishin zvarritur për t’u ushqyer, ju komandonin tashmë oraret e takimeve me të afërmit, kohën e lirë që do të kalonin në oborr, e gjithë ç’mund të përfshinte jetesa e një gruaje 70-vjeçare në burg.
Drejtor i Burgut 313 të atyre viteve ishte Tanush Mulleti, i nipi i ish-prefektit të Tiranës, Qazim Mulletit. Ai qysh fëmijë, pas vdekjes së të atit, ishte larguar me motra e vëllezër drejt Shkodrës, sepse nuk kishte tjetër ku të shkonte, nëse nuk do ishte për të afërmit nga ana e nënës. Ai që i mohuan punën, profesionin, jetesën njerëzore për shkak të mbiemrit. Hakmarrje nuk pati. Përkundrazi. Veçse të shkuarën e tij, të nënës, bashkëshortes e fëmijëve nuk e fshinte dot nga sytë. Gazeta Panorama.al ripublikon bisedën me çiftin Mulleti për ato vite, duke anuar këtë herë më shumë nga e shoqja, Safete Bushati Mulleti.
Veçse as ajo nuk mund të rrëfejë pa e pasur të shoqin afër. Kujtimet e trishta janë aq të shumta saqë duket sikur kërkojnë t’i bëjnë bisht kujtesës, duke prishur kështu rrjedhën kronologjike të rrëfimit. Por, për të vendosur sërish në vend renditjen është Tanushi. E shoqja ia ka rrëfyer aq herë historinë e fëmijërisë, saqë ai e ka shkrirë tashmë me të tijën. Prandaj edhe rrëfimi i njërit nuk mund të ndahet nga i tjetrit. “Kanë shkruar kaq herë për ty, pse të mos shkruajnë njëherë edhe për mua”, ia hedh Safetja të shoqit me buzëqeshjen shkodrane gjithnjë prezente, që dallohet sa kalon pragun e shtëpisë. “Kur më telefonuat, po mendoja se nga ta nisja, çfarë të tregoja më parë në takimin që lamë”. Sepse, megjithëse ndonjë ngjarje i devijonte, Safetja e ndiente veten aq të mbushur me kujtime, saqë do t’i duhej një libër për t’i përmbledhur.
Çdo fotografi që shihte, nga ato pak që ruante nga vitet e komunizmit, i sillte ndërmend fëmijërinë kur nuk kishte provuar asnjëherë akullore, nuk kishte as edhe ndonjë përfytyrim të gabuar të detit. Kohën e lirë nuk mund ta kalonte me lodrat e fshatit, sepse në të kundërt nuk do kishte mundësi të siguronte librat e shkollës, kështu që mblidhte duhan. Deri sa fati e njohu me Tanushin dhe jetesa u përmirësua.
Po ç’pjesë nga ai libër që do të donte të shkruante, do na shkëpusë Safetja?! Si një shkodrane e qeshur që është, zgjedh padyshim edhe copëza të jetës së bukur, kur historia njëfarësoj e kishte shpërblyer. Edhe pse të shoqin mund të mos e shihte për ditë të tëra, për shkak të punës që kishte.
Fundja, ishin ata njerëz që ai po strehonte në qeli që ia kishin ‘dhuruar’ të shoqin, sepse ndryshe Tanushi nuk do transferohej në Shkodër. E po ata, në një tjetër formë, po ia merrnin sërish. Po tani ishte vetëm çështje kohe…
Ç’diskutime bëheshin në shtëpi rreth ‘armikut’ që tashmë ju erdhi në derë. A kishte ndjenjë hakmarrjeje?
Jo, prej asnjërit prej nesh. Madje, kujtoj nënën e Tanushit që i thoshte gjithmonë se si mund të mbahej në burg një grua e moshuar. Ai i përgjigjej se nuk e kishte futur ai. E meqenëse nuk mund ta nxirrte, të paktën të bënte ç’të mundte që t’i lehtësonte jetesën.
Si ia lehtësonit?
Tanushi: Jetesa në burg ka oraret dhe rregullat e veta që në këtë rast unë i shkelja, duke e favorizuar gjithnjë që të mos zgjohet në orën pesë për shembull siç bënin të tjerët, apo në rastin e të qëndruarit jashtë. Nëse të tjerët qëndronin një orë, ajo rrinte me kohë jo të limituar. Edhe këtë gjë e bëja më shumë për hatër të nënës, që më thoshte vazhdimisht se nuk mbahet plaka në burg. Sado që unë i thosha: Ty të kanë vrarë djalin e burrin… Përgjigjja ishte: “Atë e di Zoti”.
Po Nexhmije Hoxha si sillej ndaj jush?
Ishte një grua e rregullt, e mbante veten fort, por me sjellje të vrazhda e tepër nevrike. Revoltohej ndaj faktit që e kishin burgosur dhe vetëm këtë linjë sjelljeje mbante. Veten nuk e lëshonte, ama sjellja ishte gjithnjë ajo. Pse po e persekutonin…
Kërkonte një përgjigje që, disa vite më parë, mijëra njerëz të tjerë nuk mundën ta marrin kurrë. Por ju që jeni këtu, të paktën një arsye të thënë e keni.
E meqë Tanushit ia thotë vetë mbiemri, po dëgjoj Safeten… Unë vij prej familjes së Bushatllinjve të Shkodrës, kryesisht antikomunistë, sepse kishte edhe një grup tjetër komunistë. Për shkak se familja e babës kishte strehuar një nga udhëheqësit e Shkodrës, Sulço Beg Bushatin, pushkatojnë dy xhaxhallarët e mi, e mandej burgosin babanë dhe një tjetër xhajë, menjëherë sapo komunistët erdhën në krye. Vetëkuptohet që pjesa tjetër e familjes merr gjithashtu pasoja. Pra, u internuan në zonat periferike të Shkodrës.
Ju nuk kishit lindur atëherë, kështu që historia duhet të ketë ndryshuar pak rrugës…
Jo, deri sa babanë, Sheuki Bushatin, e burgosën me dënimin e përjetshëm si fillim, nëna kishte vetëm një fëmijë, i cili i vdiq. Mandej, dënimi i babait u ul në 25 vite deri sa u reduktua në katër dhe doli. Por, dalja nga burgu nuk do të thoshte aspak që gjithçka kishte marrë fund, përkundrazi. Për të gjithë ne që do vinim në jetë njëri pas tjetrit, ato sapo kishin filluar.
I kujtoni, që fëmijë?
Nuk ma do mendja që pavarësisht cilësdo moshë, të mund të harrohen ditët e gjata e të pafundme të urisë. Nuk kishim bukë, ushqeheshim vetëm me rrush të thatë, për një javë të tërë.
Prindërit nuk punonin?
Babai që pas daljes nga burgu ishte i sëmurë, nuk mund të punonte. Ndërsa nëna punonte në fermë, e me atë pak rrogë ushqente gjashtë veta. Nga ana tjetër, edhe dyqanet e fshatit nuk na trajtonin si të tjerët, për ne nuk ngelej asnjëherë asgjë. Sikundër ndodhte gjithandej, në shkollë e kudo. Në vitet ’64 për shembull, lufta e klasave ishte shumë e theksuar.
Ndërkaq vazhdonit të jetonit po aty, ku ju patën internuar në kohën që babai ishte i burgosur?
Edhe për pak kohë po, sepse pastaj babai do bënte përpjekje për të na sjellë në Shkodër. Ia arriti në fakt që në mënyrë të fshehtë të vinim në Shkodër, por nuk zgjati as dy vjet, sepse do na zbulonin dhe, për pasojë, do na hidhnin në rrugë pa asnjë strehë. Shkonim e vinim nëpër të afërm që mund të na mbanin kush për një muaj, kush për një tjetër. Pastaj, qeveria vendosi të na çojë me banim në Mjedë. Aty jetuam 6 vite shumë të vështira, më të vështirat ndoshta. Mamasë i duhej të shkonte deri në Shkodër me gomar për të na marrë bukë, jetonim në një kasolle të pabanueshme aq sa ajo kur kthehej nga puna, pasi e kishte zënë nata, zgjaste kokën gjithë ankth në kasolle ku ishim strukur pranë zjarrit, se mos na kishte ngrënë ujku. Nga ana tjetër, buka që merrnim nuk mjaftonte dhe ne, megjithëse të vegjël, ia linim babait meqenëse ishte i sëmurë. Ndodhte të bllokohej rruga nga shirat dhe me gomar s’e kaloje dot, kështu që mbeteshim pa ngrënë.
Po ju shkonit në shkollë?
Po, shkonim, po për ta bërë duhet doemos të punonim, ndryshe s’kishim as libra, as asgjë. Kujtoj që isha në klasë të gjashtë kur më duhej të mblidhja duhan apo bimë mjekësore për të blerë katër karrige, sepse në shtëpi nuk kishim fare orendi. Apo për të blerë përparësen. Të paktën të siguroja këto e të kisha pamje të rregullt, sepse për gjë tjetër nuk na linte njeri.
Çfarë tjetër, konkretisht?
Po mua më pëlqente dhe këndoja mirë për shembull. Deri këtu arrinin sa që merreshin edhe me pjesëtarët e korit të fshatit, isha mes fëmijëve të tjerë kur më thanë ik prej aty.
Sa zgjati e gjithë kjo?
Deri sa kryetar komiteti erdhi Sulejman Bushati, vjehrra e tij ndërhyri te dhëndri dhe na sollën në Shkodër në ’75-n. Nisa të punoja në punë sezonale aty, sepse isha gjithnjë në shënjestër për t’u hequr, kështu që nuk mund të rezistoje gjatë në një vend.
Si u njohët me Tanush Mulletin dhe a nuk do ishte kjo lidhje edhe më keq se ç’ishit më parë, meqenëse ishit të dy të persekutuar?
Baballarët tanë kanë qenë të dy në një burg dhe ka qenë një lidhje që vinte si pasojë edhe e një miqësie. Në kohën e parë të fejesës, bëri bujë lidhja, sepse kështu dolën më në pah biografitë e njëri-tjetrit. Por, në Shkodër gjithsesi, ndryshe nga periferitë apo qytetet e tjera, lufta e klasave nuk ka qenë aq e theksuar, edhe njerëzit janë më të butë se në vende të tjera. Më kujtohet që atë vit ka rënë tërmet e na u prish shtëpia, kështu që fejesën e kemi bërë në çadër. E këto ndodhi nuk na u ndanë as në martesë…
Tërmet, prapë?
Jo, këtë herë nuk kishte mish. Familja Mulleti kishte 50 vite që nuk kishte pasur dasma, e prej miqve që u vinin nga Tirana, duhet të kishin një gosti ashtu siç duhej. Por ja që mish nuk kishte. Im at, meqenëse nuk punonte, mbante disa qengja në shtëpi. Na pati premtuar se njërin prej tyre do të na i dhuronte ne të dyve për Vit të Ri. Bëri ç’bëri Tanushi shkoi ditën e dasmës te babai për t’i kërkuar qengjin përpara kohe. Ai, gjithë humor, ia ktheu: “Mendova se mos erdhe të më sjellësh prapë vajzën, pa qengja të jap unë dy’.
Pastaj situata u përmirësua apo jo, nga varfëria e skajshme prej nga vinit?
Po, u përmirësua. Së pari nisa të lëviz nga strofulla ku kisha qenë për kaq vite, pa e ditur se ka botë edhe më tej. Pastaj, Tanushi kishte punë të mirëpaguar, si zanatçi në elektroauto. Vuajtja zgjati edhe për pak kohë, sepse lindën fëmijët, djali sidomos që ishte i pari, dhe nisën të trajtoheshin me përbuzje nga të tjerët. Jo si ne, kuptohet, sepse koha kishte ndryshuar, por gjendej në situata jo të mira gjithsesi. I është dashur 3 herë të ndërrojë shkollën.
U shpërblyet më pas, kur historia filloi të përmbysej?
Për atë dhe për të gjithë ne. Po, sidomos jemi të lumtur për fëmijët që u shkolluan në të gjitha fazat e që panë dritë ndryshe nga ajo e jona.
Mbiemri Mulleti të kujton gjithnjë komedinë, ju sikletoste kjo gjë?
Tanushi nuk ka pranuar ta shohë asnjëherë. Mua, më kujtohet që u gjenda një herë në një rreth njerëzish dhe komedia ishte duke u transmetuar. Një mikesha e imja ia nisi këngës që vëmendja të mos përqendrohej aty e unë të mos ndihesha në siklet. Ajo e bëri krejt natyrshëm dhe nuk më tha gjë, por u kuptua menjëherë.
Për bashkëshortin e dimë tashmë, po ju me çfarë u morët pas ’90?
Unë nuk kam punuar. Puna e Tanushit ishte e tillë që mund të mos kthehej edhe për ditë a muaj në shtëpi dhe dikush duhej të kujdesej për fëmijët, ishin ende të vegjël. Edhe mamaja e Tanushit jetonte me ne, kështu që duhej dikush që të kujdesej për të gjithë. Ngado të ktheheni, ma do mendja që këto janë historitë tuaja, sepse po shoh libra me tema të tilla përreth?
Tanushi: E si të mos jenë, ashtu kemi jetuar për 35 vite, duke mbajtur brenda edhe kujtime të tmerrshme. Nënën time e kanë arrestuar kur unë kam qenë 1 vjeç. Më çonin 2-3 herë në burg që të më jepte gji. Kur e morën, askush nuk e pa, unë isha duke qarë deri sa erdhi ime motër që thërriste për nënën. Donte ta gjente.. Qeni e kapi nga fustani dhe e ka çuar deri te dera e Prokurorisë. Është me të vërtetë shumë prekëse dhe e çuditshme kjo gjë.
Të paktën, shijuat e po jetoni edhe anën tjetër të medaljes, kur fati erdhi nga ana juaj. Ju patët të bëni me një pjesë të mirë të anëtarëve të Byrosë..
Po, por kjo nuk do të thotë që mora hakun e vuajtjeve të mia, e as që e mendoja. Gjërat shkuan ashtu siç shkuan, e s’kthehen mbrapa. Siç thoshte nëna ime “atë e di Zoti”..
*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al